Ai kandidoi si Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin e mori vetëm 217 vota.
Në këtë mënyrë, Kokëdhima shënoi pikën më të lartë të karrierës së tij brenda PS-së dhe mori një biletë për të bërë atë që më së shumti kishte dëshiruar, të japë ide dhe platforma për ristrukturimin e partisë. Por data 23 e këtij muaji, nuk do të jetë një ogur i mirë për të. Kjo do të jetë data e “shuarjes” politike të tij brenda Partisë Socialiste.
Dje, kryesia e Partisë Socialiste ka thirrur mbledhjen e Asamblesë Kombëtare në 23 dhjetor, të cilës do t’i propozojë shkarkimin e Kokëdhimës dhe zëvendësimin e tij me Stefan Çipën në detyrën e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin. Çipa është aktualisht zëvendës ministër i Brendshëm, dhe për disa kohë ka kryer detyrën partiake të Koordinatorit për Emigracionin.
Arsyet
Burime për Shqiptarja.com bënë me dije se motivacioni me të cilën kryesia e PS-së do t’i drejtohet asamblesë për shkarkimin e Kokëdhimës do të jetë për shkelje të statutit.
Po ku e shkel Kokëdhima statutin e PS-së? Pas humbjes së mandatit të tij të deputetit, Kokëdhima u zëvendësua dhe në postin e tij politik i Koordinator i Vlorës dhe Gjirokastrës, nga Damian Gjiknuri dhe Bledi Çuçi. Ai prej muajsh nuk merr pjesë në mbledhjet e Kryesisë së PS-së, e po ashtu, nuk ka kryer ndonjë mbledhje të sekretariatit që ai drejton.
Ndërkohë, Kokëdhima prej disa javësh, kishte dalë jashtë objektivave të kryesisë, duke bërë lëvizje paralele që gjykohen se kanë dëmtuar Partinë Socialiste. Ai është shprehur kundër disa vendimeve të PS-së dhe e ka sulmuar atë publikisht, ndonjë herë duke përmendur dhe etiketime “parti komuniste” apo “sjellje mafioze”.
Në këto kushte, ai ka shkelur neni 53 të Statutit dhe nenin 4 të Kodit të Etikës së Partisë. Në këtë nen, Kodi e Etikës përcakton se një funksionar i PS-së nuk duhet të marrë vendime arbitrare, sikundërse lëvizja paralele brenda PS-së që po ndërmerr së fundmi Kokëdhima. “ë.Mosabuzimi me funksionin.
Anëtari përfaqësues i partisë në çdo nivel i ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vetëm për qëllimin që ato i janë dhënë nga ligji, Programi dhe Statuti i Partisë. Ai duhet të shmangë përdorimin e funksionit të tij për qëllime, të cilat janë në kundërshtim me ligjin apo bien ndesh me kërkesat e Statutit e të Programit të Partisë. f.Paanshmëria, ndershmëria dhe pavarësia.
Anëtari përfaqësues i partisë në çdo nivel përfaqësimi, në ushtrimin e funksionit të tij duhet të jetë i paanshëm, i drejtë, i arsyeshëm dhe i pavarur. Ai duhet të shmangë çdo veprim arbitrar apo çdo trajtim preferencial, si dhe të jetë i pandikuar nga çdo interes tjetër, personal, politik, familjar dhe shoqëror”,-thuhet në nenin 4 të Kodit të Etikës së PS-së.
Por, edhe shkelja e ligjit që i kushtoi heqjen e mandatit Kokëdhimës, është parashikuar në Kodin e Etikës së PS-së. “Neni 4. Parime të përgjithshme: a.Zbatimi i ligjeve të shtetit.
Anëtari dhe përfaqësuesi i partisë në çdo nivel përfaqësimi, në veprimtarinë e tyre, duhet të zbatojnë ligjet e shtetit si qytetarë por dhe në ushtrimin e kompetencave të tyre si përfaqësues të partisë të zgjedhur apo të emëruar në një detyrë të caktuar”,-thuhet në Kodin e Etikës së PS-së.
Asambleja
Asambleja e PS-së do të mblidhet në 23 dhjetor për të shqyrtuar propozimin e kryesisë së PS-së për zëvendësimin e Kokëdhimës me Çipën. Sipas Statutit të kësaj partie, Sekretariati zgjidhet me votim, sikundërse bëhet dhe zëvendësimi i tij.
Kjo mbledhje do të ketë edhe disa pika të tjera shqyrtimi siç do të jetë një analizë një vjeçare e punës së partisë, si dhe miratimi i një plani pune për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 18 qershorit.
Kryesia ka porositur deputetët dhe koordinatorët që të zhvillojnë takime festive për fundvitin me strukturat lokale, sikundërse ju kanë lënë detyrë deputetëve të ndihmojnë familjet në nevojë në bashkëpunim me bizneset e zonës.
dy.b/shqiptarja.com