TIRANE -Kryetar i Grupit të Punës për Punësimin,  Arbian Mazniku, në një deklaratë për mediat sot tha se dështimi spektakolar i Berishës me punësimin është një ndër arsyet madhore pse s’duhet votuar për të:

“Sot në vazhdën e prezantimit të 100 arsyeve pse Berisha s’duhet votuar më do të prezantojmë dështimin monumental në çështjen e punësimit. 160 mijë vende pune u premtuan nga Sali Berisha dhe qeveria e tij, në programin qeverisës të 2009-ës. Sot është koha për të bërë bilancin. E vërteta? 51.592 shqiptarë kanë humbur vendin e punës që atëherë. Kjo, jo sipas të dhënave tona, por sipas të dhënave të vetë INSAT-it, zullumi është aq i madh sa nuk e kanë mbuluar dot me shifra."- tha Arbian Mazniku.

PS sulmoi qeverinë dhe uljen e fondit për nxitjen e punësimit  "E ka ulur jo vetëm si një përqindje e buxhetit të Ministrisë së Punës, por edhe në vlerë nominale. Ky program në vitin e fundit të raportuar, ka punësuar 719 veta. 719 shqiptarë prej ushtrisë me 1 milion të papunë. Vetëm 1 çdo 1390 të papunë.  Sali Berisha nuk duhet votuar më, sepse përtej çdo dyshimi dështoi në punësimin e shqiptarëve.”- tha Mazniku.
(ar.sh/shqiptarja.com)