Pse Kurti s’firmos ‘Ohrin’, për t’i lënë ‘kopilin në derë’ Vuçiçit?!

Pse Kurti s’firmos ‘Ohrin’, për t’i lënë ‘kopilin në derë’ Vuçiçit?!

Vuçiç

Që Aleksandër Vuçiç nuk ka asnjë dëshirë dhe as nuk ka për ta firmosur marrëveshjen e Ohrit, me gjithë anekset se saj që janë kthyer në kryesore tashmë, është një lajm që dihet, s’ka gjë të re.

Nuk ka si e përkthen ndryshe as Albin Kurti dhe as mbështetësit e tij, në qeverisje, diasporë dhe mbi të gjitha grupet ‘patriotike’ të rrjeteve sociale, deklaratën e Vuçiç se ‘vetëm i vdekur e njeh Kosovën si shtet më vete’. Eshtë në google, youtube e kudo një deklaratë e tillë, me zë e figurë.

Marrëveshja që ka brenda dhe njohjen e Kosovës nga Serbia por dhe asociacionin e komunave serbe në Veriun e Kosovës, nuk firmoset as nga presidenti aktual i Serbisë dhe as nga të tjerët që do vijnë pas tij. Jo se e kanë bindje që Kosova vazhdon të jetë pjesë e territorit të Serbisë sikurse e kanë në Kushtetutën serbe, apo se mund të rikthehet ndonjë ditë sikurse bëjnë prapagandë sot e gjithë ditën liderët dhe partitë politike në çdo cep të territorit serb. Nuk është kjo.

Madje të gjithë në Serbi janë të bindur se Kosova është humbur që në hedhjen e parë të bombave të NATO-s mbi Serbi në fillim të vitit 1999, dhe është konsoliduar vit pas viti kjo bindje teksa janë ballafaquar me investimin miliarda dollarësh që SHBA, BE dhe Britania kanë bërë për 24 vite me radhë në Kosovë, ndjeshmërinë që kanë aleatët sa herë që Beogradi bën ndonjë ‘test’ force sikurse u pa më 24 shtator.

E dinë se dhe sikur të çmendet udhëheqësia e Kosovës ndonjëherë dhe ia afron me duart e veta Kosovën në ‘tepsi’ Serbisë, janë partnerët tanë ndërkombëtarë që nuk e lëshojnë. Eshtë e mbyllur kjo punë, tjetër se si rrjedh propaganda në të dy anët e kufirit Serbi-Kosovë, thjeshtë dhe vetëm për përfitime elektorale. Pasi në këto dy vende, ende nacionalizmi ‘shet’, ende ka ‘heronj’.

Që të rikthehemi tek argumenti, të gjithë janë të bindur se Serbia nuk e firmos marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pasi nuk e njeh shtetin e Kosovës. Dhe këtu nuk guxon asnjë lider politik në Serbi që të cedojë, pasi do të ballafaqohet me humbjen e mbështetjes në elektoratin respektiv dhe për pasojë largimin nga pushteti dhe shuarjen si parti politike.

Kemi parë shumë parti apo liderë politikë në Serbi, që vetëm sepse kanë bërë deklarata dhe kanë thënë të vërtetat se Serbia e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën, tashmë janë zhdukur nga ‘qarkullimi’, u është harruar dhe emri. Kanë dalë nga sistemi.

Por teksa shohim sjelljen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atyre që e mbështesin në linjën politike të tij, na habit fakti se përse ai vepron kundër logjikës politike apo më saktë është në anën e kundërt dhe të logjikës së një fëmije, qoftë dhe i llastuar. Arrijmë në këtë përfundim, kur shohim në pamje të parë tërë zhvillimin e përplasjeve dhe konflikteve që kanë ndodhur deri më tani në Veriun e Kosovës, por dhe në përplasjen me partnerët ndërkombëtarë, SHBA, BE e Britani. Pa përjashtuar këtu përplasjen me shtetin amë, Shqipërinë, dhe kryeministrin Edi Rama.

Kurti dihet se ka qënë dhe është kundër firmosjes së marrëveshjes së Ohrit, pavarësisht deklaratave verbale të tij që atë ditë në Ohër se ishte gati për të hedhur firmën. E ka një linjë politike të konsoliduar daljen kundër asociacionit të komunave serbe në veri, apo siç e quan “Zajednica”. Më këtë terminologji Kurti ngriti lëvizjen Vetëvendosja, e shndërroi atë në parti politike opozitare me të njejtin emër, sulmoi kundërshtarët politike, hodhi gaz lotësjellës në sallën e parlamentit, hodhi me mijëra vezë e mjete të tjera rrethanore në fytyrën e kundërshtarëve politike, dhe në fund erdhi dhe në pushtet ku po qeveris sipas Statutit të Vetëvendosjes.

Nga njëra anë thotë se është gati të firmosë marrëveshjen, madje bëri dhe ‘shakara’ të tilla në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, teksa deklaroi se i kishte thënë kryeministres serbe Brnabiç që ta firmosnin bashkë marrëveshjen bazë të Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ta kryenin këtë punë.

Pavarësisht se e dinte si dreqi se këto punë nuk bëheshin në këtë Samit, të mbledhur për tjetër gjë, dhe këto punë nuk ‘bëhen në këmbë” dhe mbi të gjitha, marrëveshjen nuk mund ta firmoste me ‘magazinieren’ e qeverisë, teksa ‘kapoja’ Aleksandër Vuçiç ishte në Kinë, krah Putin dhe Xi. Ndoshta Kurti di paralajmërimin e pesë Shteteve Quint’it, ku përfshihen Amerika, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, të cilë pas zbarkimit në Prishtinë, do japin ultimatumin për firmën në marrëveshjen e Ohrit, me detyrim-përcaktim dhe me afat limit të shkurtër. Dhe në Beograd! Dhe ‘starti’ fillon më 21 tetor, dhe disa ditë duhen, për të filluar numërimi mbrapsht!

Këto janë ‘batuta’ të Albinit kur tenton të bëjë ironi, dhe që vinin menjëherë pas deklaratës së Abazoviç që i tha Ramës “ku je babai i Kombit”. Shqiptar nga malësia e Krujës është në origjinë Abazioviç e sikurse ia dinë ‘numrin e këmbës’ atij, ia di dhe Dritani ‘numrin e këmbës’ Albinit. Ndaj di ku ta prekë dhe tallet me të, me fiksimin e Albinit si ‘lider i shqiptarisë’!

Dhe Albini, duke u ndjerë komod në tërë kuptimin e fjalës, teksa e di ‘ujë’ se Vuçiç por dhe ai që mund të vijë pas Vuçiç nuk do ta nënshkruajë sa të jenë gjallë marrëveshjen e Ohrit, sepse ka brenda njohjen nga Serbia të shtetit të Kosovës, gjë që nuk e imagjinojnë, pse nuk bën si i zgjuar Albini dhe të deklarojë, para të gjitha mediave dhe duke qënë në ndonjë takim të rëndësish këtë fjali: ‘Ma sillni atë marrëveshjen e Ohrit, ta firmos’. Dhe ta firmosë faqe për faqe!

E themi këtë sepse marrëveshja nuk do të gjejë zbatim asnjëherë, pra as zbatimi i ngritjes së asociacionit të Komunave të Kosovës, pasi marrëveshja duhet nënshkruar dhe nga pala tjetër, Aleksandër Vuçiç, që të marrë jetë e të zbatohet. Ndaj quhet marrëveshje mes palëve. Me një firmë nuk ka asnjë mundësi të implementohet.

