Gjatë natës është sulmuar zyra e PS në Librazhd nga persona ende të paidentifikuar. Për ngjarjen ka reaguar kreu i kësaj force politike në këtë qytet, Rrahim Gurra, i cili akuzon deputetin e PD në këtë qytet, Rrahim Çotën për këtë sulm. “Kanë hequr me dhunë tabelën me logon e Rilindjes.

Sulmi është bërë nga vetë deputeti i PD, Rrahim Çota. Do bëjmë padi në Prokurori”, ka thënë Gurra. Por ka qënë i menjëhershëm reagimi i deputetit Taulant Balla që ka akuzuar deputetin dhe ministrin e Mbrojtjes. “Dje në Librazhd zbriti e gjithë Qeveria, PD bashkë me Drejtorinë e Policisë së Elbasanit për heqjen e një baneri në zyrën e PS në Librazhd.

Ne krye të këtij aksioni ishte Ministri i Mbrojtjes Imami, poshtë tij deputeti me emrin Rrahim Çota, nëndrejtori i Policisë Elbasan dhe dy furgona policie të forcave speciale. Baneri ishte i vendosur në zyrën e PS që funksionon si e tillë prej 17 vjetësh”, shpjegon Balla situatën në prifilin e tij në rrjetin social facebook.

“Pas rezistencës së shumë qytetarëve të majtë dhe të djathtë për këtë dhunim të zyrës së PS baneri u hoq gjatë natës në orën 03.30 të mëngjesit nga vetë deputeti me emrin Rrahim. Nuk ishte parë e dëgjuar që një deputet të sulmojë vetë zyrën elektorale të një partie”, akuzon deputeti i PS Balla.

I cili s’ka munguar të bëjë ironi teksa thotë që ndoshta për këtë deputet lejohet sepse në katër vjet nuk ka patur mundësi si të bëhet i njohur dhe ky është rasti që ta njohin. “Partia Socialiste Librazhd do të bëjë padi në Prokurori për dhunim të zyrës së saj nga këta individë. Librazhdin e fyen me këtë veprim të turpshëm ndërsa fitorja e PS në Librazhd u thellua dhe më shumë”, tha Balla.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)