Kriza energjetike me të cilën po përballet Kosova po bëhet edhe më e komplikuar nga një industri në lulëzim si ajo e prodhimit të kriptomonedhave. Autoritetet kanë miratuar masa emergjente për energjinë dhe në kuadër të këtyre masave, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi pajisjet me të cilat prodhohen ato, kërkojnë konsum të madh të energjisë elektrike.
Vendi ka luftuar me një krizë energjetike javët e fundit, ku është e vështirë për të përmbushur kërkesën me furnizim që kërkon vendi duke e detyruar qeverinë të importojë më shumë se 40 % të energjisë së saj dhe ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë. Ndërsa çmimet e energjisë janë rritur në Evropë, Kosovës i është dashur të zbatojë ndërprerje të vazhdueshme për të menaxhuar furnizimin me energji të vendit.
Roli që luajnë ‘minierat’ e prodhimit të kriptomonedhave në Kosovë
Për prodhimin e kriptomonedhës Bitcoin, kompjuterët që funksionojnë si "makina minierash” lidhen me internetin për të verifikuar transaksionet midis përdoruesve të kriptomonedhave në mbarë botën. Kjo është shumë fitimprurëse, por ana negative e gjithë kësaj: procesi konsumon sasi të mëdha energjie.
Në vitet e fundit, Kosova është kthyer në një “minierë” të kriptomonedhave, veçanërisht në veri të vendit, që është i dominuar nga serbët dhe refuzojnë të njohin autoritetin e qeverisë së Kosovë.
Për 22 vitet e fundit, banorët në veri të Kosovës kanë paguar pak ose aspak për energji elektrike për shkak të vështirësive që autoritetet qendrore kanë pasur për të integruar rajonin në pjesën tjetër të republikës. Kjo gjë e bëri jashtëzakonisht tërheqës për ata që duan të pasurohen shpejt përmes prodhimit të kriptovalutave.
Një aktivist në Kosovë, i cili dëshiron të mbetet anonim dhe është i njohur me vendimmarrjen e qeverisë, tha se "ne jemi në mes të një krize energjetike, kështu që ndalimi ka kuptim praktik".
Megjithatë masat e reja që ka marrë qeveria do të trajtojnë edhe çështjen problematike të vjedhjes së energjisë.
“Serbët në veri të Kosovës kanë përdorur sasi masive të energjisë për të prodhuar kriptomonedha, kështu që masa e qeverisë ka për qëllim gjithashtu ta adresojë këtë problematikë”, tha aktivisti duke folur për TRT World.
Dr. Shyqyri Haxha nga Universiteti Royal Holloway në Londër dhe një studiues në Departamentin e Inxhinierisë Elektronike ka dyzimet e tij lidhur me këtë nisëm të re të ndërmarrë nga qeveria e Kosovës.
"Sa i përket energjisë së rinovueshme, kjo mund të jetë një masë pozitive. Kështu që qeveria e Kosovës ndoshta nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta bënte këtë," thotë Haxha.
Haxha, i cili ka ndjekur zhvillimin e prodhimit të kriptomonedhave në Kosovë, tha se ajo “nuk ka ndikuar në rritjen ekonomike”
“Në veri të Kosovës ku qeveria ushtron kontroll të kufizuar dhe ku thuhet se prodhohet pjesa më e madhe e kriptovalutave, qeveria ka shpenzuar miliona për subvencionimin e energjisë elektrike”, thotë Haxha duke folur për TRT World.
"Kosova është një vend me qeveri të re dhe për fat të keq nuk ka shumë ekspertë për adresimin e kësaj problematike. Vendi madje ka qenë i papërgatitur për krizën energjetike. Të ndalosh diçka është shumë e lehtë, por e rëndësishme është të dish se çfarë të bëhet më pas", shton Haxha.
Cili ka qenë reagimi?
Pas njoftimit për ndalimin e kriptomonedhave, qeveria e Kosovës tha se do të përdorte shërbimet e inteligjencës dhe forcat policore për të vënë në zbatim rregullat e reja.
Disa argumentuan se qeveria duhet të zbatojë ligjin në lidhje me konsumin e paligjshëm të energjisë dhe jo të merret me ndalimin e prodhimit të kriptomonedhave që është një aktivitet i ligjshëm në Kosovë.
"Qeveria nuk mund të ndalojë një aktivitet që nuk është as i përcaktuar apo rregulluar siç duhet me ligj," tha një kritik pas njoftimit të qeverisë.
Të tjerë mbrojtën qeverinë lidhur me krizën energjetike që po kalon vendi.
"Në një kohë kur kemi një krizë energjetike në Kosovë, ndalimi i prodhimit të Bitcoin-it që konsumon energji të madhe është i nevojshëm. Si mund të ndërpritet furnizimi me energji për familjet dhe të lejohen të prodhohen bitcoins pavarësisht nëse ata e paguajnë apo jo faturën e energjisë elektrike" tha një përdorues në internet.