TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur qytetin e Lushnjës për të reaguar në mënyrë të tërthortë ndaj akuzave të opozitës për fshehje të provave për ngjarjen e 21 janarit, referuar apelimit të prokurorisë të vendimit të gjykatës që nxori nga burgu të akuzuarit gardistë. Madje duke provokuar fort, teksa i ka dhënë sërish rëndësi 21 janarit, si dita e mbledhjes së kongresit të Lushnjës, për të anashkaluar atë që ka ndodhur 92 vite më vonë më 2011. Teksa ka nisur takimin me pyetje përgjigje nga sallë, kreu i qeverisë nuk i ka shpëtuar tundimit pa përmendur 21 janarin, por jo për ngjarjen tragjike ku u vranë përballë kryeministrisë 4 demonstrues por për historinë e 93 viteve më parë, kongresin e Lushnjës, vendimi më i rëndësishëm i të cilit ishte caktimi i Tiranës kryeqytet. I pyetur se përse 21 Janari, data e mbajtjes së Kongresit të Lushnjës nuk është shpallur ende festë kombëtare, kryeministri tha se bllokim ka qenë roli i Mbretit Zog. Berisha tha se do e shqyrtojë këtë propozim. “Të flasim haptas, Kongresi i Lushnjes e meriton 100% të jetë festë kombëtare, por dhe kjo nuk ka pengesë për të ndodhur, por i vetmi problem për ne është që fatkeqësisht jemi të detyruar të kemi festa ndërkombëtare më shumë se të tjerët. Mirëpo ditët e shumta të pushimit rëndojnë mjaft sipërmarrjen private, jopublike. Ne do e shqyrtojmë me shumë vëmendje dhe do gjejmë një zgjidhje. Sepse ngjarja është absolutisht mrekullia shqiptare”, ka deklaruar Berisha. Sipas tij, është bërë një përpjekje e madhe në ato data ndaj meriton të vihet në piedestal. “U la në hije se aty kishte luajtur një rol thelbësor Zogu, që kishte pjesë të rëndësishme si ministër i Brendshëm. Enver Hoxha e vështroi gjithë këtë në këtë konteskt. Por shqiptarët e kanë të qartë se është ngjarje më madhore në historinë tonë kombëtare”, tha Berisha. Duke e kërkuar dhe me sa duket e ka vendosur tashmë që 21 janari të jetë ditë pushimi, si ditë e një feste kombëtare, një interes për Lushnjën ky i ardhur vetëm pas tragjedisë së 21 janarit të vitit 2011 kur humbën jetën katër demonstrues për shkak të plumbave të gardës. Por deputeti i PS Sajmir Tahiri reagoi pas deklaratës së Berishës në Lushnjë se 21 Janari meriton të jetë festë kombëtare. “Meqë Sali Berisha ka deklaruar se ka ndërmend të shpallë 21 janarin ditë pushimi e festë zyrtare e garantojmë se me këto palaçollëqe, nuk i shmanget dot përgjegjësisë për 21 janarin. Pas 23 qershorit, do e ketë pushim çdo ditë të vitit. Pushim pa qetësi, në dorë të drejtësisë dhe të ligjit”, tha Tahiri. Duke paralajmëruar vetëm drejtësi.