Pse nuk e nënshkruan Kurti këtë marrëveshje në mënyrë të njëanshme dhe t’ia lërë ‘kopilin në derë” Vuçiç dhe Serbisë, duke dalë përballë ndërkombëtarëve si një lider që mban fjalën e dhënë në takimin e Ohrit kur deklaroi verbalisht se është gati të firmosë, ndërsa Vuçiçit kishte nisur dhe i ‘dhimbte krahu’, pasi e dinte që atëherë se ajo nuk zbatohet.

Të imitojë të pakten Albini kryesuesin e takimit të Rambujesë, liderin e UÇK Hashim Thaçin, të cilit të njejtën gjë i thanë aleatët tanë SHBA dhe BE në atë kohë: Të hedhë firmën në këtë marrëveshje. Dhe ata e dinin se Milosheviçi do të refuzonte. Thaçi si i zgjuar që ishte, pasi bindi komandantët në terren mbi rëndësinë e kësaj firme, firmosi Rambujenë në mënyrë të njëanshme. Të gjithë e dinë pastaj refuzimin e Serbisë, ‘shiun’ e bombave të NATO-s që ranë në Beograd, çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, që e gëzojnë dhe sot shqiptarët e Kosovës, por që u është kthyer në makth nga papërgjegjshmëria e klasës politike qeverisëse aktuale. Të bëhet njëherë “Hashim” dhe Albin Kurti, jemi të bindur se do t’i dalë më mirë me situatën.

Refuzimin për firmosjen e marrëveshjes së Ohrit nuk kuptojnë aleatët sidomos SHBA, që ia ka thënë hapur Kurtit dhe Osmanit këtë skemën e firmosjes së njëanshme. Ndaj janë acaruar deri në pabesueshmëri me kryeministrin e Kosovës. Se nuk e dinë përse ulet në nivelin e Serbisë duke refuzuar sikurse Vuçiç marrëveshjen, ndonëse janë të informuar se në masën 100% se Vuçiç nuk e nënshkruan. Aleatët janë habitur se përse s’përfiton Kosova nga avantazhi i ‘dhënë’ nga Serbia, pse s’bën të mirin Kurti, për t’ia lënë barrën e përgjegjësisë Vuçiçit si dhe ndërkombëtarëve, të cilët do dinë vetë të veprojnë në këtë rast, teksa do kenë firmën e Kurtit në marrëveshjen e Ohrit.

Madje janë të habitur dhe me faktin se për shkak të kokëfortësisë së Kurtit për të mos nënshkruar një marrëveshje, e cila dihet se s’firmoset nga pala tjetër dhe për pasojë as nuk zbatohet, Kosova ballafaqohet me sanksionimin nga BE, pezullimin e financimeve e granteve deri paralajmërimin për pezullimin e heqjes së vizave, siç ndodhi një ditë më parë nga ana e presidentit francez Macron. I cili tha se partnerët e mbajtën fjalën, ndërsa klasa politike në qeverisje e Kosovës jo. Megjithëse kjo i volit Kurtit ndoshta, pasi gjeti një “armik’ të ri, Macron, për t’u marrë me të por dhe për t’ua lëshuar ‘patriotëve’ të rrjeteve sociale që të merren me të.

Në të gjitha gjuhët liderët në qeverisjen e Kosovës konsiderohen të pabesë dhe besëprerë. Nga ana diplomatike, quhet mungesë serioziteti me një dëm shumë të madh, cënimin e besueshmërisë në raport me partnerët, Pra nuk të konsiderojnë një partner serioz, dhe kjo është një anë negative dhe për udhëheqësit e një shteti të konsoliduar, jo më për një shtet ‘me brekët nëpër këmbë’ si Kosova, që dhe sigurinë e kufijve dhe ekzistencën si shtet, drejtësinë, madje dhe politikën e jashtme e bëjnë ndërkombëtarët. Kjo është specifika e Kosovës, që kur u ngrit si shtet, referuar dhe paketës ‘Ahtisari’që kishte brenda dhe asociacionin e komunave serbe në Veri.

Ndërkohë që këmbëngulja e Kurtit në çështjen e asociacionit, madje dhe bërja e një drafti, qoftë dhe me SHBA për ta paraqitur sipas dëshirës së Albinit, për ta miratuar, mund të sjellë ndoshta revizionimin e planit franko-gjerman, thjeshtë dhe vetëm në një pikë: asociacionin e komunave serbe dhe lënë jashtë njohjen e Kosovës nga Serbia. Pasi gjithnjë marrëveshjet e tjera që vijnë pas refuzimit të së parës janë më pak të volitshme për atë që i refuzon. E ka treguar përvoja botërore një gjë të tillë.

Atëherë pse refuzon Kurti të nënshkruajë në mënyrë qoftë dhe të njëanshme marrëveshjen e Ohrit, që do të rikthente besueshmërinë e aleatëve ndaj klasës politike të Kosovës, qoftë dhe sado vonë të shkojë, duke e ditur se pala serbe nuk do të firmosë dhe për pasojë kjo marrëveshje nuk do të zbatohet?!

Aleatët tanë të mëdhenj, ata që çliruan Kosovën, e bënë shtet dhe tashmë po e mbajnë sërish në këmbë po si shtet, e dinë se përse Kurti refuzon të firmosë “Ohrin”. Nuk janë aq naivë sa i perifrazon Kurti e që përcillet nga Donika e Vjosa dhe në mediat sociale, që të mos kuptojnë se përse kjo klasë qeverisëse nuk firmos një marrëveshje, e cila në mungesë të firmës së Vuçiç i vjen për ‘osh’ dhe vetë Kosovës, ia heq barrën e përgjegjësisë duke e zbarkuar në kurrizin e Beogradit. Dinë dhe ‘ping-pongun’ mes Vuçiç dhe Kurtit për të mbajtur gjallë konfliktin në veri dhe përfituar politikisht. Ndaj e morën situatën në dorë vetë aleatët, shtuan dhe trupat e KFOR.

E vërteta është se Kurti e bën këtë thjeshtë dhe vetëm për të fituar mbështetje në elektoratin e shtetit të Kosovës, por dhe votat e diasporës, për betejat politike të brendshme. E di se mbajtja e tensionit të ndezur rrit numrin e votave për Vetëvendosjen. E bën për t’u paraqitur si një hero në sytë e qytetarëve të Kosovës, për të ‘treguar’ se dhe përballë Serbisë, dhe përballë SHBA, BE e Britanisë, dhe përballë Shqipërisë, Albin Kurti nuk tërhiqet, por qëndron fort për “interesin e Kosovës”, për të mos dhënë veriun e Kosovës. Ndonëse as diskutohet një opsion i tillë.

Megjithëse është e pakuptueshme pse koka e Kurtit është kthyer në një “kuti votimi” që mendon vetëm për vota dhe për pushtet, kur përballë ka një opozitë të vdekur. Që lëviz sipas ritmit dhe vijës melodike politike të vetë Kurtit, dhe ajo e rënë në kurthin e strategjisë së tij. Nuk di si të orientohet, pasi në të gjitha rastet nuk ka një strategji të vetën, por thjeshtë është tërë sy e veshë se çfarë bën kundërshtari përballë. Nuk ka forcë, nuk ka peshë. Nuk ka as ‘Ritmin e rrugës’ por as kapacitetin e paraardhësve për të vendosur dhe mbrojtur kauzën e saj.

Në fund të herës, nëse Kurti vijon në këtë rrugë që ka nisur, thjeshtë duke ‘lëshuar brezin’ për t’u përplasur me ndërkombëtarët dhe me shtetin amë, Shqipërinë, për të bërë si i fortë, ndonëse nuk e merr më njeri seriozisht, themi se votat brenda Kosovës mund t’i fitojë sërish me atë elektorat që ka mbetur në Kosovë, me atë diasporë që voton por nuk e di se çfarë ndodh në Kosovë, por dhe me këtë opozitë të vdekur që ka përballë. Pasi liderët e vërtetë janë në burgun e Hagës dhe me ndihmën e Kurtit dhe aleatëve të tij të dikurshëm në Berlin dhe Paris.

