TIRANE - "Nëse duam integrimin e Shqipërisë në BE, le të votojmë paketën e kompromisit një orë e më parë, pa i ngatërruar tre ligjet me amnistinë fiskale". Ky ka qënë reagimi i menjëhershëm i deputetes Vasilika Hysi, ndaj njoftimit të Kryeministrisë se Berisha ka kërkuar mbledhjen jashtë radhe të Kuvendit për të votuar tre ligjet, duke përfshirë në to edhe amnistinë fiskale.

Miratimi i tre ligjeve u ra dakord nga Berisha me gjithë kompromisi e ofruar nga opozita që ato të hyjnë në fuqi me konstituimin e Parlamentit te ri. "Por, nëse Sali Berisha e ka seriozisht këtë votim", - tha Hysi, - "atëherë Komisioni i Ligjeve duhet mbledhur një orë e më parë për të dakordësuar draftet, që më pas Parlamenti do të duhet të votojë.

Dëshiroj të theksoj se Partia Socialiste është e gatshme t'i votojë të tre ligjet vetëm nëse pala tjetër e pranon kompromisin e ofruar nga opozita. I votojmë të tre ligjet, nëse pala tjetër, është dakord që këto tre ligje të hyjnë në fuqi vetëm pas konstituimit të Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Sali Berishës për ta mbajtur çështjen e integrimit europian larg fushatës elektorale. Të mos e ngatërrojë votimin e tre ligjeve me premtimet e tjera elektorale. Nëse duam integrimin e Shqipërisë në BE, le të votojmë paketën e kompromisit një orë e më parë, pa i ngatërruar tre ligjet me amnistinë fiskale", - theksoi Hysi.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)