PS-PD u mbyllin derën
partive të vogla, jo korrektim

PS-PD u mbyllin derën<br />partive të vogla, jo korrektim<br>
Ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe votimi elektronik nuk janë pjesë e axhendës së komisionit për Reformën Zgjedhore. Atë që paralajmëroi Shqiptarja.com, me anë të një artikull të disa ditëve më parë, është konfirmuar dje nga bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi.

Ky i fundit ka deklaruar se ndryshimi i sistemit zgjedhore, që është kërkesa kryesore dhe e përhershme e të gjitha partive të ashtuquajtura të vogla, përfshirë edhe LSI, nuk është në kompetencë të komisionit për Reformën Zgjedhore. Për ndryshimin e sistemit nuk flet më as Partia Demokratike, çka krijon bindjen për një pakt të heshtur mes dy partive të mëdha, për të mos diskutuar për këtë çështje.

Arsyeja është e thjeshtë. Ndryshimi i sistemit, duke implementuar korrektimin kombëtar të votave, fuqizon të gjitha partitë e vogla, duke dobësuar pozitat e dy partive kryesore. Konkretisht, nëse një parti politike merr 30 mijë vota në të gjithë Shqipërinë dhe për shkak të sistemit dhe pragut nuk merr dot asnjë mandat, me aplikimin e korrektimit kombëtar, partia merr deri në tre vende në parlament. Por, çdo deputet më shumë për partitë e vogla, do të thotë një deputet më pak për PD ose për PS.

"Me çështjen e sistemit nëse duhet ndryshuar apo jo, nuk kemi diskutuar pasi ky është një problem që është tërësisht politik dhe besoj se po nuk pati një vullnet të qartë të shprehur nga forcat politike, sigurisht që ne nuk mund të diskutojmë brenda komisionit”, tha Çuçi. Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi pohoi gjithashtu se edhe mundësia e votimit dhe numërimit elektronik nuk diskutohet më pasi për shkak të pasigurisë kibernetike.

“Në lidhje me përdorimin online të teknologjisë, nuk ka më diskutim se kjo nuk rekomandohet më, si votim online, ashtu edhe numërim online, për shkak të pasigurisë kibernetike”, u shpreh Çuçi. I pyetur për qeverinë anti-mafia, Çuçi është shprehur se, opozita e ka qeverinë antimafia. “Nuk ka qeveri më antimafia se ajo që lufton për jetësimin e reformës në drejtësi”, pohoi Çuçi.

Pakti
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ekspertë të OSBE/ODIHR-it, Këshilli i Evropës, ekspertë të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues dhe ekspertë të BE-së dhe SHBA-ve, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e komisionit dhe të grupit të ekspertëve teknikë.

Dy partitë kryesore kanë rënë gjithashtu dakord që, për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Dy partitë kryesore, ndonëse jo në mënyrë të shkruar, janë dakord për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor. Çështja e ndryshimit të sistemit nuk reflektohet as në dy raportet e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, fakt ky në disfavor të partive të ashtuquajtura të vogla.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kryetarja e OSBE: Shqipëria, progres në luftën kundër korrupsionit

Kryetarja e OSBE: Shqipëria, progres në luftën kundër korrupsionit