PS- Gjylameti: Opozita shpif për të përbaltur imazhin e Policisë së Shtetit


 
TIRANË, 20 Janar/ATSH- I. Vata/-Partia Socialiste ka akuzuar Partinë Demokratike se sulmin ndaj Policisë së Shtetit e ka kthyer në rutinë të punës së saj, për të përbaltur imazhin e policisë, pavarësisht arritjeve dhe sukseseve të saj në luftën kundër krimit.
Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti, në një deklaratë për mediat të martën u shpreh se "Sulmet e Partisë Demokratike ndaj Policisë së Shtetit janë kthyer në sulme të përditshme, pavarësisht aksioneve të suksesshme, të cilat kanë çliruar Lazaratin nga prodhuesit dhe trafikantët e drogës, kanë ulur numrin e aksidenteve rrugore, kanë rritur zbulueshmërinë e krimeve. Ato janë sulme që synojnë të përbaltin imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit, që nuk po bën asgjë tjetër veçse po zbaton ligjin, në mënyrë të barabartë për të gjithë".
"Pushtetarët e djeshëm të rrënimit nuk e kanë sot moralin opozitar për të folur për shtet ligjor e për barazi para ligjit, sidomos në vigjilje të përvjetorit të 21 janarit. Ndërkohë, shqiptarët e kanë ende të freskët se si kishte degraduar Policia e Shtetit për tetë vjet rresht, se si Lazarati sfidonte shtetin, ndërkohë që Shqipëria zhytej në listat e zeza të vendeve që prodhonin e trafikonin drogë", theksoi Gjylameti.
Deputetja e PS-së u shpreh se "Opozita ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet, por Partia Socialiste e inkurajon Policinë e Shtetit për të vazhduar luftën e nisur ndaj krimit, trafikut, informalitetit". /a.ke/
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Reshjet e dëborës zbardhin Elbasanin dhe Voskopojën