Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është vendosur në qendër të kritikave nga opinioni publik sepse zgjodhi një spital privat për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, për heqjen e tëmthit.
Kanë qenë të shumtë komentuesit në rrjetet sociale që kanë reaguar për këtë ndërhyrje. Disa prej tyre e kritikojnë përse ka zgjedhur të operohet në një spital privat. Sipas komenteve, Vjosa Osmani si qytetare ka të drejtë të operohet në një spital privat, por si presidente e Kosovës ka detyrim morak që të operohet në spitalin shtetëror.
“Si qytetare e Republikës së Kosovës ka të drejtë të zgjedhë nëse dëshiron të trajtohet në spitalet private apo publike, por si presidente e ka detyrim moral që të zgjedhë QKUK-në për trajtim para secilit institucion tjetër. Nëse një nga njerëzit kryesor të vendit nuk i beson sistemit publik shëndetësor, atëherë si do t’i besojnë qytetarët?” shkruan dikush.
Vjosa Osmani iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale një ditë më parë. Pas operacionit të Osmanit në spitalin privat pati një deklaratë edhe nga klinika e Kirurgjisë Abdominale të QKUK. Në reagimin e bërë, klinika e ka konsideruar si një injorim ndaj Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ndërhyrjes kirurgjikale të presidentes në një institucion privat.