“Katër vjet Bashkia e Tiranës në duar të Partisë Demokratike, katër vjet ndërtime pa leje, uzurpim i trotuareve, parqeve të lagjeve, rrugëve, tarracave të pallateve. Hapësirat publike në Tiranë nuk ekzistonin më si koncept.
U desh ndërhyrja e Inspektoriatit Ndërtimor Kombëtar që qytetarëve të Tiranës t’u riktheheshin hapësirat publike. Plot 98 mijë metër katrorë hapësirë publike të çliruara nga INUK deri më sot dhe 1400 objekte të paligjshme të prishura. Sigurisht, operacioni do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të hapësirës publike dhe kthimit të saj në përdorim të qytetarëve të Tiranës, jo klientëve të Kryetarit të SHQUP”, tha Bare.
Deputeti socialist tha se opozita po sulmon INUK në vend që të përshendesë këto aksione. Bare tha se prej vitit 2011, “Bashkia e Lulit nxiste ndërtimet pa leje në Tiranë, kurse Qeveria e Saliut i legalizonte si të ishin me leje”.
“Por ç’bën opozita ndërkohe? Si gjithmonë, në vend që të përshëndesë aksionet në shërbim të qytetarëve, opozita mbron paligjshmërinë. Sulmonte policinë pse u çlirua Lazarati dhe njësoj sot sulmon INUK pse çliron hapësirat publike në Tiranë.
Lulzim Basha e ka braktisur aq fort detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sa edhe vetë opozita, edhe vetë deputetët e tij, e kanë harruar se Kryetari i Bashkisë është kryetari i tyre.
Nga viti 2011, Bashkia e Lulit nxiste ndërtimet pa leje në Tiranë, kurse Qeveria e Saliut i legalizonte si të ishin me leje. Kjo ishte skema e Lulit dhe Saliut për të shkatërruar hapësirën dhe pronën publike në Tiranë. Sot, në vend që të kërkojnë falje për demin e pallogaritshëm që Luli dhe Saliu kanë bërë, zgjedhin të bëhen palë me të paligjshmen duke sulmuar INUK dhe qytetarët e Tiranës.
Si deputet i Tiranës mbështes INUK dhe qeverinë të vazhdojnë aksionin e nisur për të çliruar njëherë e mirë hapësirën publike në Tiranë. Njësoj siç Edi Rama, atëherë Kryetar Bashkie, çliroi Tiranën nga kioskat, sot Kryeministër, po e çliron Kryeqytetin nga ndërtimet pa leje që kishin zaptuar çdo cep të Tiranës”, u shpreh deputeti Bare.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)