Pse Basha dhe Berisha janë peng i njëri-tjetrit!?

Pse Basha dhe Berisha janë peng i njëri-tjetrit!?

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Një politikan i mirë duhet t’i përballë kohërat dhe duhet të dijë realisht të jetë përgjegjës për vendimet e tij. Për fat të keq, ky nuk është rasti i njerëzve, të cilët synojnë të kenë sot monopolin e drejtimit të Partisë Demokratike. Lulzim Basha nuk di të sqarojë asgjë thelbësisht për Berishën dhe politikën e tij veç sloganit të Shtatorit 2021 kur mori verdiktin për ta shmangur nga Grupi Parlamentar dhe ditët e fundit me ngjarjet e hidhura të 8 Janarit. Berisha nuk di të thotë asgjë veç një shfajësimi të lehtë se ishte faji i tij, që e zgjodhi dhe ia lehtësoi udhën Bashës në krye të PD-së. Dhe, kuptohet ditët e fundit edhe se: kreu aktual i Partisë Demokratike është peng i kryeministrit aktual Edi Rama. Këtë hapësirë, mbas ngjarjeve të hidhura të 8 Janarit, e mbushin ofendimet e dy krerëve Blu dhe sidomos gjuha e taborëve të militantëve, që nuk po kuptojnë një gjë të thjeshtë: Fati i mirë dhe i keq i Basha-Berishës është se janë të lidhur me njëri-tjetrin pazgjidhshmërisht. Kjo është arsyeja që nga pjesa e Aleatëve po u bëhet ftesë që të kandidojnë me kandidatë të përbashkët dhe ta lenë kinse luftën e tyre, e cila është kthyer në batërdi te militantët dhe ka përfunduar deri me… anti-mitingje.

Koha tregoi se Sali Berisha nuk mund të ishte pjesë e një historie të vërtetë të Partisë Demokratike, pasi e çoi në zgrip të humnerës një parti për të cilën kanë kontribuar qindra, mijëra demokratë dhe shqiptarë të thjeshtë ngado vendit dhe jashtë tij. Mjaftoi një trandje dhe ai e shkalafiti partinë sikur të ishte asgjë. Pamjet e 8 Janarit dhe urdhrat e tij verbalë, të dhënë live në çdo media, e treguan realisht se mbi interesat e tij nuk ka asgjë tjetër. Keqardhje për masën e politikanëve që e shoqëruan dhe që tani pas privacioneve nuk po dinë realisht udhën e tyre.

Basha, nga ana tjetër, e tejkaloi çdo masë në sjelljen ndaj mentorit dhe ndaj njeriut që i hapi udhë një karriere bajagi të begatë për interesa në politikë. Një pyetje e thjeshtë është dhe të drejtohet nga çdo njeri pro-Basha: Çdo të bënte gjithkush në këtë post, apo ti vetë po të ishte aty? Me siguri pak ose aspak. Premisat e një qëndrimi politik dhe e staturës duken që në fillim dhe nuk mund të modifikohen udhës. Basha është rasti më i mirë për këtë. Tashmë duket shumë fals.

Dhe, çfarë e bashkon Basha-Berishën: Duket qartë aseti PD. Është një aset i madh politik, moral dhe po aq material. Kryetari aktual Basha është i përfolur shumë nga kolegë të partisë, nga njerëz të ndryshëm që ka përfituar si pakkush personalisht por edhe të afërm, madje edhe gjatë kohës së opozitës. Një paradoks kur mendon se është pikërisht ky moment, kur opozita varfërohet në logjikën e tranzicioneve shqiptare, ashtu edhe si ka ndodhur realisht me PD-në. Berisha nga ana tjetër akuzohet por asnjëherë çështja e tij nuk u thellua nga Drejtësia shqiptare për pasurim dhe korrupsion, kuptohet kur ishte në pozicione drejtuese në këtë parti. Shpallja “non-grata” nga SHBA u shoqërua edhe me një përshkrim të arsyes së këtij verdikti nga DASH-i, ku dominon korrupsioni, e fakti, që Berisha i kërkon më kot provat nga një autoritet që i jep llogari vetëm vetes së tij, duket hipotetik.

