Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një mbledhje me Kryesinë e Grupit Parlamentar.
Mësohet se një ndër porositë e dhëna në mbledhje ka qenë që diskutimet me opozitën në komisionet parlamentare të zhvillohen me tone të qeta. Kujtojmë se nuk kanë munguar përplasjet në Komisionet Hetimore, duke veçuar atë për Zgjedhjet e 25 prillit, ku PD dhe PS nuk kanë mundur të bien dakord as për datën e zhvillimit të mbledhjeve.
Po ashtu në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së u bë me dije se ditën e nesërme, në Konferencën e Kryetarëve, do të paraqitet projekt-buxheti.
Këshilli i Ministrave miratoi më 22 tetor projekt-buxhetin për vitin 2022, që pritet t'i prezantohet Kuvendit e ku parashikohet një rritje rrogash për disa sektore si edhe një rritje e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë.