Në të gjitha shkollat e vendit nis sot viti i ri mësimor. Mbi 340 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës, me rreth 25 mijë nxënës që nisin për herë të parë shkollën.

Ky vit i ri shkollor 2026-2027 vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore. MAS në të gjitha shkollat e vendit ka shpërndarë tekstet shkollore për vitin e ri shkollor, ndërsa për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, është pajisur me tekste shkollore të reja dhe falas.

Ndërkohë 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert këtë vit shkollor, ndërsa më herët Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e shkollave. ​

Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Paralelisht vëmendje i është dhëë edhe shërbimit psiko-social, me 900 psikologë dhe punonjës socialë që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit gjatë vitit shkollor 2026–2027, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve. 20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.

Për herë të parë 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi. Programi përfshin disa fusha, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore. Përmes këtyre aktiviteteve synohet që nxënësit të kenë akses në orë cilësore pas mësimit, të zhvillojnë potencialin dhe aftësitë e tyre, si dhe të krijojnë më shumë mundësi për socializim.

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:10
Viti i ri shkollor, Begaj: Besoni te vetja, tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja

Foto:Nxënës në ditën e parë të shkollës

Presidenti Bajram Begaj, uroi nisjen e vitit të ri shkollor. Në një mesazh Begaj shprehet se çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar dhe për të ëndërruar.

Presidenti Begaj përcolli një urim të veçantë për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjithë ata mësues, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë këtë mision fisnik.

Mesazhi i Presidentit Begaj:

Sot nis viti i ri shkollor për mijëra nxënës në të gjithë vendin. Çdo vit, çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar, por edhe për të ëndërruar. Shkolla nuk është thjesht një vend ku marrim dije. Është vendi ku përgatitemi të marrim përgjegjësi, ku mësojmë të njohim botën, të njohim vendin tonë, të kuptojmë historinë e tij, të çmojmë kulturën dhe vlerat e të kuptojmë misionin që kemi për të ardhmen e tij.

 Uroj të gjithë nxënësit, veçanërisht ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të kenë një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të bukur! Një urim i veçantë për mësuesit, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën e gjithë shoqëria jonë u është thellësisht mirënjohëse!

 Të dashur nxënës,

 Besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja!

Ora 08:03
Viti i ri shkollor, Rama: Një vit të mbarë nxënësve dhe mësuesve

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë nxënësve një vit të ri shkollor.

Në një postim në rrjetet sociale Rama ka shpërdërë edhe fotot e disa prej shkollave të rikonstruktuar këtë vit.

“Mirëmëngjes dhe me urimin për një vit të mbarë shkollor nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, e padyshim edhe vetë prindërve që sot nisin fëmijët në shkollë, ju uroj të gjithëve një javë sa më të mirë. Disa prej shkollave të rilindura këtë vit, me kushte dhe standarde të reja për nxënësit dhe mësuesit”, shkruan Rama.