Por ama ajo që do humbë do të jetë Kosova, e cila dhe pa këto mistrecllëqet e Kurtit në këto vite që është kryeministër, ishte të vështirësi për vetë specifikën e ngritjes si shteti më i ri në Evropë, me mbështetjen amerikane në veçanti. Të humbësh dhe këta aleatë dhe të bëhesh i pabesueshëm dhe joserioz në sytë e tyre nuk është thjeshtë mëkat, është krim.

Të imitosh në mënyrë të pakërkuar apo të padetyruar Aleksandër Vuçiç, duke ndarë dhe barrën e përgjegjësisë së konflikteve me të, madje duke marrë barrën më të madhe të kësaj përgjegjësie, ndonjëse ke fituar luftën me Serbinë para 24 viteve është vërtetë krim ndaj Kosovës por dhe maskarallëk. Sepse Vuçiç ‘spërdridhet’ dhe bën sikur kundërshton aleatët perëndimorë, pasi e ka lidhur ‘kalin’e tij dhe të Serbisë në Moskë e Pekin. Ndërsa Albini, thjeshtë i ka hapur derën ‘kalit’ dhe e ka fare pa kapistall, jo më ku ta lidhë. Se për të janë armiq dhe aleatët e mëdhenj që bënë Kosovën, SHBA, BE, Britania, madje dhe Shqipëria. Eshtë tërësisht vetëm. Tani ka mbetur pa mbyllur dhe kufijtë e Kosovës, si Enver Hoxha në vakti, kur mbylli Shqipërinë, e kur dhe duatrokitjet ishte me komandë e shijohej rëndë ‘pavarësia’. Fundja një çikë enverist është Albini.

Unë nuk kam shpresë se Albin Kurti ndryshon ndonjëherë, e kam bindje këtë dhe janë shumë si unë, këtej e andej kufirit. Por s’dua që shpresa të shuhet për qytetarët e Kosovës, që ta mendojnë para se të hedhin votën, për kë të votojnë, për veten apo për Kurtin që vepron sikur është qendra e universit. Kosovën, por të gjitha shtetet e vogla si ka askush në hesap. Janë kusure në xhepat e të mëdhenjve. Rëndësi ka që të mos jemi kusur që u kthehet të tjerëve, në rastin e Kosovës dhe me Kosovën. Se historia e Shqipërisë dhe Kosovës ka treguar se s’na ka llogaritur askush. Ndaj jemi të ndarë në pesë shtete.

Eshtë koha që Kurti të bëjë si i mënçur të paktën, të bëhet pak “Hashim Thaçi” për të mirën e Kosovës. Ndryshe, duhet pritur Hashim Thaçi, ai i vërteti, s’do ta mbajnë pafund në paraburgim në Hagë, duke parë dhe rrëzimin e të gjitha dëshmive kundër tij, hap pas hapi dhe nxjerrë në pah akuzat e stisura ndaj luftës së UÇK. Pasi ai që bëri luftën bën dhe paqen, e ka këtë ‘kartabiankë”.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arburim: 19/10/2023 18:35

    Lumenjtë nuk shkojnë kurrë mbrapsht, andaj as Albinin askush nuk mund ta zmbraps nga idealet e tij per forcimin e shtetit të Kosovës!

    Përgjigju
  • Valboba: 19/10/2023 17:31

    Albiini eshte njishi jo si Edi Rama tradhetsar

    Përgjigju
  • Mia: 19/10/2023 16:31

    Ska nënshkrim të asociacionit edhe nëse serbi nuk e nënshktuan kosovën shtet

    Përgjigju
    • Zhaneta zh ongari: 19/10/2023 20:57

      Kur themi KOSOVA nenkuptojme KURTI DHE kur themi KURTI NENKUPTOJME KOSOVA, KOSOVA, KOSOVA!!!

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës