TIRANE - Lindita Nikolla, kandidate e Partisë Socialiste për deputete në kryeqytet, ka akuzuar kryeministrin Berisha se premtimet për legalizimet janë një nga mashtrimet e qeverisë së tij. Në një deklaratë për mediat, Nikolla tha se “dështimi me procesin e legalizimit është sot një nga 100 arsyet më të forta për të mos e votuar Saliun në 23 qershor.”

Këto akuza, kandidatja për deputete i mbështet duke thënë: Plot 8 vjet më parë, në fushatën e vitit 2005 Sali Berisha premtoi zgjidhjen e çështjes së legalizimeve brenda vitit 2006.

“Përfundimi i procesit të legalizimeve të ndërtimeve brenda vitit 2006. Përgatitja e programeve të urbanizimit të këtyre zonave në qytetet kryesore të vendit,” deklaronte pika 14 e programit elektoral të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës në zgjedhjet e vitit 2005. Kanë kaluar jo pak, por 8 vjet. Kanë kaluar plot 2 mandate me Saliun kryeministër, dhe 2 palë zgjedhje të tjera në të cilat Saliu e përsëriti premtimin për legalizimin dhe në të cilat shumë qytetarë votuan për Saliun ose kandidatët e Saliut për shkak të këtij premtimi”, deklaroi Nikolla.

Duke iu referuar shifrave zyrtare, Lindita Nikolla tha se në 8 vjet pushtet, Sali Berisha si kryeminsitër ka legalizuar rreth 18.00 ndërtime, e barabartë kjo me 5 % të totalit të ndërtimeve informale.
“Pra në 2 mandate Sali Berisha ka legalizuar vetëm 5% të ndërtimeve pa leje çka do të thotë se nëse banorët dhe pronarët e këtyre ndërtimeve do të vazhdojnë të presin zgjidhjen nga Sali Berisha atyre do u duhet të bëjnë durim edhe për 160 vjet të tjera”, vijoi ajo.

Nikolla përfundoi duke hedhur akuza edhe ndaj vetë institucionit të ngritur për qëllimin e legalizmit, Aluizni. “12 drejtori rajonale dhe 10 drejtori brenda qarqeve me 300 punonjës, të prira nga komandant Shabani kanë arritur në 2 mandate qeverisjeje të Saliut të legalizojnë vetëm 5% të ndërtimeve pa leje në Shqipëri. Dhe për këta militantë partie që kanë dështuar në mënyrë kaq spektakolare janë shpenzuar jo pak, por plot 15 milion euro nga buxheti i shtetit ndërkohë që nga legalizimet janë mbledhur gjithsej vetëm 5 milion euro”, përfundoi kandidatja e Partisë Socialiste për deputete në kryeqytet, Lindita Nikolla.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)