PS-LSI: Të ndërmjetësojë PPE!
Basha:Të ikë Rama,qeveri teknike

PS-LSI: Të ndërmjetësojë PPE!<br />Basha:Të ikë Rama,qeveri teknike
TIRANE-Zgjedhja e Presidentit dhe realizimi i zgjedhjeve kërkojnë praninë e opozitës.

PS dhe LSI arritën sot së bashku një Pakt ku kërkohet ndërhyrja nga jashtë, konkretisht e Partisë Popullore Europiane ku Partia Demokratike është anëtarësuar që të ndërhyjë në zhbllokimin e situatës.

Duke anashkaluar tryezën e Presidentit Nishani për të ulur palët në dialog, Rama dhe Meta në takimin e sotëm që zgjati plot 90 minuta nën praninë e bashkëpunëtorëve të afërt, konkretizuan se, do i drejtohen që sot Presidentit të PPE dhe komisionarit Johanes Hahn që të zhbllokojnë situatën politike ku ndodhet vendi.

"Duke e kuptuar vështirësinë e opozitës për të pasur besim, pasi çështja e mosbesimit është evidente dhe kjo është arsyeja pse dialogu ende nuk ka nisur, kemi vendosur, kemi vendosur që ti drejtohemi zyrtarisht Partise Popullore Europiane ku PD është anëtarë që të asistojë sa më shpejt që të jetë e mundur, në këtë dialog, në mënyrë që ky ngërç të marrë fund sa më shpejt,dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme, drejt integrimit dhe realizimit të gjithë reformave. Dua të theksoj rolin e rëndësishëm që PPE ka luajtur gjatë gjithë kësaj periudhë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë, pavarësisht se cilat forca politike kanë qenë në pushtet. Do i drejtohemi që sot Presidentit të PPE do njoftojmë dhe komisionerin z Hahn, që të interesuar për zhbllokimin e kësaj situate,në mënyrë që procesi i dialogut të nisë sa më shpejt dhe të kemi një klimë tërësisht ndryshe nga kjo e sotmja, dhe në këtë rast dua tju kujtoj të gjithëve sa i fuqishëm është bashkëpunimi dhe toleranca dhe në këto kushte toleranca është decizive", tha Meta.

Basha
Kryetari i PD i është përgjigjur nga çadra e protestës menjëherë paktit të PS-LSI se do i drejtohen PPE-së për të zhbllokuar situatën politike ku ndodhet vendi.

Sipas Bashës koalicioni duhet të zgjidhi punët brenda vetes sepse me PPE ka kush komunikon. Edhe një herë tjetër kreu i PD-së këmbënguli në qeveri teknike. 

"Meqë PS dhe LSI i paskan zgjidh hallet e veta, kërkojeni ku të doni pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje, sa më shumë kohë i vidhni shqiptareve aq më e rendë është për shqiptarët dhe besoj me shpirt se ju do e paguani çmimin. Zgjidhni punët me socialistët tuaj se një pjesë e juaja është e inkriminuar dhe me PPE ka kush flet, nuk zgjidhet me zhage. Rruga për dialog është e hapur për ne, dialogu ka një objektiv qeveri teknike dhe mandati i qeverisë teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Basha.
 
Nga ana tjetër kryedemokrati i ktheu përgjigje dhe kreut të kuvendit Meta që më herë u shpreh se Basha është në situatë mosbesimi. Sipas Bashës në situatë mosbesimi është Rama-Meta dhe qeveria e drejtuar prej tyre. 

"Basha nuk është në situatë mosbesimi, në situatë mosbesimi jeni ju. Është qeveri e inkriminuar dhe duhet të zhduket me rrënjë me kryeministër dhe me ministra. Rrugë tjetër nuk ka dhe nuk ka për të pasur. Kjo për sqarim meqë mbaruan kafen e të dielës sot. Është urgjente themelimi i qeverisë teknike, ti japim me votë kthimit të ekonomisë, me këtë do ia dalim të kthejmë modelin dhe ta ndërtojmë më të mirin në Ballkan dhe ky është zotimi im dhe i PD për shqiptarët por më parët zgjedhje të lira dhe të ndershme", u shpreh kreu i PD-së. 



Ora 14:30 Basha: Dy bashkëudhëheqësit e koalicionit të katastrofës luajtën sot një seri të re të telenovelës së tyre 4 vjeçare
Më pas në rrjetin social Facebook, Basha publikoi një deklaratë ku sipas  tij, ‘dy bashkëudhëheqësit e koalicionit që e ka sjellë Shqipërinë në prag të katastrofës luajtën sot në publik një seri të re të telenovelës së tyre 4 vjeçare’.  Basha më tej sqaron pse sipas tij, duhet ndryshuar me rrënjë qeveria.

"Pasi dy javët e fundit miratuan së bashku një sërë projektesh që grabisin prona, pasuri publike dhe taksat e qytetarëve për llogari të klientëve dhe pasi u bë e qartë për të gjithë se Shqipëria nën qeverisjen e tyre është shndërruar në një laborator gjigand droge, dy bashkëudhëheqësit e koalicionit që e ka sjellë Shqipërinë në prag të katastrofës luajtën sot në publik një seri të re të telenovelës së tyre 4 vjeçare.

Nga qëndrimi i sotëm është e qartë se ata janë të patrazuar dhe të pavetëdijshëm për gjendjen ku ndodhemi dhe arsyet pse kemi arritur këtu. Ata nuk duan ta dinë se ne jemi në krizë për shkak të kriminelëve që Edi Rama solli me vetëdije në krye të vendit dhe vazhdon t’i mbajë aty me mbështetjen e Ilir Metës. Nuk duan ta kuptojnë se ne kemi arritur këtu për shkak të drogës që e ka kthyer Shqipërinë në një shtet të falimentuar, i cili nuk kontrollon dot territorin dhe ekonomia e të cilit sundohet nga droga dhe interesat e drogës. Se jemi në këtë gjendje për shkak të dështimit të qëllimshëm nga Edi Rama të reformës elektorale. Se jemi në këtë gjendje për shkak të shkatërrimit nga Edi Rama të konsensusit të 22 korrikut për reformën në drejtësi dhe miratimit të njëanshëm të ligjeve që e vënë drejtësinë në kontrollin e tij. Se jemi në këtë gjendje për shkak të kriminelëve që po lirohen për ditë, nën presionin direkt të Edi Ramës, dhe që do të përdoren për ta mbajtur Edi Ramën në pushtet duke kapur zgjedhjet.

Nga kjo situatë mund të dilet vetëm me një zgjidhje, e cila këput lidhjet e qeverisë me krimin, pastron Kuvendin dhe shtetin nga kriminelët, parandalon dhe lufton kultivimin e drogës dhe garanton organizimin e paanshëm të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto objektiva nuk mund të përmbushen nga qeveria dhe kryeministri që i shkaktoi në mënyrë të vetëdijshme problemet. Qeveria që kemi është e inkriminuar deri në rrënjë dhe duhet të shkulet me rrënjë, kryeministri e çdo ministër i saj duhet dhe do të largohet.

Zgjidhja e vetme për krizën është qeveria teknike. Çdo përpjekje për ta shmangur zgjidhjen nga qeveria teknike është vjedhje e kohës së shqiptarëve dhe shtim i kostove që gjendja ku jemi po u sjell atyre. Ndaj bashkëudhëheqësit e qeverisë duhet të lënë demagogjitë dhe shfaqjet teatrale për të çorientuar opinion publik dhe duhet të pranojnë dialogun e vërtetë: dialogun për krijimin e qeverisë teknike dhe organizimin prej saj të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme"
.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK me 19 urdhër arreste, masë sigurie për Suel Çelën

Operacioni i SPAK me 19 urdhër arreste, masë sigurie për Suel Çelën