TIRANE - Partia Socialiste ka vlerësuar raportin pozitiv të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti. Depuetja Evis Kushi tha se ky raport është vlerësimi i dytë pozitiv pas atij të Standard & Poor’s, për punën e qeverisë dhe më konkretisht i marrëveshjes me FMN.

“Pas studimit pozitiv të “Standard & Poor’s” një tjetër sinjal pozitiv ka ardhur nga raporti i tremujorit të parër të vitit nga Banka e SHqipërisë. Sipas këtij raporti treguesi i ndjesisë ekonomike është përmirësuar. Në raport thuhet se është rritur besimi i konsumatorëve dhe investitorëve që nga tetori 2013 e deri më tani. Ky besim vjen si rrjedhojë e punës dhe masave të qeverisë. Në sektorin e ndërtimit është përmirësuar me 13,9%, sektori i shërbimeve me 10%. Besimi në sektorin e tregtisë jo vetëm është rritur këtë tremujor, por qëndron 5,2% më lart se mesatarja afatgjatë. Këto tregues, krijojnë një klimë të re optimiste, falë edhe marrëveshjes me FMN.” tha deputetja Kushi. 

Deputetja e PS, Kushi ndër të tjera u shpreh se të hënën do të prezantohet paketa e re për prodhuesit fasonë, e cila sipas Kushit do të garantojë më shumë siguri, punësim dhe eksporte.

Ja fjala e plotë e deputetes Evis Kushi në daljen për shtyp:

Pas studimit të kompanisë së njohur ndërkombëtare në fushën e financave Standard and Poors, që e nxori ekonominë shqiptare nga niveli negativ dhe e klasifikoi në nivel të qëndrueshëm, një tjetër sinjal pozitiv vjen nga raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2014. 

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, në tre mujorin e parë të këtij viti, treguesi i ndjesisë ekonomikë është përmirësuar ndjeshëm. Vlen për tu theksuar se besimi i biznesit dhe konsumatorëve, sipas studimit të Bankës së Shqipërisë, ka nisur trendin pozitiv që tetorin e vitit 2013, duke u përmirësuar muaj pas muaji.

Rritja e besimit në ekonominë shqiptare përkon me fillimin e punës së qeverisë së re dhe masat e marra për të nxitur prodhimin vendas, shlyer borxhet dhe injektuar para në ekonomi. Rritja e besimit muaj pas muaji ka ndodhur në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në sektorin e industrisë u përmirësua me 4,2% këtë tremujor. Në sektorin e ndërtimit është përmirësuar me 13,9%, sektori i shërbimeve me 10%. Besimi në sektorin e tregtisë jo vetëm është rritur këtë tremujor, por qëndron 5,2% më lart se mesatarja afatgjatë.

Të gjithë këto tregues provojnë qartë klimën e re optimiste që mbizotëron në ekonominë shqiptare. Një klimë e re që vjen si rezultat i marrëveshjes së qeverisë shqiptare me FMN, falë të cilës po shlyhen borxhet e akumuluara nga qeveria e mëparshme dhe po nxitet zhvillimi ekonomik.

Një tjetër hap i rëndësishëm pritet të ndërmerret nga qeveria shqiptare ditën e hënë, kur do të prezantohet paketa e re për prodhuesit fasonë. Ne e mirëpresim këtë paketë që do të japë më shumë siguri për prodhuesit fasonë, do të rrisë punësimin, shtojë eksportet dhe nxisë edhe më tej prodhimin.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)