TIRANE - Synimi i Partisë Socialiste është që vitin tjetër, 25 vjetorin e saj ta festojë me një anëtarësi prej 150 mijë vetash. Për këtë arsye, e gjithë anëtarësia e PS-së do të rifreskohet, për t’i hapur po ashtu rrugë procesit zgjedhor brenda partisë me anëtarësi të rigjeneruar. Në udhëzimin që Gramoz Ruçi u ka dorëzuar anëtarëve të Asamblesë, thuhet se “duhet të vihen në lëvizje të gjitha forcat aktive për të realizuar objektiva e aksionit për anëtarësimet e reja”.

Aksioni politik i organizimit kombëtar për shtimin dhe rifreskimin e anëtarësisë së partisë do të shoqërohet dhe me riorganizimin e strukturave të Forumit Rinor FRESSH, dhe Forumit të Gruas FGS. Udhëzimi lë për detyrë të evidentohen anëtarët e partisë që janë larguar për arsye të ndryshme, ata që janë aktivë në dy zgjedhjet e fundit, si dhe ata që janë joaktivë për shkak të moshës, vendbanimit, apo ndryshimeve të punës.