Arben Ahmetaj, sekretar për sipërmarrjen në Partinë Socialiste ka shpjeguar për mediat se janë disa faktorë që kanë çuar sistemin energjitik në këtë pikë të vështirë, si keqmenaxhimi e rritja e borxheve. Nëpërmjet këtij prononcimi Ahmetaj tha se qeveria Rama do të liberalizojë tregun e shpërndarjes.
“ Situata në sektorin energjetik vazhdon të përkeqësohet, për shkak të rritjes së borxheve zinxhir nga njëra kompani tek tjetra. Ka një pikëpyetje shumë serioze mbi buxhetin e shtetit për atë që do të ndodhi në vjeshtë. Dhe e dyta që është po kaq serioze, ka të bëjë me situatën në kaskadën e Drinit. Është detyrë emergjente e institucioneve të përfshira që të ruajnë nivelin e kaskadës së Drinit sot, dhe do të ruajnë një ekuilibër jashtëzakonisht të monitoruar në mënyrë të përditshme midis asaj që importohet dhe asaj që eksportohet”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj ka akuzuar qeverinë Berisha se të gjitha vendimet që ndërmerr kanë qëllimin e vetëm për ëe penguar punën e Partisë Socialiste, e ta bëjë atë sa më të vështirë.
“Sali Berisha dhe sot duke ikur kërkon që t’i lëjë qeverisë së re një rrugë të minuar në energjitik, në rrugë të minuar në financa, një rrugë të minuar në investimet publike dhe një rrugë të minuar në marrëdhënie me partnerët tanë ndërkombëtar”, përfundoi deputeti i zgjedhur i PS Arben Ahmetaj.
Sa i takon auditimit të financave, proces ky i cili është paralajmëruar edhe nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama me parë, Ahmetaj tha se institucionet shqiptare në bashkëpunim me ato ndërkombëtare do të auditojnë financat e vendit edhe pse rolin primar do ta luajnë institucionet e huaja.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)