TIRANE- Pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes, se shitja e armëve e denoncuar nga opozita ka si qëllim pastrimin e Ushtrisë nga mbeturinat e komunizmit, është hedhur poshtë nga deputeti socialist Erjon Braçe, i cili përpara kamerave prezantoi sot paradite një dokument që vërteton se Shqipëria ka blerë armatime në Mal të Zi për t’i shitur më pas në Serbi.

"Ministria e Mbrojtjes, deri sot, është mbrojtur duke thënë haptazi dhe qarte se: Po pastron Shqipërinë nga plehrat e komunizmit; duke ju referuar armëve, municioneve, eksploziveve, mjeteve e pajisjeve ushtarake vendase, pra administruar nga vetë Ushtria Shqiptare. Sot dua tu tregoj se marredhënia mes ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive shtetërore serbe është më e madhe se sa kaq!! Pra është përtej shitjes së plehrave të komunizmit në depot e ushtrisë shqiptare.
Kjo është një dosje e plotë që dokumenton transaksionin më të madh tregtar të mallrave ushtarake, prej ministrisë së Mbrojtjes. Nuk është një dosje e klasifikuar, është një dosje e mbushur me dokumenta, kontrata tregtare, e fshehur dhe e mbrojtur deri tani nën argumenta banale që burokan nga ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, konfirmuar pranë meje me shkrim nga vetë ministri Imami dhe një zyrtar i tij."- deklaroi sot paradite Braçe nga selia rozë.

Duke treguar dokumentat, Braçe pohoi se bëhet fjalë për dy kontrata, njëra me vlerë 1 mln e 200 mijë dollarë dhe tjetra 1 mln e 713 mijë dollarë, të cilat janë të përfshirë nga misteri.


"Ka dy kontrata tregtare: Njëra për 10.000 raketa “Zolja”; Tjetra për 10.000 raketa “Zolja”; 600 granatahedhës dore anti-tank RPG-7; shtimje PG-7 për RPG-7.
Njëra me vlerë 1.200.000 usd; Tjetra me vlerë 1.713.00 usd. Njëra e lidhur me kompaninë Zahen Limited; Tjetra e lidhur me kompaninë Moon Storm Enterprises.
Por të dyja të përfaqësuara nga i njëjti njeri. AKSHE deklaron se i gjithë transaksioni nuk është realizuar. Por një tjetër autoritet malazes e deklaron si eksport të kryer në drejtim të Shqipërisë. " - tha Braçe duke shtuar se pikërisht për të gjitha këto paqartësi kërkohet përgjigje dhe hetim ndaj Ministrisë se Mbrojtjes dhe vetë Arben Imamit.

Deputeti socialist i kërkoi ministrit të Mbrojtjes Arben Imami që të mos fshihet pas zëdhënëseve por të dalë publikisht e të shpjegojë përse Shqipëria përzihet dhe ndyhet në tregtinë e armatimeve që nuk i disponon. Braçe gjithashtu përsëriti kërkesën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë këtë aktivitet të Ministrisë së Mbrojtjes, bazuar në të drejtën që i jep ligji.

"Koha e komunizmit kur çdo gjë, duke përfshirë dhe krimet e tij ishin “secret” e nuk ndahej me publikun, ka mbaruar, ka vdekur. Jetojmë në demokraci, tipari themelor i një shteti në demokraci është transparenca dhe njohja e ndarja me publikun e vendimmarrjes, politike, ekonomike, juridike, ushtarake. I kemi kapur mat dhe në flagrancë, në veprime haptazi antikombëtare, antikushtetuese dhe korruptive."- tha Braçe.

Dhe kreu i PS Edi Rama ka reaguar në lidhje me debatin e fundit, atë të tregëtimit të armëve. "Ndiqni shpalosjen e kalbëzimit rrënqethës të Ministrisë së Mbrojtjes përmes fakteve e shifrave të korrupsionit që po ekspozojmë publikisht. Ministri i Mbrojtjes vetëm hakërrehet ndaj Erjon Braçes që po bën përditë ekspozenë e atij kalbëzimi, por s'jep dot asnjë provë të kundërt!", shkruan Rama në Twitter.
PS, Ja dokumentet e Braces