TIRANE - Deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi ministrin e Mbrojtjes Arben Imami se ka favorizuar klientët e dikasterit të tij duke praktikuar çmime të ndryshme për të njëjtin mall në shitjen e armatimeve. Gjatë një deklarate për shtyp Braçe pohoi se kjo diferencë në disa raste arrin edhe në 40% të vlerës së mallit, ndërsa dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit shkon në qindra mijëra euro.

“Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, nuk u përgjigj për marrëdhëniet e konsoliduara kontraktuale midis Ministrisë së Mbrojtjes që ai drejton dhe tregtarit serb të armëve listuar në listën e zezë të OKB-së Sllobodan Tesic cila është arsyeja që Arben Imami hesht. Ka pohuar vet dhe me gojën e tij dhe publikisht se në tregtinë e armëve ka vetëm një kusht partnerët të mos jenë në listën zezë të OKB. Eshtë kapur në flagrancë me një marrëdhënie tregtare tamam me njërin nga lista e zezë e OKB. E kuptoj që ministri është në gjendje të rëndë por e ka një zgjidhje të vetme të japë dorëheqjen dhe ta bëjë tani. Deri ne momentin e dorëheqjes ne kemi ende punë me Arben Imamin në mënyrën e administrimit te Ministrisë së Mbrojtjes ndërkohë që i shet Montenegro dhe frends industri 400 dollarë për ton, i shet Unimesko kompani tjetër sebe 750 ton me 370 dollarë për ton. Veçanërisht ata që jetojnë në Poliçan duhet ta kenë vëmendjen sesi shiten armatimet dhe municionet. E gjithë diferenca në çmime nga 305 në 400 në 370 është dëm ekonomik në qindra mijëra dollarë për buxhetin e shtetit dhe përfitim pikërisht për kompaninë klientë të Arben Imamit.”, u shpreh deputeti socialist, Erjon Braçe.

Braçe denoncoi publikisht heshtjen e ministrit Imami, i cili nuk pranon t’i përgjigjet akuzave të ngritura ditët e fundit nga selia rozë për lidhje në tregtinë e armëve me njerëz që janë përfshirë në listën e zezë të OKB-së. Rasti më flagrant është ai trafikantit serb Slobodan Tesiç, i cili sipas Braçes është pritur në vend nga autoritetet tona. Ndërsa pretendimeve të Ministrisë së Mbrojtjes se shitja e armatimeve që nuk përdoren nga Ushtria shqiptarja sjell fitime ndërsa demontimi i tyre përbën një kosto, socialisti Braçe iu përgjigj duke pohuar se në të vërtetë metali i predhave është më i shtrenjtë sesa shitja e predhave të pademontuara.

MINISTRIA E MBROJTJES: KONTRATAT JANE TE LIGJSHME, CMIMET JANE FIKSE

Ministria e Mbrojtjes reagoi sot në lidhje me akuzat e deputetit socialist Erjon Braçe, për abuzime në lidhje me çmimet e armatimeve duke favorizuar klientë të veçantë, duke thënë se shitja e municioneve bazohet në çmime bazë fikse.

“Tregtia e ligjshme e municioneve bazohet në çmime bazë fikse. Çdo shitje me çmim më të lart se çmimi bazë, është vlerë e shtuar. Zoti Braçe ose nuk di të lexojë shifrat ose gënjen. Çmimet e shitjes së municioneve janë rritur gjatë periudhës në fjalë, pavarësisht amortizimit të tyre nga koha. Ministria e Mbrojtjes ka arritur të shesë edhe gryka zjarri që janë skrap, kurse pjesa e mbetur e tyre është shitur si skrap.”, u shpreh zëdhënësja e kësaj ministrie, Lorisa Ylli.  Sipas saj, nga Partia Socialiste po publikohen kontrata të ligjshme të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe se Braçe duhet të përgjigjet para ligjit për publikimin e tyre.

“Deputeti Braçe, në shpërfillje të plotë të ligjit, vijoi me publikimin e kontratave të ligjshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Sigurisht do të përgjigjet para ligjit për shkeljen në flagrancë të tij. Ministria e Mbrojtjes, në pamundësi të publikimit të këtyre kontratave tërësisht ligjore, për shkak të ligjit, garanton opinionin publik se shifrat e publikuara sot janë tërësisht të manipuluara.”, tha zëdhënësja, Lorisa Ylli.
“Shpifja tjetër e radhës se municionet e shitura mund të shiteshin me çmim më të lartë si nënprodukte pas demontimit, është qesharake. Ministria e Mbrojtjes ka ngritur një bord të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë, i cili bën analizën e kostos së demontimit dhe çdo shitje që kryhet bazohet mbi një analizë financiare të detajuar. Për më tepër, asgjësimi i municioneve ka një kosto shumë të lartë, atë të rrezikut për jetën e personelit të angazhuar në këtë proces jetik për vendin.”, vijoi ajo.

Së fundi, ministria e Mbrojtjes deklaroi sot se Partia Socialiste “duhet të kuptojnë që kontratat ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive tregtare nuk mund të përfliten nëpër konferenca shtypi apo faqe gazetash. Ministria e Mbrojtjes është e gatshme të informojë Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Parlament, me dyer të mbyllura, siç e kërkon dhe procedura.”

(Gre.M/Shqiptarja.com)