TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, në një deklaratë për shtyp solli fakte të reja në lidhje me akuzat, të cilat vijojnë prej disa ditësh ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetë ministrit të saj, Arben Imami se po abuzon e po kryen shkelje duke monopolizuar tregtinë e armëve.

Braçe, edhe sot paraqiti dokumente të reja që implikojnë ministrin Imami në favorizimin e dy kompanive serbo malazeze në shitjen e armatimeve.

Duke paraqitur një tjetër dokument kundër Ministrisë së Mbrojtjes, Erjon Braçe, sqaroi përmbajtjen e tij, duke thënë se kjo ministri ka shitur 200 mijë predha, ku përdoruesi përfundimtar i kësaj sasie, sipas Braçes, është Mali i Zi. “Këtu dalin 2 probleme”, vijon Braçe.

“Nëse është vërtet Mali i Zi përdorues i tyre, atëherë Ministria e Mbrojtjes ka armatosur Malin e Zi me 2 predha për çdo familje”. Kjo sipas deputetit të Partisë Socialiste, është një çështje e sigurisë kombëtare. “Kur armatos me dy predha për familje ka pikëpyetje për Ministrinë e Mbrojtjes për sa i përket politikës së sigurisë kombëtare”, tha Braçe.

Nga ana tjetër, Braçe ngre dyshime mbi vërtetësinë e këtij dokumenti, dhe shton “Nëse nuk është dokument i vërtetë, nëse nuk është Mali i Zi ai që i posedon, shtrohet pyetja: Ku kanë shkuar 200 mijë predha?” Paratë e shitjes të së cilave, sipas Braçes, nuk i përfituan qytetarët.

Një tjetër çështje që deputeti i PS shtroi para mediave ishin edhe kërcënimet e ministrit Imami ndaj ushtarakëve dhe vetë Braçes. “Kërcënimet përkundrejt ushtarakëve do të kthehen në procedime penale për çdo nëpunës, përkundrejt Imamit. Për kërcënimet personale ndaj meje do thoja këtë fjali” Arben Imami nuk vlen më shumë se unë.

BRACE: IMAMI GENJEN, DOKUMENTET S’JANE SEKRET SHTETEROR

Ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami reagoi ndaj akuzave të deputetit Erjon Braçe e kolegëve të tij, duke thënë se publikimi i dokumenteve nga ana e tyre është shkelje pasi përbëjnë një sekret shtetëror. Në lidhje me këtë deklaratë, Braçe tha sot se Imami “gënjen në mënyrë të paturpshme sepse nuk ka dhënë as një provë që këto dokumente janë klasifikuar si sekret shtetëror.

Në provë të fjalës së tij, Braçë bëri një paradë të të gjitha dokumenteve të publikuara prej disa ditësh,duke shfaqur secilin prej tyre para kamerave. Sipas tij, asnjë prej tyre nuk mban siglën e sekretit shtetëror. Ai shton se “këto janë dokumente tregtarë që duhet të ishin të aplikueshme për çdo qytetar, por janë fshehur në mënyrë të qëllimtë”. “Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes se unë po shpif në adresë të kësaj ministrie është gënjeshtër. Unë po flas me dokumente, jam konkret, po them të vërtetën dhe nuk shpif”, u shpreh Braçe.

Sipas tij, “korrupsioni nuk është sekret shtetëror, ai është sekret qeveritar, është sekret privati i Ministrisë së Mbrojtjes, por kurrë sekret shtetëror”.

JA DEKLARATA E PLOTE
Së pari, Ministria e Mbrojtjes jo vetëm dje por gjatë katër ditëve të shkuara është munduar që të ngrejë një alibi në bazë të së cilës qëndron fakti, që dokumentat e publikuara nga unë dhe nga kolegë të tjerë të mijë, janë dokumenta të klasifikuara sekret shtetëror dhe unë në këtë rast po bëj deklasifikimin e tyre duke i publikuar. Ministria e Mbrojtjes gënjen!

Po e përsëris, gënjen dhe gënjen në mënyrë të paturpshme. Gënjen sepse nuk ju ka dhënë asnjë provë që secili nga dokumentat e publikuara nga ne gjatë këtyre ditëve ka qenë i klasifikuar sekret. Kurse unë, përditë ju kam dhënë dokumenta të cilat në asnjë moment s’kanë qenë të klasifikuar sekret shtetëror. Do doja t’jua kaloja shpejt e shpjet në paradë secilin prej dokumentave, me qëllim që secili nga ju të ketë parasysh këtë gënjeshtër të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Dokumenti i parë i publikuar dhe i referohet një urdhri për të prokuruar pajisje ushtarake. Shikojini ekstremitetet e këtij dokumenti. Numrin e protokollit, datën, vitin, titullin e këtij dokumenti. Ka kund siglën e dokument sekret? Natyrisht që jo! Dokumenti i dytë, që është një tjetër urdhër i nënshkruar po prapë nga ministri Imami i publikuar prej nesh, për blerjen e armatimeve, pajisjeve speciale operacionale për SHIU. Urdhëroni, shihni ekstremitet e këtij urdhri, numrin e protokollit, datën titullin. Ka kund sigël sekret shtetëror? Natyrisht që jo! ( Kështu me radhë të gjithë dokumentat e publikuara).

Nuk ka sepse së pari janë urdhra publik të ministrit të mbrojtjes, të cilat duhet të ishin bërë të njohura dhe për opinionin publik, në rast se ajo ministri pretendon se ka standard të sajin transparencën. Natyrisht janë urdhra që bartin paligjshmëri dhe për këtë shkak janë ruajtur, janë fshehur madje ka qenë e qëllimtë varrosja e tyre në raport me dijeninë e opinionit publik. Së dyti, sepse janë dokumenta tregtar, të cilat pothuajse në çdo vend të europës publikohen që në momentin që dalin në ëebsite të tilla publike dhe të aksesueshme për çdo qytetar të atij vendi, apo për çdo të interesi tjetër, media apo gjithçka tjetër që ka të bëj pikërisht me këtë fushë. Edhe këto dokumenta tregtarë janë ruajtur janë fshehur dhe ka qenë e qëllimtë edhe varrosja e tyre, me qëllim që opinioni publik të mos jetë asnjëherë në kontakt me to dhe të ketë dijeni për to.

Nisur nga sa më sipër, dua të rrëzoj me neveri shprehjen dhe deklaratën e ministrit të mbrojtjes, se unë po shpif në adresë pikërisht të kësaj ministrie. Të flasësh me dokumenta nuk do të thotë se shpif. Të flasësh me dokumenta do të thotë të jesh konkret dhe mbi të gjitha të thuash të vërtetën. E vërteta tashmë në Shqipëri për Ministrinë e Mbrojtjes është publike. Korrupsioni nuk është sekret shtetëror. Korrupsioni është sekret qeveritar, në rastin tipik të Ministrisë së Mbrojtjes është sekret privat i ministrit të mbrojtjes, por kurrë sekret shtetëror. Nisur nga sa më sipër, do tu lutesha me shumë përulësi që të mos ta lejoni më Ministrinë e Mbrojtjes të tallet me ju dhe përmes jush me opinionin publik, kur thotë apo kur flet për dokumenta të klasifikuara sekret shtetëror në një kohë kur secili prej tyre nuk është i klasifikuar jo i tillë, por as konfidencial.

Të vijmë tek tema e ditës, që natyrisht është edhe më e rëndësishme. Ministri i mbrojtjes nuk u përgjigj dje ashtu siç nuk është përgjigjur për katër ditë rresht lidhur me një fakt që ka të bëj, apo sjell në vëmendje të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë marrëdhënien e qartë, të fortë midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe dy kompanive serbe. Një marrëdhënie e qartë tregtare me anë të së cilës Ministria e Mbrojtjes ka dorëzuar thuajse të gjithë armatimin, municionin, eksplozivin, mjetet ushtarake në një marrëdhënie tregtare me dy kompani serbe. E para ishte Montenegro Defense Industry dhe e dyta ishte UNIMESCO. Sot do doja t’ju tregoja një dokument shumë të qartë që dëshmon pikërisht këtë marrëdhënie monopolisitike brenda Ministrisë së Mbrojtjes në tregtinë e armëve, municioneve, eksplozivëve dhe natyrisht edhe pajisjeve ushtarake. Ky është dokumenti dhe që mos gënjejnë pas pak minutash po prapë, shiheni ka ndonjë sigël sekret shtetëror këtu? Natyrisht që nuk mund të ketë sepse është pjesë e një inventari të marrëdhënies midis ndërmarrjes së ministrisë MEIKO dhe kompanisë Montenegro Defense. Sipas këtij dokumenti për vitet 2010-2011 ndërmarrja MEIKO ka furnizuar kompaninë Montenegro Defense Industry me 15987 kg amatoll, me 93880 kg tritol TNT, me 9990 copë fishekë 37 milimetra, me 100 copë mitraloz 12.7, me 100 copë mortaja 60 milimetra, me 50 mijë copë predha mortajash 82 milimetra. Pastaj po prapë me 100 mijë copë predha mortajash 82 mijë milimetra, me 24 mijë copë predha mortajash 120 milimetra, 40 copë predha mortajash 40 milimetra, 30 mijë copë të tjera predha mortajash 82 milimetra. Në fund, 4832 copë predha mortajash 120 milimetra. Përfaqësuesi i Montenegro Denfense Industry, njëherësh edhe personi juridik përgjegjës për JUGO Importin, kompaninë shtetërore serbe, është Zoran Damianovic drejtor ekzekutiv.

