Në diskutimin për pr.rezolutën për Bankën e Shqipërisë, Erion Braçe vlerësoi arritjet e institucionit gjatë vitit 2025, por nënvizoi se kushtet kanë ndryshuar. Deputeti socialist tha se lufta në Gjirin Persik ka ndikuar tregjet dhe theksoi sidomos atë të hidrokarbureve që ka shënuar ndryshime të dukshme në javët e fundit. Ai shtoi se duhet të bëhet më shumë për ekonominë sepse vetëm puna e Bankës nuk mjafton.

“Që prej shkurtit të këtij viti jemi në kushte të tjera. Lufta në Gjirin Persik ka vënë kushte në tregje. Inflacioni është në rritje, i ndikuar nga rritja e çmimeve të ushqimeve, pijeve alkoolike, naftës e gazit. Është shoqëruar me importe të larta. Vetëm në dy javët e fundit, ka abuzime të forta në tregun e hidrokarbureve, në të cilin u shënua rënie në bazë të funksionimit të Bordit të Transparencës, lajmeve për shuarje të konflikteve dhe rritje sërish. Rritja e importeve të fabrikuara dhe të freskëta. Kjo sjell në vëmendje dobësitë e dukshme të ekonomisë. Banka duhet të bëjë ciklin e saj, por të ndihmohet nga ekonomia. Baza e gjerë ekonomike duhet të jetë fokusi jo vetëm i qeverisë, por edhe i Bankës”, tha Braçe.

Për Bankën e Shqipërisë, rekomandimi i deputetit socialist është lufta kundër pastrimit të parave, ndërsa qeveria të hartojë politika zhvillimore për monedhën vendase.

“Të forcojë luftën dhe rregullat kundër pastrimit të parave në treg. Para të pista kanë hyrë në treg përmes zyrave të këmbimit valutor dhe është detyrë e Bankës të forcojë kontrollin. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe me sistemin bankar duke forcuar mbikëqyrjen kundrejt institucioneve financiare. Rekomandimi i dytë i shkon qeverisë, të bëjë politikat zhvillimore për monedhën”, tha Braçe.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ PD e PL bojkotojnë seancën, PS debat me opozitën e re! Muçi: Kujdes kur talleni me protestuesit! Balla: Flamingot fluturuan kur hynë Saliu, Gonia e Qorri