PS: Vetting-u në Kushtetuese?
Nuk na frenon t’a miratojmë

PS: Vetting-u në Kushtetuese?<br />Nuk na frenon t’a miratojmë
Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i ligjeve pjesë të Reformës në Drejtësi, nuk do t’a frenojë maxhorancën t’i miratojë me ose pa opozitën. Në intervistën e saj për ‘Report Tv’, ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Ermonela Felaj garanton se nuk do të krijohet asnjë ngërç me zbatimin e Reformës në Drejtësi edhe nëse demokratët shkojnë në dyert e Gjykatës Kushtetuese.

"Fakti që opozita mëse një herë ka ngritur pretendimin që për ligje të caktuara do të shkojnë në gjykatën kushtetuese nuk besoj që kjo duhet të përbëjë një merak për të mos realizuar në kohën e duhur të gjithë atë çfarë kërkohet nga ne për të realizuar ose nga komisioni i posaçëm i reformës në drejtësi. Ajo është zgjedhje e opozitës le të shohim si do t’i ushtrojë opozita këto. Nuk do të krijohet asnjë ngërç. Fakti që opozita kërkon të punojë me një shpejtësi të ndryshme me atë të cilën kërkon të punojë qeveria nuk ka për tu bërë pengesë në realizimin e një reforme kaq të rëndësishme", është shprehur Felaj.

Ministrja përgënjeshtroi dhe argumentat e PD-së për të braktisur komisionin e Reformës në Drejtësi.

"Po i referohem ligjit të vetingut sepse është shembulli më i pastër për t’u kuptuar. Një pjesë e gjërave që opozita kërkoi u integruan në përmbajtjen e ligjit, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë që do kërkojë opozita domosdoshmërisht të reflektohet dhe nëse nuk reflektohet atëherë të thuhet që nuk ka qenë tolerante mazhoranca ose të marrë kuptim pretendimi tjetër që dëgjova që ç’kuptim ka që ne të vemi në komision e reformës në drejtësi sa kohë që nuk realizohen gjërat tona. Absolutisht që ka pasur vullnet për t’i dëgjuar, për t’i shkuar deri në fund debatit dhe për t’i kthyer përgjigje çdonjërit prej pretendimeve që ka pasur opozita në atë rast", tha ministrja.

Për shkak të kohës që i është dhënë opozitës për të ndryshuar konsensualisht ligjet, të përfunduara një herë nga maxhoranca, rrezikohen afate kushtetuese sipas ministres. I tillë ishte rasti I këshillit ët emërimeve në drejtësi, për të cilat dhe presidenti ashtu dhe kuvendi u detyruan të shkelin afatet.

Ndërkaq për një tjetër nismë, për të cilën opozita ka deklaruar votën kundër, atë të importit të plehrave, Felaj garanton se nuk do të ketë asnjë rrezik.

"Mbetje të tilla si kartoni, kanoçet dhe plastika. Ky lloj importi natyrisht jo kaq thjeshtë, por me një procedurë tepër të rreptë të mbikëqyrjes dhe të realizimit të këtij procesi nga ana dokumentare dhe institucionale të mundet të lejohet kjo. Nuk kemi një rikthim në variantin që ka pasur opozita kur ishte në mazhorancë, sepse ajo parashikonte që edhe mbetje të rrezikshme të mund importoheshin në Shqipëri. Ndryshimi që është bërë nuk sjell absolutisht asnjë lloj rreziku", tha Felaj.

Ligji për importin e mbetjeve do të votohet të enjten në seancë plenare.

(d.b/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Dhuna dhe kaosi në Kuvend, PS depoziton në Parlament kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD

Dhuna dhe kaosi në Kuvend, PS depoziton në Parlament kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD