TIRANE- Partia Socialiste organizoi sot forumin për rendin dhe sigurinë në kuadër të javës kushtuar pikërisht rendit dhe sigurisë në vend. Kryetari i PS-së shprehu shqetësimin se krimi sot në Shqipëri ka marrë një turravrap shumë të fuqishëm se shteti zbraspet përditë përpara krimit, dhe qeveria e ka humbur fuqinë përpara shkaqeve të krimit madje konkuron me të.

Ai premtoi se me të ardhur në pushtet do të ketë “Riorganizim i policisë mbi bazën e një reforme shumëplanëshe. “Ne do t’i japim fund rrjetës merimangash policore, dhe do të ketë vetëm një polici ajo e shtetit shqiptar”- tha Rama

“Partia socialiste, pas 23 qershorit, do të vijë si garant i rendit dhe sigurisë tek cdo qytetarë, nëpërmjet zbatimit të një programi, që ka në thelb të tij interesin e shtetasve dhe jo të pushtetarëv që janë bërë një me krimin”-shtoi ai. Pas një konsultimi me ekspertë të rendit dhe sigurisë, Rama tha se “pas ardhjes në pushtet të PS-së, policia e shtetit do t’i nënshtrohet një risktrukturimi të plotë, duke reduktuar disa struktura dhe duke aktivizuar të tjera”.

Në këtë kuadër Rama premtoi themelimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, e cila do të hetojë krimet e mëdha dhe brenda do të përfshihet policia shkencore, antikrimi kompjuterik dhe mbrojtja e dëshmitarëve si dhe një reformim të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. 

“Do themelohet Byroja kombëtare e hetimit, ndërsa SHKB nga një strukturë e domosdoshme është kthyer në një strukturë famëkeqe dhe presione për shantazhe do kthehet në një gardian të integritetit moral. Me byronë e SHKB do garantojmë një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore dhe shkëputje shumë të shpejtë të lidhjeve të konsoliduara që kompromentojnë punën hetimore. kush është nënuniformën blu nuk duhet të ketë lidhje jo vetëm me krimin, korrupsionin por as me ryshfetin banal."- tha Rama. Ai premtoi gjithashtu dhe rishikimin e gradave të policisë si dhe
paga dinjitoze nga punonjësi i policisë më i thjeshtë deri tek zyrtari më i lartë.

(sg/shqiptarja.com)