Sot zhvillohet provimi për Vlerësimin e Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor, i njohur si VANAF, për të gjithë nxënësit e klasave të pesta.

Me një mesazh drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve para nisjes së provimit, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka uruar suksese mbi 27 mijë nxënësve që do të marrin pjesë në testim.

Testimi do të vlerësojë njohuritë e fituara gjatë ciklit fillor dhe do të përfshijë pyetje nga tri lëndët kryesore: Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Dituri Natyre.

“Të dashur nxënës të klasës së pestë, ju jeni më të vegjlit që bëheni për herë të parë pjesë e sistemit të provimeve, provime që më pas do t’i keni gjatë gjithë jetës. Kam këtë mesazh sot për ju, për t’ju uruar suksese në këtë provim simbolik që nis ciklin e shumë provimeve me të cilat do të ecni në jetë. Por duhet të kuptojmë se është i vetmi sistem i drejtë që njohim deri tani për të matur dijet tuaja dhe për të marrë secili notën dhe meritën që i takon.

Jeni mbi 27 mijë nxënës që testoni sot dijet tuaja në gjuhën shqipe, matematikë dhe dituri natyre. Pikët me të cilat do të vlerësoheni do të na tregojnë, juve, ne mësuesve, dhe do të na shërbejnë për të analizuar anët e forta, si edhe çfarë duhet të përmirësojmë në procesin e mësimdhënies. Po ashtu, do të na ndihmojnë të orientojmë më mirë gjithë punën tonë drejt cilësisë së arsimit parauniversitar, për ju, por jo vetëm, edhe për ata që do të vijnë në bankat e shkollës pas jush.

Suksese të gjithëve ju, suksese edhe mësuesve që i keni pranë në çdo hap dhe që kanë punuar me ju për të dalë sa më mirë sot. Dua të falenderoj edhe prindërit tuaj, të cilët ju ndjekin çdo ditë dhe përjetojnë emocionet e provimit tuaj të parë. Jam e bindur që do të dilni shumë mirë, sepse jeni më të mirët”, tha Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në mesazhin e saj.