Një iniciativë që rrinte në sirtarët e Kuvendit që në vitin 2022, është riaktivizuar nga socialistët, të cilët synojnë të korrigjojnë disa aspekte të reformës në drejtësi.

Amendamentet që mbajnë firmën e deputetit Olsi Komicit propozojnë ndryshime në ligjin “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve” dhe “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të cilat duan 84 vota të korrigjohen.

Edhe pse ndryshimet kanë karakter teknik, është hera e parë që Kuvendi synon konsensus për prekjen e reformës.

Nevoja për këto ndërhyrje u shpreh nga vetë institucionet e drejtësisë 3 vjet më parë, por dinamika politike dhe konsulta me ekspertët amerikanë dhe evropianë, shtyu miratimin e tyre.

Një nga ndërhyrjet më kryesore që synohet të arrihet, është forcimi i rregullave se i zgjedhën anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, nga avokatia, shoqëria civile apo bota akademike. Shqetësimi se anëtarët jo magjistratë nuk verifikoheshin para se të bëhen anëtarë të KLP e KLGJ, ku njëri prej tyre zgjidhet edhe drejtues, ishte shprehur në të paktën dy progres raportet e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Amendamenti parashikon që pasuria dhe pastërtia e figurës së kandidatëve të verifikohet më thellësisht nga Avokati i Popullit, duke përfshirë tatimet, prokuroritë dhe institucione të tjera .

Propozimet e socialistëve forcojnë gjithashtu një kompetencë të Prokurorit të Përgjithshëm, mendimi i së cilit duhet të merret në konsideratë nga KLP kur zgjedh drejtuesit e prokurorive.

Nisma parashikon që asnjë gjyqtar apo prokuror që ka marrë një masë disiplinore, nuk mund të vendoset në krye të gjykatave apo prokurorive përkatëse.

Deri sa të kryhet procesi i zgjedhjeve se drejtuesve të rinj, përmes një dispozite kalimtare, kryetarëve aktualë të gjykatave dhe prokurorive, që nuk kanë një emërim të rregullt, do të konsiderohen të zgjedhur për shkak të ligjit deri më 31 dhjetor 2028.

Deputeti propozues, Olsi Komici, ka qenë më herët anëtar i KPK-së, shkallës së parë të vettingut.  Ai thotë në relacion se për amendamentet ka marrë pëlqimin e OPDAT, misioni amerikan pranë drejtësisë, dhe EuroJust, mision i BE-së.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë