Pika e kontaktit dhe kooperimit mes dy partive ka startuar në zgjedhjet e pjesshme vendore për bashkinë e Korçës, teksa FRD ka dhënë mbështetjen për kandidatin e majtë Sotiraq Filo dhe për më tepër tre ditë para zgjedhjeve numri dy Gazmend Oketa ka qënë përkrah numrit dy të qeverisë, Niko Poleshi në fushatë, në qytetin e Korçës.
Pikërisht mbështetja për kandidatin e PS për bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo shënon dhe “gurin e themelit” për një marrëveshje mes FRD të Topit e PS të Ramës.
Mësohet se menjëherë pasi të mësohet rezultati që pritet fitues në zgjedhjet e ditës së dielë në qytetin juglindor dhe Filo të zërë vend në karriken e lënë bosh nga Peleshi, të fillojë materializimi i bashkëpunimit bashkëqeverisës mes Ramës dhe Topit në nivel qëndror dhe vendor. Mësohet nga burimet afër Topit se deri më tani akordi është arritur në parim për postet e dy zv.ministrave dhe për tre drejtorë, nga të cilët njëri do jetë i Përgjithshëm por që ende nuk është precizuar se për cilat dikastere bëhet fjalë. Bëhet e ditur se menjëherë pas fitores së kandidatit të majtë në qarkun e Korçës, do të ketë një përfshirje të FRD në qeverisjen vendore të kësaj bashkie si dhe në këtë qark, si kontributore e drejtëpërdrejtë në sfidën elektorale përballë PD.
Ndërkohë që mësohet se ka nisur dhe përpilimi i listave për një përfshirje të përkrahësve të PD në administratën qëndrore aty ku është e mundur, për shkak të statusit të nëpunësit civil që e kufizon në numër këtë përfshirje jo vetëm për FRD por dhe për vetë PS dhe aleatët e saj të vegjël. Njëherësh mësohet se përfshirja e FRD në qeverisjen vendore pritet të kalojë kufinjtë e bashkisë apo qarkut të Korçës për t’u shtrirë dhe të ato njësi vendore ku FRD, ka anëtarë të këshillave bashkiake e komunale që janë prurje nga PD, dhe ku mund të garantojë një mbështetje reale.
Pikërisht duke qënë në këto njësi vendore dhe në përbërje të administratës, si dhe në qeverisjen qëndrore, FRD do ketë mundësinë e konsolidimit të një partie të qendrës së djathtë që po kontribuon për ecurinë e vendit drejt BE. Qëndrimi i Ramës për një bashkëpunim me kreun e FRD Bamir Topi ka ardhur pas një përputhjeje të vizionit për integrimin evropian dhe qeverisjen e vendit, por dhe për shkak të peshës specifike që ka FRD, që për më pak se një vit jetë arriti të hyjë në zgjedhje dhe të realizojë një rezultat befasues me mbi 30 mijë vota në rang vendi, pavarësisht se sistemi zgjedhor e penalizoi me mosmarrjen e asnjë mandati deputeti.
PD SULMOI TOPIN QE KUR ISHTE PRESIDENT
Marrëdhëniet e krisura mes PD dhe kreut të FRD Topi filluan që në momentin kur ai ishte President i vendit, për shkak të refuzimit të firmosjes së disa ligjeve e shkarkimeve të pamotivuara si dhe daljen kundër ndryshimeve në Kushtetutë. Berisha e PD e akuzuan Topin se ka votuar për Ramën kryebashkiak më 2011 për të arritur në akuzat për 23 qershorin se u mbështet PS për në pushtet.
Shkrimi u publikua sot (2.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)