TIRANË - Pas deklaratës së bërë pak më parë nga Albcontol se punësimi i “korrierit të parave të pista” siç e quan PD, implikon ekzekutivin e Partisë Demokratike dhe jo Kryeministrin Rama, ka reaguar dhe Partia Socialiste përmes deputetes Vasilika Hysi.

Në deklaratën e saj për mediat deputetja e Partise Socialiste, Hysi e ka konsideruar reagimin e menjëhershëm të AlbControl si provë evidente e përbaltjes të sukseseve të qeverisë aktuale nga ana e Partisë Demokratike.
 
Sipas deputetes Hysi, për rastin e Erjon Bojaxhi, nëse ajo që ka pohuar koordinatorja e PD Silvi Bardhi është e vërtetë atëherë “është skandaloze që qeveria e Partisë Demokratike të ketë punësuar pikërisht në Rinas, një person që ajo vetë paska ndaluar për trafik, po në Rinas”.
 
Sipas deputetes Hysi akuzat e sotme të bëra nga Partia Demokratike kanë për përgjegjës vetë qeverinë Berisha.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetes së Partisë Socialiste, Vasilika Hysi.

Ja çfarë tha sot Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj:
Në vitin 2009, Erjon Bojaxhi u ndalua nga policia në Rinas pasi po tentonte të nxirrte nga Shqipëria 200 mijë euro, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë. Një sasi e madhe parash me burim kriminal, e cila nuk mund të transferohej në llogari të sigurta jashtë përmes bankave. Bojaxhi ishte një korrier që e bënte shpesh këtë punë. Çfarë mendoni se ka ndodhur me të arrestuarin nga policia në vitin 2009 në Rinas me këtë shumë të madhe parash? Ai është bërë kontrollor në Rinas.

Por menjëherë pas deklaratës së opozitës, Albacontrol ka reaguar duke zbardhur kontratën e punës të personit në fjalë, e cila rezulton të jetë e lidhur në datën 3 shtator 2012, kur në qeverisje ishte vetë Partia Demokratike dhe Kryeministër ishte Sali Berisha.

Sigurisht që çdo shqiptar e ka të qartë se opozita është angazhuar prej muajsh të hedhë baltë mbi qeverinë dhe sukseset e saj. Por sërish, balta bie mbi vetë Partinë Demokratike.

Nëse gjithçka që sot doli nga goja e zëdhënëses së Partisë Demokratike është e vërtetë, atëherë është me të vërtet e turpshme ajo që ka ndodhur. Është skandaloze që qeveria e Partisë Demokratike të ketë punësuar pikërisht në Rinas, një person që ajo vetë paska ndaluar për trafik, po në Rinas.

Fatkeqësisht PD mesa duket gërmon në oborrin e pushtetit të saj për të nxjerrë baltën e përditshme të sulmit ndaj Qeverisë.

Kështu, nëse janë të vërteta ato që lexoi sot zëdhënësja e PD, atëherë edhe të gjitha akuzat që bëri bien thjesht e vetëm mbi pushtetin e deridjeshëm ekzekutiv të PD.

Turpi mbetet mbi PD dhe fatkeqësia i mbetet çdo qytetari shqiptar që meriton të ketë një opozitë e cila të flasë për problemet e njerëzve, e jo të jetë një problem më vete për ta.

Qartazi, siç e tregoi dhe e tha edhe vetë zëdhënësja e Partisë Demokratike, për qeverisjen e shkuar të Partisë Demokratike, nuk kishte rendësi profesionalizmi në punë, pasi vendet ziheshin nga zanatçinjtë e krimit!
 
Redaksia Online
(e.n/shqiptarja.com)