TIRANE - Në konventën e socialistëve, deputetë dhe drejtues të saj kanë prezantuar në emër të grupeve të punës të gjitha piketat e programit socialist për qeverisjen e ardhshme. Deputeti Saimir Tahiri është shprehur për kthimin e sigurisë tek qytetarët dhe policisë në shërbim të komunitetit.

Deputeti Bushati tha se suksesi me i fundit e ka emrin Kroacia që dënoi korrupsionin. Ai nënvizoi nevojën e “reformimit të shërbimit shtetëror diplomatik, duke e ndarë nga sëmundjet e partisë-shtet Shqipëria evropiane është projekti i vetëm i thellimit të kursit të politikës konstruktive evropiane.

Projekti nënkupton cilësinë e komunikimit të lirë duke respektuar tërësinë territoriale të shteteve ku shqiptarët jetojnë”. Krerët e bashkive, Dako, Gjika, Sejdini dhe Peleshi gjatë referimit të tyre parashtruan arritjen gjatë drejtimit të bashkive më të mëdha ne vend si dhe planin për të ardhmen.

Kryebashkiakët e Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Korçës theksuan se qeverisja socialiste është me efiçente. Ndërsa sipas sekretarit të organizimit Blendi Klosi infrastruktura rrugore ka tre dimensione, dimensioni politik, rrugët nuk shihen si mjete lidhëse, por si ambient kur pritet shirita edhe merren vota.

“Ambienti korruptiv, rrugët shihen si ambient për të vjedhur më shumë tendera. Së treti, institucione të paafta. Çka ndodh për shka të politizimit, dhe shkallës së lartë të korrupsionit dhe mungesës së kontrollit, sot investimet por kryhen pa kontrolle duke shtuar borxhin publik”, tha Klosi.

Ku sipas tij do të investohet në infrastrukturë, me cilësi për të mbrojtur qytetarët nga aksidentet por dhe automjetet e tyre. “Të mos shohim vetëm Shqipërinë industriale, por dhe atë turistike. Dhe infrastruktura është një nga arsyet pse duhet votuar PS", tha Klosi.

Ndërsa Balla nuk ka munguar të shprehet se qeverisja e ardhshme e PS do të luftojë korrupsioni, abuzimin me pushtetin. Deputeti socialist, Besnik Baraj shprehu shqetësimin për humbjen e specieve të rralla të biodiversitetit. Ai tha se në qeverisjen e socialistëve do ndërpritet importi i plehrave dhe eksporti i lëndëve drusore.

Ndërkohë që Mimi Kodheli nënvizoi faktin se beteja kryesore e qeverisjes së ardhshme është ulja e borxhit, i cili është sa trefishi i të ardhurave tatimore. “Ne do fitojmë dhe pse na duhet të realizojmë një program të uljes së borxhit në bashkëpunim me FMN.

Do marrim hapa seriozë për uljen e borxhit dhe rritjen ekonomike”, tha Kodheli. Ndërsa Artan Lame tha se të gjitha agjencitë e pronave do të mblidhen në një të vetme. “Do përfundojë procesi i legalizimeve, do themelojmë regjistrin e pronave”, tha ai.

Shkëlqim Cani tha se PS premton hapjen e 300 mijë vendeve pune brenda mandatit të parë dhe krijimin e Bankës Bujqësore për kreditimin me lehtësi të fermerëve. Ndërsa për ish të përndjekurit politikë, Keti Bazhdari ka nënvizuar se do ketë dëmshpërblim moral e material për të përndjekurit politike, ku nën qeverisjen e PS do të marrë fund hipokrizia mbi 20 vjeçare me këtë shtresë të munduar.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com

Redaksia Online
(b.m/shqiptraja.com)