TIRANE - Listat e shpallura nga partitë politike në vend për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, edhe pse në kryesitë e tyre kanë kaluar shumica me debate, në bazë duket se ato janë pritur mirë.

Njëzëri krerët e partive në rrethe, shprehen fitues me skuadrat që partitë, kryesisht të mëdhat kanë zgjedhur për t`i hyrë garës në qershor. Në një forum për Shqiptarja,com krerët e PS, PD në rrethe përgëzojnë emrat e rinj në listat e partive si dhe komentojnë shumë pak largimin e zërave të njohur në politikë.

Të majtët në bazë mbështesin rotacionin politik si dhe shprehin sigurinë në një fitore të PS në 23 qershor. Ndërkohë që për të djathtët fitorja e një mnadati të tretë është më shumë e rëndësishme se çdo gjë.

Ata janë përgatitur dhe po punojnë për fitimin e më shumë mandateve në krahasim nga zgjedhjet e 2009. Ndonëse nga e djathta janë larguar 35 deputetë dhe të majtës 22 të tillë, kjo nuk shikohet nga krerët e partive në rrethe si shenjë e përjashtimit të tyre nga kontributet në PS.

GENTI BEJKO KREU I PS, DURRËS

Kreu i PS, në Durrës Genti Bejko në një prononcim për Shqiptarja.com thekson se ndryshimet janë të domosdoshme në çdo parti, duke vlerësuar në të njëjtën kohë edhe prurjet e reja në listën e majtë. “Ajo që mund të them lidhur me listën e PS është se është një ndër skuadrat më të mira dhe fituese në 23 qershor.

Asgjë të keqe nuk ka nëse bëhen ndryshime me emra të rinj apo largimin e të vjetërve. Ndryshimet janë zhvillime në çdo parti. Në skuadrën tonë kemi njerëz me eksperiencë dhe njerëz energjik. Ndërthyrja e tyre sigurisht që sjell fitore”, shprehet kreu i PS në Durrës.

XHAVIT BUSHI KREU I PS, FIER

Për kreun e PS në rrethin e Fierit, Xhavit Bushi lista e shpallur nga e majta, kryesisht ajo e qarkut të Fierit është një listë gjithëpërfshirëse, ndonëse të risitë në këto lista varen edhe nga kontibutet e paraardhësve.

“Përsa i përket qarkut të Fierit, mund të them se lista që është paraqitur nga PS është një listë dinjitoze, përfaqësuese ku përfshihen potenciale të PS në të gjitha sferat që nga juristë, ekonomistë, inxhinier etj.

Mbi të gjitha është është një përfaqësim edhe i angazhimeve politike që kanë dhënë. Nuk ka qenë e lehtë përzgjedhja e listës por ka qenë e studiuar, duke marrë parasysh dhe faktorë të rëndësishëm si psh.atë të përfaqësimit fetar.

Lidhur me largimet mund të them që janë probleme që janë ndjekur në vazhdimësi edhe në bazë të kontributeve që kanë dhënë. Lista për në Qarkun e Fierit është dinjitoze dhe konkurruese që do t`i sjellë PS fitore të madhe në këtë qark, por jo vetëm”, u Shpreh Bushi për gazetën Shqiptarja.com.

XHEVAIR ÇELOALIAJ KREU I PS, VLORË

Kreu i PS në Vlorë, Xhevair Çeloaliaj konisderoi si lajmin më të bukur nga gjjithë lista e PS në 12 qarqe pikërisht faktin se kreu i PS, Edi Rama zgjodhi Qarkun e Vlorës për të qenë i pari në listë si dhe nga do të marrë mandatin e parë të tij si deputetë dhe më pas si kryeministër.

“Ajo që është më e bukura për ne është pikërisht fakti se në krye të listës së Vlorës do të jetë vetë kreu i PS, Edi Rama. Lëvizjet brenda së majtës, janë normale”, shprehet ai.

PASHKË NDOCI KREU I PD, LEZHË

Kreu i Partisë Demokratike në Lezhë, Pashkë Ndoci në një prononcim për gazetën Shqiptarja.com thekson se kjo parti është duke punuar fort që të marrë mandatin e pestë në këtë qark.

Ai e konsideron si një skuadër fituese në 23 qershor atë të Partisë Demokratike në 12 qarqe. “Një skuadër e re që do të synojë të marrë mandatin e 5 në Qarkun e Lezhës. Ky është synimi ynë për këto zgjedhje”, u shpreh ai.

ASTRIT HALILI KREU I PS, ELBASAN

“Lista me emrat e deputetëve që do të garojnë në 23 qershor, është një skuadër fituese, asgjë më tepër”, është komenti i shkurtër i kreut të PS në Elbasan, Astri Halili.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)