TIRANE - Drafti i mbërritur në Kuvend për “Dekoratat, titujt e nderit, medaljet, dhe titujt vendorë në Republikën e Shqipërisë”, ku tashmë dhënia e medaljeve nuk do të jetë më ekskluzivitet i Presidentit, u mirtaua vetëm me votat e mazhorancës, pasi nga grupi i të majtëve vetëm Pandeli Majko votoi pro, Bashkim fino kundër dhe anëtarët e tjerë abstenuan.

Dhënia e dekoratave apo titujve do të bëhet edhe nga kryetarja e Kuvendit, kryeministri,ministrat, kryetari i Gjykatës së Lartë etj. Drafti i heq shoqërisë civile të drejtën të propozojë emra për t'u dekoruar apo marrë tituj nderi. Socialistët në Komisionin e Ligjeve kërkuan që në këtë listë të përfshihen dhe kryetarët e partive, por kërkesa nuk u pranua.

Nga ana tjetër dekorata dhe titujt e nderit do të vijojnë të mbeten ekzluzivitet i Presidentit, pasi konsiderohen si shpërblim për akte të veçanta merite apo trimërie ndaj kombit shqiptar dhe interesave të tij. Ligji parashikon dhe njohjen e titujve dhe dekoratave të dhënë në kohën e komunizmit.

“Dekorata dhe titujt e nderit a jepen apo jo nga Presidenti? Së dyti ju keni një mori emrash me propozim që mund të japin dekorata madje dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë. Mos keni harruar me vetëdije drejtuesit e pushtetit vendor për të propozuar për të dhënë dekorata?

Mos duhej bërë një propozim për dekorata edhe nga kryetarët e partive, të cilët janë një aset i rëndësishëm? Ju thoni që dhe Kuvendi mund të japë medalje me 1/5 e deputetëve”, tha Fino. Ndërkohë që përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë theksoi se vlerësimet që jep Kuvendi nuk janë të njëjta me atë të Presidentit apo dhe pushtetit vendor.

Nënkryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj ngriti shqetësimin lidhur me kriteret që duhet për të dhënë një dekoratë një personi. Ndërkohë që sipas përfaqësuesit vetë dekoratat e kanë të përcaktuar motivin se përse jepen këto tituj nderi, të cilët nëse nuk miratohen, nuk mund të ankimohen në gjykatë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.03.2013

Redaski Online
(b.m/shqiptarja.com)