Pse ka çnjohje të Kosovës dhe cilat janë pasojat?

Pse ka çnjohje të Kosovës dhe cilat janë pasojat?

Flamuri i Kosovës

Përgjatë 15 vjetëve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Qeveria në Beograd pretendon se 27 vende e kanë tërhequr njohjen e kësaj pavarësie.

Çnjohjet janë “akte të çrregullta ndërkombëtare”, të cilat kanë pasoja të shumëfishta për Kosovën, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Gëzim Visoka.

Më 16 janar, kryediplomati i Togos, Robert Dussey, bëri të ditur tërheqjen e njohjes së Kosovës, gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.Sipas pretendimeve të Beogradit zyrtar, Togoja - shtet në Afrikën Perëndimore - nuk qëndron e vetme në këtë aspekt.

Në fillim të këtij muaji, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi edhe nëntë shtete të tjera, për të cilat tha se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Për cilat shtete pretendon Serbia se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës?

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë lidhur me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Në çfarë rastesh mund të ketë çnjohje?

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, i cilëson çnjohjet e pavarësisë si “akte të çrregullta ndërkombëtare”, që, siç thotë, nuk janë të rregulluara mirë në të drejtën ndërkombëtare, “prandaj lënë hapësirë edhe për dyshime, keqkuptime, por edhe manipulime”. Sipas tij, tërheqja e njohjes së pavarësisë së një vendi ka kuptim vetëm në rastet kur kanë ndryshuar rrethanat që nga njohja e pavarësisë - për shembull kur një shtet bashkohet me një tjetër ose e humb territorin.

Por, në rastin e Togos, Visoka thotë se arsyet që janë përmendur në deklaratën e njohjes - si konstatimi i vitit 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar - nuk kanë ndryshuar. Për këtë arsye, ai beson se çnjohjet e tilla janë pasojë e fushatës së palës serbe.

“Në esencë, çnjohja nuk vjen si vullnet i vendit çnjohës, por vjen si produkt i presionit nga ish-shteti amë ose bazë, i cili e përdor çnjohjen si instrument për ta shantazhuar, nënvlerësuar dhe dëmtuar shtetin e ri ose shtetin që përballet me çnjohje”, thotë Visoka për REL-in.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një prej mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, shtator 2021.

Togoja e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2014, gjatë kohës sa ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës ka qenë Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryediplomati aktual i Togos, Robert Dussey, ka ofruar mbështetje për kandidaturën e Hoxhajt në zgjedhjet e vitit 2021 për kryeministër të Kosovës.

Hoxhaj thotë se nuk ka pasur kontakte me Dusseyn pas vitit 2021, ndërsa fajëson Qeverinë e Kosovës për, siç thotë, tërheqjet e njohjeve.

“Në dy vjetët e fundit, Kosova nuk po zhvillon fare komunikim diplomatik, as vizita bilaterale, në një kohë kur Serbia po bën një fushatë të ndyrë kundër Kosovës. Prandaj, edhe tërheqja e njohjeve po ndodh”, thotë Hoxhaj për REL-in.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të hënën se çnjohja e Kosovës nga Togoja “ka ndodhur në vitin 2019”, ndërsa diplomatët kosovarë i kanë intensifikuar takimet me homologët e tyre që vijnë nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Serbia, me vite, ka qenë e angazhuar në fushatë për t’i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, që ta tërheqin atë.

Një moratorium njëvjeçar mbi këtë fushatë ka qenë pjesë e një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Uashington në shtator të vitit 2020.

Më herët, ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ka thënë se qëllimi i Beogradit është që numri i vendeve që e njohin Kosovën, të bjerë nën gjysmën e anëtarëve të OKB-së, përkatësisht nën 193.

MPJD e Kosovës ka të publikuar në ueb-faqen e saj një listë prej 117 shtetesh, për të cilat thotë se e kanë njohur Kosovën - në mesin e tyre figuron edhe Togoja.

Visoka thotë se vendet me demokraci të zhvilluar dhe me traditë në diplomaci, nuk e përdorin praktikën e çnjohjeve, dhe përmend si shembull qasjen e shteteve perëndimore në raport me Iranin, të cilit nuk ia kanë tërhequr njohjen, përkundër mosmarrëveshjeve.

“Në shumicën e rasteve, çnjohjet ndodhin prej rreth 15-20 shteteve që janë kryesisht vende post-koloniale, të cilat nuk kanë traditë të gjatë diplomatike dhe njihen për politikë të ndryshueshme të jashtme, të cilën e ndërrojnë varësisht prej ndihmës financiare, ekonomike, bile edhe ushtarake, që marrin prej fuqive rajonale ose ndërkombëtare”, thotë Visoka.

Sipas tij, kjo është pikërisht arsyeja përse Egjipti nuk e ka zyrtarizuar çnjohjen për Kosovën, por vetëm “e ka ngrirë atë”. Megjithatë, edhe ngrirja e marrëdhënieve mund të sjellë pasoja, sipas Visokës.

“Ngrirja e njohjes është si akt që dërgon sinjale, aty bën pazare pastaj, sepse procesi mund të kthehet ose të devijojë tutje”, thotë ai, duke shtuar se këto çnjohje, pastaj, përdoren për ta shantazhuar palën kosovare për të bërë kompromise në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Flamujt e Kosovës dhe Izraelit të vendosur pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës. Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Kosovën.

Çfarë pasojash ka çnjohja?

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Visoka, beson se Serbia nisi fushatën për çnjohje në vitin 2017, për t’i bërë presion Kosovës në një kohë kur refuzohej zbatimi i Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ajo ka qenë, në njëfarë forme, agresion diplomatik dhe presion i Serbisë, që po e kthen prapë si vegël diplomatike për t’i treguar Kosovës që nëse nuk bën lëshime ose kompromis, ne jemi në gjendje t’ju tërheqim njohje, t’ju zvogëlojmë hapësirën ndërkombëtare dhe t’jua bëjmë të pamundur ekzistimin si shtet i pavarur”, thotë Visoka.

Kosova hedh poshtë pretendimet e Vuçiqit për tërheqje të njohjeve

Njohjet mbeten sfidë për Kosovën edhe 10 vjet pas pavarësisë

Deputeti nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se Kosova rrezikon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, pasi që, siç thotë, njohjet përkthehen në vota pro anëtarësimit të Kosovës.

“Kjo është një goditje e madhe ndaj sovranitetit të Kosovës, është një fushatë e egër e Serbisë, e cila po ndodh në nivele të ndryshme dhe është koha e fundit që Qeveria [e kryeministrit Albin] Kurti ta mbledhë veten, ta hartojë një plan veprimi, një strategji, dhe të lëvizë kudo që Serbia pretendon se mund të ketë çnjohje të reja dhe t’i parandalojë këto çnjohje të reja”, thotë Hoxhaj.

Visoka thotë se çnjohjet mund të kenë edhe efekt të masës.

“Sa më shumë çnjohje që ndodhin, aq më shumë do të vijnë. Kjo është e keqja, e kanë njëfarë efekti të topthit të borës - kur fillon ky proces, mund të devijojë edhe në drejtime të padëshirueshme”, përfundon Visoka.

Pavarësia e Kosovës

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, gati një dekadë pas përfundmit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Gati gjysma e mbi 100 shteteve që e kanë njohur Kosovën, e kanë marrë këtë vendim në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina. Nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.

Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, në shkurt të vitit 2021.

Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike

Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa Serbia, tash për tash, kundërshton./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK (VIDEO)

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK (VIDEO)