TIRANË - Partia Socialiste përshëndeti sot aksionin e INUK për prishjen e ndërtimeve pa leje, që sipas saj, "po u rikthen qytetarëve hapësirën publike".
Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i PS-së, Ervin Bushati u shpreh se "ka ikur koha e ndërtimeve pa leje që zaptonin lulishte, trotuare, apo kënde lojrash".
"Shqiptarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën e një pyetje shumë të rëndësishme: Kush i legalizoi çibanet pa leje në zemër të qyteteve shqiptare, duke e bërë sot më të kushtueshme dhe më të vështirë rikthimin e hapësirës publike tek qytetarët? Përgjigja është e thjeshtë, qeveria e kaluar, e Saliut dhe Lulit, të cilët jo vetëm nxitën ndërtimet pa leje, por edhe legalizuan shumë prej tyre", tha ai.
Sipas Bushatit "ata duhet t'u kërkojnë falje shqiptarëve, pasi jo vetëm në gjithë këto vite kanë nxitur shkeljen dhe abuzimin me ligjin, por edhe sepse aksionin e ndërmarë tani nga INUK, duhet ta kishin bërë ata, vite më parë".
"Mbi të gjitha, nuk duhet të kishin lejuar krimin e legalizimit të kafeneve dhe dyqaneve pa leje në hapësirën publike të qytetarëve", tha Bushati. /ATSH/