Do doja t’ju thoja që në të gjitha dokumentat, edhe të autoritet kombëtar të eksporteve, rezulton se përveç një ngarkese që ka shkuar në Kongo, përdoruesi zyrtar i gjithë kësaj ngarkese armatimi është Mali i Zi. Kështu thonë dokumentat. Pikërisht këtu do ndalem për të ngritur dy probleme shumë të rëndësishme. Në rast se dokumentat thonë të vërtetën dhe përdoruesi është shteti fqinjë i vogël me 600 mijë banorë, atëherë duhet të sjell në vëmendjen tuaj se Ministria jonë e Mbrojtjes ka armatosur shtetin fqinjë, Malin e Zi me dy predha për familje. Dy predha për çdo familje në Malin e Zi. Në rastin se kjo është e vërtetë sipas dokumentave zyrtare të cilat thonë këtë, atëherë këtu jemi në një çështje të sigurisë kombëtare. Secili prej shteteve në europë apo edhe më gjerë bën kujdes në marrëdhënie të tilla ushtarake me fqinjët e tij, pavarësisht sesi janë marrëdhëniet e tjera politike, ekonomike dhe më gjerë sesa kaq. Pra bën kujdes. Në kushtet kur kjo Ministria jonë e Mbrojtjes armatos me dy predha për familje, pikërisht Malin e Zi, atëherë këtu ka pikëpyetje të mëdha për përgjegjshmërinë e ministrit të mbrojtjes përsa i përket politikës së sigurisë kombëtare.

Së dyti, në rast se dokumentat zyrtare që ne i disponojmë nuk thonë të vërtetën, pra Mali i Zi nuk është përdoruesi i fundit gjë që bie ndesh me atë që thonë dokumentat zyrtare, pro që është lehtësisht e dyshueshme për shkak se të tilla letra përpilohen sa herë që ka trafik ndërkombëtar armësh dhe municionesh, atëherë këtu shtrohet një pyetje shumë e rëndë për Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, zotin Imami. Ku kanë shkuar 200 mijë predha mortajash? Po ju kujtoj edhe njëherë jemi në vitin 2010 dhe vitin 2011, vitet e armatosjes së regjimeve barbare në Afrikën Veriore. E më pas vitet e konflikteve të përgjakshme të cilat janë në vëmendje të gjithë qytetarëve jo vetëm shqiptar por të të gjithë botës, pikërisht në këto vende të armatosura.

Në fund dua të rrëzoj edhe një nga tezat e djeshme të ministrit Imami, ose më saktë të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tij e gjithë kjo sasi armësh, municioni, eksplozivash e natyrisht edhe pajisjes ushtarake janë plehra pa vlerë të një regjimi të shkuar. Natyrisht më duhet të pranojë që nga pikëpamja ushtarake secila prej këtyre sasive të armatimit nuk vlen për ushtrinë shqiptare më. Por secila prej tyre ka vlerë ekonomike, financiare dhe si e tillë administrohet nga Ministria e Mbrojtjes. Unë nuk mund të pranoj që nga kjo pikëpamje, nga pikëpamja e vlerës së tyre financiare këto janë plehra dhe janë dokumentat e Ministrisë së Mbrojtjes që më shtyjnë të mendoj kështu. Kjo është një kontratë tregtie midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe një kompanie private të huaj natyrisht. Në këtë kontratë tregtie shihini çmimi për copë të secilit prej këtyre produkteve, armë dhe municione, fishekë, predha, predha mortajash, mortaja vetë. 200 dollarë për copë, 300 dollarë për copë, 500 dollarë për copë. Më thoni ka plehra me të tilla vlera ekonomike. Kjo është një tjetër kontratë tregtie dhe kjo nuk është sekret shtetëror. Po prapë midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë Montenegro Defense. Këtu janë zëra të ndryshëm, shihini çmimet. 300 dollarë për copë, 200 dollarë për copë, 450 dollarë për copë. Më thoni, plehra janë këto nga pikëpamja ekonomike dhe financiare?

Kur fola dje fola për një pasuri ekonomike dhe financiare që administrohet nga Minsitria e Mbrojtjes për të cilën kanë dalë vendime Këshillit të Ministrave, kanë dalë vendime të ministrave etj. Në rast se do të ishin plehra dhe nuk do të kishin vlerë ekonomike dhe financiare, natyrisht që nuk do të kishte as vendime qeverie. Fakti është që secila prej tyre ka një çmim dhe në tregun ndërkombëtar, në ato tregje që ju tregova ku shiten dhe ku janë shitur natyrisht që ato vlejnë shumë. Problemi është që paratë nuk i ka përfituar buxheti i Republikës së Shqipërisë, paratë i kanë përfituar klientët e favorizuar serb të Ministrisë së Mbrojtjes.

Për ta mbyllur dhe meqë pas meje do të vijoj përgjigja e Ministrisë së Mbrojtjes e cila ka bërë përmirësime themelore në lexim, do doja t’ju thoja dhe njëherë, se kërcënimet e ministrit të mbrojtjes Arben Imami, natyrisht që i marr si aktrimin e radhës së tij. Kërcënimet përkundrejt ushtarakëve dhe nëpunësve të Ministrisë së Mbrojtjes po ja premtoj që sot, se do të kthehen në procedime penale për çdo emër, për çdo ushtarak dhe për çdo nëpunës kundrejt ministrit Arben Imami. Kurse për kërcënimet personale ndaj meje të përsëritura ën katër ditë rresht, do doja të thoja vetëm këtë fjali: Arben Imami nuk vlen më shumë se unë.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)