Basha-Berishën i bashkon shumë edhe ajo që ndodhi më “21 Janar” dhe po i kënaqen Drejtësisë sonë që 10 vite më vonë nuk ka asnjë njeri pas hekurave. Berisha si kryeministër dhe Basha si Ministër i Brendshëm duhet të kishin pasur penalitet. Bash nga ai ku do përcaktoheshin standardet e Drejtësisë sonë….Do ishte rrëfimi i Bamir Topit në faktin se Berisha e përdori Bashën si korrier për të sabotuar hetimet e prokurorisë për zbardhjen e krimit të 21 Janarit, që të sqaroheshin gjërat live. Vetëm ditët e fundit Basha megjithëse e akuzoi hapur Berishën për këtë ngjarje, por pastaj do sqaronte se: “Nuk tërheq asnjë deklaratë. Punë e madhe se është e pabesueshme kjo për gazetarët. 21 janari ishte përpjekje e Edi Ramës për t’u imponuar me një grup gangsterësh pas videos së Metës me qëllim që të krijonte trazira dhe të merrte pushtetin. Gjuha që përdori Berisha pas ngjarjes…Ti thua i vrau Berisha? Jo mor zotëri. Ka pasur procese për atë çështje. Janë dënuar njerëz. Unë kam folur për gjuhën e Berishës pas 21 janarit”, shtoi ai duke e mjegulluar sërish gjithçka. Kurse, përgjigjja e Berishës ishte se nuk e dinte se ku kishte qenë Basha gjatë orëve të protestës dhe në momentet, gjatë dhe pas vrasjeve. Madje u shty edhe më tutje: Ai ishte gati të akuzonte Bashën si pjesë e puçit imagjinar bashkë me Ina Ramën, Bamir Topin, Edi Ramën dhe disa gazetarë, po… të vazhdonte rrëfimin Basha.

Keqardhja është se Basha dhe Berisha ende s’po kuptojnë, më saktë nuk duan të kuptojnë të keqen që i kanë bërë jo thjesht PD-së, por të gjithë politikës shqiptare me amalgamën e bindjeve, kaosin e mendimeve dhe manipulimet ndaj pasuesve të tyre. Ndërkohë që ashtu si ndodh me dy njerëz përgjejës në akte të njëjta, ata duket se nuk mund të bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Basha kurrë nuk dha justifikime për gabimet e veta apo të bënte Mea Culpa-t e veta para strukturave pas 25 prillit, sepse kryetari real Berisha ia la të gjitha në dorë, deri kur më Shtator gjërat plasën keqazi.

Sido që të ndodhë, ata nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, tek e fundit, janë sërish njësoj: përfitues të PD-së dhe aspak gjenerues të demokracisë. Edhe në ofendime nuk bëjnë dot pa e ndihur njëri-tjetrin. Nuk ka justifikim më të mirë para pasuesve të cilët presin ndryshim sesa të harxhosh kohë me armiq, pengje, hajdutë, brava…. Ndaj nuk dëgjon ndonjë justifikim real pse është katandisur kështu PD-ja apo pse ata vetë nuk e dinë se çfarë do të thotë dorëheqje. Çërçilli, në ato trandje personale që pati në Angli, gjithsesi, la një aksiomë të madhe për profesionin e politikanit:” Një politikan duhet të ketë aftësinë për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe ndoshta edhe vitin e ardhshëm. Dhe për të pasur aftësinë më pas për të shpjeguar si duhet pse nuk ndodhi ashtu”. Ky nuk është rasti i PD-së dhe i krerëve të saj, që vazhdimisht improvizojnë…për të mbajtur njëri-tjetrin.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?