Pse në demokracinë shqiptare na tregojnë dhimbjen?!

Pse në demokracinë shqiptare na tregojnë dhimbjen?!

Sali Berisha dhe Edi Rama

Në çdo artikulim të kryeministrit Rama kur referohet Sali Berisha dhe formacioni i tij, nënkuptohet se të pret katastrofa. Dhe, nuk është nevoja ta zgjasë, sepse sakaq të jepen një mundësi ndjekje imazhesh dhe përcjelljet grafike që të llahtarisin edhe pse Berisha e ka drejtuar vendin në kohët e shkuara. Vjen Berisha dhe me tam-tamet e tij luftarake dhe retorikën plot me ofendime të sjell ndërmend ato periudha të vështira përleshjesh, që kanë sjellë aq dhunë dhe gati e shpërbënë shtetin. Nuk bie më poshtë Meta, teksa si president e tejkaloi me një gjuhë që nuk i shkonte as edhe zyrtarit më të zakonshëm të shtetit. Duket sikur Shqipërisë i jepet dhimbja si mënyrë jetese. Në socializëm ishte edhe pak më ekzotike, sepse dhimbja na tregohej se gjëndje ngaqë ishim të vetëm kundrejt gjithë “të këqinjve” të botës.

Veçse, sot, gjithnjë e më shumë, sapo përmendet dhimbja në retorikën e politikanëve tanë atëherë ka një stepje. Të vinë sakaq ndërmend imazhet e tmerrshme të viteve ’90 dhe ajo politikë e tmerrshme që ndodhi asokohe, kur hyri në fuqi Terapia e Shokut, misionarët apatikë dhe konfuzë të FMN-së dhe i ndjeri Gramoz Pashko, si personaliteti kryesor që merrej dhe arsyetonte për ekonominë. Mbase nuk është e udhës sqarimi i mëtejshëm sepse kjo i takon historianëve të ekonomisë por kjo mënyrë zhvillimi, që duhet t’i jepte një perspektivë tjetër ekonomive të centralizuara, si ajo jona për t’i përshtatur në udhën e zhvillimit, rezultoi një katastrofë e vërtetë. Të gjithë e mbajnë mend sesi u shpërdorua pasuria kombëtare dhe ndërmarrjet e dikurshme nga çatitë e të cilave dilte tym 24 orë pandërprerje përfunduan në duar të ndryshme, ku ligjin e bënin më “të fortët” dhe më marifetçinjtë. I habitshëm qëndrimi sesa anemik ishte reagimi i FMN-së dhe emisarëve të saj përballë Qeverisë së Stabilitetit të asaj kohe. Katastrofa do të vazhdonte edhe në bujqësi dhe sot cilido mund ta kundrojë kur vjen me aeroplan për në Shqipëri ngastrimin e pasens të tokave dhe shpërndarjen urbane konfuze. E më tej, plaçkitjen që iu bë ish pronave të përbashkëta dhe ndarjet pa sens apo mënyrën sesi do të punohej këtej e tutje toka; paditurinë se ku planifikohej të shiteshin këtej e tutje prodhimet; çfarë banke do t’i mbështeste këtej e tutje prodhimet; shpërndarjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore; me çfarë çmimi dhe çfarë garancie llogaritej. Përgjigja ishte një ngritje supesh. Përhapja e skemave piramidale do të ishte kaq e frikshme saqë shkatërrimi i tyre i pritshëm në vitin 1997 e përplasën krejtësisht ekonominë shqiptare por mbi të gjitha besimin e njerëzve te shteti i tyre. Viti 1997 u bë Viti Zero i ekonomisë shqiptare dhe ndërkohë që Shqipëria pritej të futej me precedencë në integrimet evropiane, tashmë do kthehej vite pas nga ku ishte nisur. Mbase edhe më keq se caku në vitin 1990. Ky lloj zhvillimi krijoi një defiçit tregtar, i cili sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, arrin në gati 25% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (për krahasim, në Greqi, para falimentimit, defiçiti ishte 10% e PBB).

Por të kthehemi në temën tonë: Aversioni ndaj dhimbjes është sot një përballjet më të vështira të demokracisë, qoftë edhe në demokracitë më funksionale. Kjo pasi privacionet ose masat dhe reformat që kërkojnë dhimbje dhe sakrificë nga publiku për pak kohë duhet të imponojnë përfitime afatgjata për shkak të nevojës së politikanëve për t’i mbajtur votuesit të karikuar për zgjedhjet e ardhshme. Dhe, kjo, është jo pak e lodhshme. Në Shqipëri këtë fenomen, ne e hasim shpesh me mënyrën sesi afrohen zakonisht maxhorancat, duke i kërkuar publikut sakrifica në periudha të caktuara në mënyrë për të pasur “përfitime afatgjata”. Aq shumë përsëritet sa është bërë e lodhshme. Por studiuesi amerikan Thomas Carothers tek artikulli i tij na jep rastin e vendit të tij te “Is Democracy the Problem?” (2019): “Tendenca e politikanëve amerikanë për të shmangur çdo reformë fiskale apo ndonjë reformë të tillë ekonomike që përfshin shtrëngim afatshkurtër të rripit është bërë një problem madhor për shëndetin fiskal të Shteteve të Bashkuara. Shumë politikanë flasin për një lojë të mirë në nevojën për shtrëngim buxhetor, por kur vjen shtytja për të shtyrë, zbulojnë se kanë probleme me deficitin. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetmet midis demokracive në paaftësinë e tyre kronike për të shkaktuar dhimbje afatshkurtër për përfitime afatgjata. Shumë shtete demokratike, duke përfshirë Belgjikën, Francën, Italinë dhe Japoninë, kanë luftuar në dekadat e fundit për të shkurtuar buxhetet dhe për të ulur nivelet e larta të borxhit publik. Çështja shqetëson edhe disa demokraci në zhvillim. India nën kryeministrin e saj aktual, për shembull, ka lejuar që deficitet të zgjerohen në mënyra shqetësuese”.

Por, po i njëjti studiues sjell dhe tjetrën: rastin pozitiv të imponimit të planeve shtrënguese në botën në zhvillim gjatë viteve 1990 dhe 2000, ku arrin në përfundimin se demokracitë në përgjithësi kanë bërë më mirë se autokracitë në zbatimin e planeve të tilla. Shembulli i Polonisë, me planin e saj të ashpër por efektiv të masave shtrënguese në vitet 1990 teksa u largua nga sundimi komunist, konsiderohet një shembull pozitiv në anën demokratike. Natyrisht, disa qeveri autokratike veçanërisht të pamëshira në politikat e tyre kanë dëshmuar gjithashtu se janë në gjendje të imponojnë masa të ashpra shtrënguese, duke u mbështetur në aftësinë e tyre për të shtypur kundërshtimet vetëm për ta bërë këtë. Në vitet 1980, për shembull, njeriu i fortë komunist i Rumanisë, Çaushesku, e detyroi vendin në një proces jashtëzakonisht ndëshkues të shlyerjes së borxhit të jashtëm për qëllimin e deklaruar për përmirësimin e shëndetit ekonomik afatgjatë të vendit, shfrytëzojmë referimin e Carothers, por që e dimë sesi përfundoi e gjitha.

Po Shqipëria? Në aspektin ekonomik kemi një kakofoni zërash, që e bëjnë pak të dhimbshme vlerësimin e saj. Por në aspektin historik, ajo që ndodhi me dy partitë kryesore dhe përballjen e tyre pa studim për problemin e pronave, qasjen ndaj bujqësisë dhe të tjerat na kanë treguar një rrugë zhvillimi, ku më shumë është humbur energjia e duhur në vend të kanalizimit në zhvillime afatgjata, që mund të jepnin ndikime pozitive në të gjithë progresin e vendit. Rezultati: viktimat e pafund për pronat dhe ikja masive e shqiptarëve.

Ndërkohë, që sot, në Shqipëri, është parë se qeveria aktuale e Ramës vazhdimisht bën akrobaci në mënyrë të shmangë apo të mëtojë gjoja reformat e mundshme afatshkurtër sepse i duhen votat në fund. Një gjë që Berisha e bëri ndryshe kur ishte në pushtet për të shpëtuar buxhetin e tij, si për shembull me blerjen e ish-Dajtit, duke e privuar kryeqytetin nga një prej simbolikave të veta etj. Nuk po përmendin shumë vende autokratike, që këtë e bëjnë dukshëm sepse mbahen nga populizmi. Por, vendi ynë e sheh në çdo moment përdorimin e dhunës si sfidë, atë që sot në demokraci po bëhet një nga shqetësimet më të mëdha të pushtetarëve, që duan të mbajnë me çdo kusht pushtetin, duke premtuar gjithnjë privime afatshkurtëra, që në plan afatgjatë rezultojnë të dhimbshme për publikun. (Homo Albanicus)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë