"Nuk kemi valë, nuk futemi dot në transmetim" ka dëgjuar drejtori i komunikimit të kreut të PS, Endri Fuga, gazetarët që ankoheshin për atë që po ndodhte. E pas kësaj, asgjë nuk do të ndryshonte. Mikrofonat e kamerat do të spostoheshin nga pajisja e cila bllokonte valët e celularëve, dhe transmetimi do të bëhej më larg. Të gjithë gazetarët e kuptuan këtë. Madje, këtë e kuptuan edhe anëtarët e Asamblesë, të cilët, ishin më të shumtë në numër sesa herët e tjera, edhe për faktin se ishin ftuar edhe kryetarë bashkish apo koordinatorë, sipas strukturave të reja të vendosura nga kjo forcë politike. Dhe në fund të fundit, të gjithë e dinin se kjo ishte një praktikë pune e përhapur shumë kohët e fundit. Edhe mbledhjet e grupit parlamentar të PS, prej disa kohësh bëhen në "konspiracion" të plotë duke mos lejuar daljen e transmetimin e gjithë informacioneve jashtë mbledhjes në kohë reale. "Normalisht është një mbledhje partie. Mbledhja e Asamblesë së PS, kishte një rëndësi të veçantë sepse do të prezantoheshin disa dokumente që kishin të bënin me organizimin e zgjedhjeve, dhe sigurinë e tyre. Kështu që nuk mendoj se pretendimi i zotit Malaj për "diktat" brenda strukturave vetëm se mbyllen valët e telefonit, ka ndonjë problem. Eshtë thjesht një rregull që vendoset në strukturat e kësaj partie, dhe ku mendojmë se çdokush që hyn në një mbledhje të tillë duhet të fikë edhe celularët", thanë burimet zyrtare brenda PS, të cilët nuk duan të flasin me emër, thjesht dhe vetëm për faktin që të mos i japin zë debatit që u bë çështje e rëndësishme edhe në parlament.
Por pikërisht kjo shkaktoi edhe furinë e madhe kur Berisha akuzoi socialistët se janë nën diktatin e Ramës, nisur edhe nga denoncimi i deputetit të PS, Arben Malaj.
PAISJE
Paisja që po përdoret rëndom në PS, nuk është as më shumë as më pak sesa një paisje që bllokon valët e celularëve dhe kështu kontakti me personat e dëshiruar mund të bëhet në një largësi më shumë se 50 metra. Sipas burimeve, në sallën e madhe të ambienteve të Xibrakut ku u zhvillua edhe takimi, ishin vendosur të paktën tre paisje të tilla, meqënëse edhe hapësira ishte e madhe. Paisjet kanë bllokuar të gjitha valët e celularëve. Gjatë kohës që sekretariati ka paraqitur gjithë strategjinë e zgjedhjeve, mënyrën sesi do të ndahen kordinatorët, roli që do të marrin deputetët në fushatë, dhe gjithçka tjetër, nuk ka qenë në dokument të zbardhur. Ka qenë një dokument i prezantuar, i shtruar për pyetje nga anëtarët e asamblesë e mandej i votuar për t'u zbatuar. Vetëm një pyetje ka pasur nga anëtarët e Asamblesë se kush do të merrej me sigurinë e zgjedhjeve, cila ishte mënyra që do të ndiqte PS, dhe si do të ishte organizimi i punëve, një gjë, që ka marrë përgjigje të prerë nga Rama se kjo do të ndodhë në një kohë të dytë. E përgjatë katër orëve, në sallë kanë mbetur të aktivizuar të gjitha këto paisje, duke mos i lejuar as vetë kreut të PS, të komunikojë në chat bbm apo edhe tëitter, një lloj "sporti" prej të cilit vetë Rama e ka shumë të vështirë të ndahet.
"Pas kësaj, të gjithë anëtarët e Asamblesë që kanë dalë nga mbledhja, kanë qenë të hapur për mediat, të cilat i kanë pyetur për specifikime të ndryshme. Askush nuk ka kundërshtuar në asnjë rast, asnjë prej deklaratave dhe mënyrën sesi janë bërë debatet aty brenda, kur në fakt, nuk ka pasur të tilla. Ky do të jetë ndonjë keqkuptim i momentit, por mendojmë se situata të tilla mund të zgjidhen. Jo të gjitha gjërat që diskuton PS, edhe ato që kanë të bëjnë me strategjinë e zgjedhjeve, duhet të dalin patjetër në shesh dhe në publik" deklarojnë zyrtarët e PS.
Ndërkohë, paisjet të cilat janë vendosur prej kohësh në PS dhe në vendet ku zhvillohen aktivitetet, kryejnë jo vetëm këtë funksion, por edhe atë të kapjes së sinjaleve të deklaruara shumë kohë më parë nga PS, që përgjohen jo vetëm selitë e partive politike parlamentare, por edhe selitë diplomatike. Denoncimi nga PS për këtë problematikë, është bërë përpara dy muajve.
DADE
Nuk ka munguar as anëtarja e kryesisë së PS njëherësh nënkryetare e komisionit të Jashtëm Parlamentar Arta Dade që të flasë për përgjimet, bllokimin e celularëve dhe masat që duhen marrë kundër përgjimit. Ajo ka thënë për A1Report se në vendet e zhvilluara mbledhjet zhvillohen pa pasur brenda pajisje telefonike të cilat lihen jashtë. Ajo është e bindur se ka përgjime nga strukturat e qeverisë. “Janë disa struktura që kanë blerë pajisje për të përgjuar. Ka pasur debat në Komisionin e Sigurisë, pasi njërit nga njerëzit më famëkeqë të vitit 1996, i është lënë të përgjojë bizneset. Unë nuk marr vesh nga strukturat elektronike, por shpeshherë telefoni fiks në shtëpi por dhe celularët na dalin hapur. Për rastin në mbledhjen e Asamblesë së PS, mund të them se në fund të fundit po të shohim praktikat e vendeve demokratike celularët lihen jashtë mbledhjes. Përderisa shqiptarët nuk e kuptojnë që duhet fikur celulari, ato duhet të lihen jashtë mbledhjes, ose të përdoren aparatura të cilat nuk e lejojnë përgjimin”, deklaroi deputetja Dade mbrëmë për A1Report.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)