TIRANE – Partia Socialiste ka reaguar sërish sot lidhur me miratimin e Planit të ri urbanistik të Tiranës, nga KKT-ja e drejtuar nga Berisha. Sipas Artan Lames, dhëndri i kryeministrit është autori i Raportit të Vlerësimit Mjedisor, pra, konsulenti që do të bëjë oponencën e Planit të hartuar nga Berisha me të vetët.

Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi përmes një njoftimi për shtyp i ka konsideruar të pavërteta fjalët e Lames. Ai ka sqaruar se plani rregullues është rezultat i punës një vjeçare i mbi 80 ekspertëve ndërsa ka shtuar se edhe Lame ka qenë një nga pjesëtarët e Grupit Strategjik duke u bërë një ndër kontribuuesit pasi sugjerimet e tij janë mbajtur shënim dhe janë shqyrtuar gjate hartimit te planit.

8 PYETJET E PS PER BERISHEN E BASHEN
"Plani është i shoqëruar me një raport të vlerësimit mjedisor. Por a e dini se kush është autori i këtij Raporti? Mjafton t’ju paraqes qytetarëve se kush është autori i Vlerësimit Mjedisor të këtij Plani: Prof. Dr. Jamarbër Malltezi. Pra, Jamarbër Malltezi është konsulenti që duhet të bëjë oponencën e Planit që ka hartuar Berisha me të vetët. Ne kemi kërkuar që të bëhet një oponencë ndërkombëtare për këtë Plan, që s’dihet as kush e ka hartuar, e as ku e ka hartuar. Ne nuk themi gjëra në ajër dhe as fjalë në erë, siç qe e mbushur sot Mbledhja e Këshillit vrastar të qytetit. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë gjëra konkrete, gjëra që çdo qytetar ka mundësi t’i verifikojë në hartat e bëra nga vetë bashkia, gjëra që as Lulzim Basha dhe as Sali Berisha nuk i kanë përgënjeshtruar dot."- tha sot Artan Lame, Anëtari i grupit të punës për Programin e PS në një prononcim për median nga selia rozë pas përfundimit të mbledhjes së KKT-së. Sipas PS-së plani i ri lejon fillimin e punës për 500 firma ndërtimi.

"Përfundimisht për parqet dhe lulishtet e dënuara me beton nga Bashkia e Tiranës, edhe kryeministri sot firmosi që të betonizohen. "- tha Lame.

Lame bëri disa pyetje për të cilat kërkon që qoftë kryeministri, qoftë kryetari i bashkisë, të kenë kurajon dhe t’u japin publikisht përgjigje

-A do të ndërtohet sipas këtij plani në parkun mbrapa Pallatit të Kulturës? Kryetari i bashkisë apo Kryeministri duhet të kenë kurajën dhe të dalin përpara qytetarëve dhe të thonë do të ndërtohet apo jo në atë lulishte që vetë sapo e kanë përuruar.

-A do të ndërtohet në parkun e Namazgjasë? Dhe kur them në parkun e Namazgjasë, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e xhamisë. Xhamia është Kali i Trojës për pallatet që do të ndërtohen tek parku i Namazgjasë.

-A do të ndërtohet në gjithë lulishten e gjelbër përgjatë Lanës tek Shtëpia Qendrore e Ushtrisë?

-A do të ndërtohet në fushat e Qytetit Studenti?

-A do të ndërtohen pallate në zonën e shkollës “Kosova”, që të gjitha planet, deri tek më i fundit plan, që u quajt plani zviceran parashikonin zonë shkollore?

-A do të ndërtohen pallate në të vetmin park qytetar lodrash tek “7 Xhuxhat”?

-A do të ndërtohet në zonën sportive poshtë digës së liqenit Artificial?

-A do të ndërtohen pallate në zonën e të vetmit treg të madh të mbetur në qytet, që është tregu në rrugën “5 Maji”?

MALLTEZI: DEKLARATAT E LAMES, TE PAVERTETA
Vetëm pak orë pas deklaratës së Lames ka reaguar me anë të një deklarate të dërguar online dhëndri i Kryeministrit, Jamarbër Malltezi i cili i ka konsideruar deklaratat e Lames të pavërteta. Sipas tij janë parë me syzet partiake. Ai ka sqaruar se plani rregullues është rezultat i punës një vjeçare i mbi 80 ekspertëve që përfaqësojnë ajkën e ekspertizës si dhe palcën e shqetësimit qytetar të Tiranës, të cilët u përfshinë në grupin teknik dhe grupin strategjik për hartimin e planit ndërsa ka shtuar se edhe Z. Lame ka qenë një nga pjesëtarët e Grupit Strategjik duke u bërë një ndër kontribuuesit pasi sugjerimet e tij janë mbajtur shënim dhe janë shqyrtuar gjatë hartimit të planit.

Sipas Malltezit nga pikëpamja mjedisore, Plani ka te mirën e madhe që synon 5-fishimin e sipërfaqeve të gjelbra të Tiranës dhe shpall zonat e ndotura me mbetje të rrezikshme që kërkojnë rehabilitim mjedisor, duke e kthyer Tiranën në një qytet të shëndetshëm. Nëpërmjet këtij njoftimi, Jamarber Malltezi është shprehur gjithashtu se "e sfidojmë z. Lame të tregojë vetëm një Plan Rregullues dhe vetëm një Vlerësim Strategjik Mjedisor që të jenë më gjithëpërfshirëse, të ndershme dhe të diskutuara aq publikisht. I ashtuquajturi Plan Francez për qendrën nuk pati as shënime minimale për dëgjesat publike dhe as Vlerësim Strategjik Mjedisor. Ngjashëm me të edhe plani belg i qendrës nuk pati as dëgjesa të hapura publike dhe as Vlerësim Strategjik Mjedisor.

Redaksia Online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)