TIRANE - Ministria e Mbrojtjes është sulmuar sërish me të tjera akuza korruptive nga ana e opozitës. Partia Socialiste përmes deputetit Taulant Balla ka denoncuar shitjen e ish-klubit të sportit “Partizani”, një sipërfaqe prej 33 mijë metrash katrorë, për një shumë prej 100 milionë lekësh, akuzë kjo që i drejtohet ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.

Në një konferencë për shtyp, Balla i ka drejtuar ministrit Imami një seri pyetjesh lidhur me këtë fakt, të cilin ai e cilëson si skandalin e radhës, ndërsa ka insistuar në faktin që e gjithë procedura e privatizimit është e paqartë.

“Kush janë përfaqësuesit e ish pronarëve? Por njëkohësisht Ministria duhet të sqarojnë se vetëm atyre që janë të lidhur me again në pushtet, përfaqësues të pronarëve, mund t’u kthehet një pronë e tillë në qendër të Tiranës”, është shprehur deputeti socialist.

Ai ka theksuar se kjo është vetëm një pjesë asaj masakre që është bërë me pronat publike në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe se në ditët në vazhdim Partia Socialiste do të vijojë të denoncojë të gjitha rastet e evidentuara ku janë në shkelje të plotë të ligjit.

MM: U SHIT NGA INSTITUCIONET PERKATESE NE FAVOR TE ISH PRONAREVE
Ministria e Mbrojtjes reagoi në lidhje me akuzat e ditës së sotme të Partisë Socialiste ku kjo e fundit deklaroi se kreu i ministrisë, Arben Imami ka shitur ish-klubin Partizani me një çmim të papërfillshëm. Nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të saj, Ministria e Mbrojtjes tha se procesi i shitjes së “Partizanit” është realizuar nga institucionet përkatëse të cilat kanë kompetenca për këtë veprim.

Ai sqaron se “ka pasur 10 vendime nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Tiranë, në favor të ish–pronarëve të ndryshëm të trojeve ku kanë qenë të vendosura këto ambiente.”

“Institucionet përkatëse kanë zbatuar këto vendime, duke u njohur të drejtën e parablerjes ish-pronarëve, çka përbën mesa duket dhe shqetësim për deputetin Taulant Balla.”, u shpreh Kulluri.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, foli sot edhe për akuzat e një dite më parë nga deputeti i PS-së Taulant Balla në lidhje me shitjen e pronave ushtarake nga ana e ministrisë me çmime sërish të papërfillshme. Ai tha se deputeti duhet të njohë ligjin në mënyrë që të mos dezinformojë opinioni publik.

(sf/Shqiptarja.com)