Ejron Braçe denoncoi firmosjen e një kontrate nga ministria e Brendshme që kap shifrën mbi 1.6 milionë Euro me qëllim që Sali Berisha të mbajë nën kontroll popullin e tij.
Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë vetë Kryeministri Berisha deklaroi se do ta ndryshojë ligjin për përgjimet dhe mbi këtë nuk kurseu as batutat me gazetarët.
DEKLARATA E PLOTE E BRACES PARA SELIZE ROZE
21 Janari ndryshoi jo vetëm marrëdhënien e Sali Berishës me Opozitën, marrëdhënien e Sali Berishës me shumicën e popullin që e kundërshton politikën, qeverisjen e korruptuar të tij. 21 janari ndryshoi dhe mënyrën e përdorimit të parave publike, fondeve buxhetore të krijuara nga taksat që paguajnë shqiptarët, duke i orientuar ato nga blerja e materialeve ushtarake, pajisjeve dhe armëve luftarake për “kontrollin e turmave”.
Menjëherë pas 21 Janarit, Ministria e Brendëshme dhe Ministria e Mbrojtjes, ministri Lulëzim Basha dhe Ministri Arben Imami kanë orientuar fonde të mëdha pikërisht në blerjen e paisjeve për “identifikimin, përgjimin, kontrollin, neutralizimin e turmave”.
Po ndalem sot vetëm tek Ministria e Brendshme dhe kontrata e saj me vlerë 1.660.810 euro për të kuptuar se si Sali Berisha shpenzon paratë e shqiptarëve në mes të krizës më të madhe financiare dhe ekonomike për të “kontrolluar” popullin e tij.
Kjo çështje i ka të dyja anët:
1-Përdorimin e parave për të kontrolluar popullin;
2-Mungesën e transparencës, procedurave ligjore, garave konkuruese për të mirëadministruar paratë e kufizuar shpenzimet pa hesap.
Tipike të administrimit të kudogjendur të Lulëzim Bashës.
Më 10 shkurt 2011 kontrata me kompaninë:
Port Croft Limited me seli në Belize, me administrator Gjeneralin në pension Meir Gachtan. Nuk ka asnjë të dhënë se si u përzgjodh kjo kompani, përmes cilës procedurë, cilës garë, cilës ofertë. Vetëm se egzistojnë dokumente që dëshmojnë se Lulëzim Basha e ka prezntuar zotërinë në fjale si personin e kontaktit mes
Ministrisë së Brendëshme dhe partnerëve të saj.
Objekti i kontratës është:
Blerje “Pajisje për kontrollin e turmave”
Vlera e kontratës:
1. 660. 810 euro
Përmes saj janë blerë:
2000 kostume anti-turma (plotësuar me shkopinj, helmeta, mburoja) me çmim 634 euro për copë/ vlerë të përgjithshme 1.268.000 euro;
50 megafonë me çmim 101.2 euro për cope/ vlerë të përgjithshme 5.060 euro
1500 maska gazi të reduktuara më pas në vetëm 600 maska e po kaq filtra me çmim 178.5 euro për copë/ vlerë totale 107.100 euro
Kosto transporti:
120. 000 euro!!!
Mostrat që shoqërojnë kontratën janë të një kompanie në Izrael.
Malli që ka mbërritur në Tiranë ka si origjinë të shkruar në lejen e importit Kinën.
Kompania e kontraktuar e ka qendrën në Belize.
Paratë janë derdhur duke patur si përfituese degën në Marganashvilli JSC TBC Bank në Tbilisi Gjeorgji.
(im/sg/shqiptarja.com)