Ilir Xhakja njihet në të gjithë zonën e tij, që përfshin komunën e Katundit të Ri si një militant e mbështetës i PD dhe i të djathtës shqiptare në të gjitha zgjedhjet elektorale që janë bërë, qofshin ato parlamentare ashtu dhe ato vendore. Dhe nuk ka qënë një mbështetës i vonë, por që herët ka kontribuar fort me të gjitha mënyrat për zgjedhjen e deputetëve demokratë në pushtetin qëndror ashtu dhe për krerët bashkiakë dhe komunalë në atë vendor. Këtë e kanë vuajtur në kurrizin e tyre drejtuesit vendorë të këtyre zonave, që përfshihen në qarkun e Durrësit por dhe kandidatët për t'u zgjedhur, që nga viti 2005 me në krye ish-ministrin e Bujqësisë Agron Dukën e deri tek zgjedhjet e fundit në Katundin e Ri, ku përfaqësuesi i PD u zgjodh kryetar komune, ndërkohë që numri dy i komunës është një i afërm i Ilir Xhakjes. Të pyesësh për kontributin e Xhakjes, vrasësit të kryekomisarit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, në favor të PD në të gjitha fushata elektorale parlamentare dhe vendore është shumë e vështirë, pasi janë tepër të rezervuar. Madje i shmangen deklaratave të drejtëpërdrejta, ndërkohë që kreu socialist i rrethit të Durrësit është shprehur me tone të rezervuara se Ilir Xhakja, njëriu që vrau kryekomisarin e Shijakut ka bërë fushatë për Partinë Demokratike dhe është një mbështetës i kahershëm i demokratëve. "Ka qënë mbështetës i Partisë Demokratike, dhe dihet se gjithnjë kanë bërë fushatë për PD dhe të djathtën", është shprehur shkurt kreu i PS të rrethit të Durrësit Gentjan Bejko për gazetën "Shqiptarja.com". Ndërkohë që teksa jemi interesuar pikërisht në zonën ku kishte banuar Ilir Xhakja, mësojmë se një kushuriri i tij është nënkryetar i komunës Katundi i Ri. Ndërkohë që kreu i PS të rrethit të Durrësit, Bejko nuk ka munguar të komentojë dhe akuzat e Berishës në drejtim të kreut të FRD njëherësh ish-kreu i shtetit, Bamir Topi në lidhje me lirimin e vrasësit Ilir Xhakja nga gjykatës të emëruar prej tij. Bejko ka nënvizuar se "Gjyqtari që cilësohet si i Topit apo Spahiut është në Gjykatën e qytetit të Durrësit që prej më shumë se 14-15 vjetësh, kur Topi apo Spahiu nuk ishin njëri kreu i shtetit dhe i KLD dhe tjetri nënkryetar i KLD". Ndërkohë që kreu i bashkisë së Shijakut, i cili kohë më parë ka qënë dhe kryetar i PS po i kësaj bashkie, Indrit Buka është shprehur se vrasësi i kryekomisarit nuk ka pasur lidhje me këtë zonë, madje nuk ka bërë fare fushatë për PD në këtë bashki, e cila nuk përfshin asnjë nga fshatrat përrreth dhe për më tepër fshatin ku ka lindur dhe ka vepruar Ilir Xhakja. Madje ai shprehet shumë i irrituar bashkë me bashkëqytetarët e tij kur dëgjon se spekulohet në lidhje me Shijakun, i cili sipas tij është një qytet shumë i qetë e pa asnjë problem. "Komisariati i Shijakut është ai që i përmbledh gjithë këto komuna, por bashkia e Shijakut nuk ka lidhje fare. Personi në fjalë është në komunën Katund i Ri. Nuk ka lidhje me Bashkinë e Shijakut, që është shumë e stabilizuar e pa probleme. Qytetarët janë të irrituar se përse përzihet emri i kësaj bashkie me problemet që kanë dalë në një komunë që është larg saj", ka qënë deklarata e kreut të bashkisë së Shijakut, Indrit Buka. Dhe sipas qytetarëve të Shijakut që nuk kanë pranuar të përmendin emrin, Ilir Xhakja nuk është përzier në fushatën e zgjedhjeve për bashkinë e Shijakut por as në këtë territor në kohën e zgjedhjeve parlamentare. Por ata nuk bëjnë të paditurin për ato që kanë dëgjuar nga zonat përreth e kryesisht për komunën e Katundit të Ri, ku socialistët e atyre zonave e kanë vuajtur në kurriz mbështetjen e Xhakjas për PD-në. Por që qyteti dhe bashkia e tyre nuk i ka pasur këto probleme në kurriz, pasi ishin jashtë "juriksionit" të Ilir Xhakjes gjatë fushatave elektorale. Ndërkohë që vetëm dy ditë më parë ka qënë kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ai që në përgjigjie të akuzave të Berishës ka deklaruar se Xhakja ka mbledhur vota për PD. Ruçi akuzoi mazhorancën për lidhje me Ilir Xhakjen. "Ilir Xhakja, që deri dje e përdorje për të mbushur shportën elektorale, sot mundohesh t'ia faturosh opozitës. Më kot mundohesh. Ai guxoi ngriti dorë në mes të ditës ndaj uniformës së shtetit sepse ju e mbrojtët", tha Ruçi.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)











