Pse nuk luftuan afganët?!

Pse nuk luftuan afganët?!

Fillimisht, afganë që kanë luftuar ka më qindra. Afganë që duan lirinë janë shumica. Por në këtë shkrim dua të flas për atë Afganistan apo ata afganë, që u ndjenë të tradhtuar nga elitat e tyre, ata afganë që e lanë të bjerë vendin e tyre të lodhur nga 20 vite pritje e përpjekje para korrupsionit galopant, pasurimit të një grushti të vogël dhe hakmarrjes që erdhi qoftë edhe nga mpirja apo mungesa e shpresës.

Nuk kam qenë kurrë në Afganistan, përveç një ëndrre që kam parë para disa vitesh dhe që e mbaj mend edhe sot me detaje, për habi.

Vendin me shegët më të mira në botë, rrushin fin, pasuritë nëntokësore me ar, depozita litiumi, i rrethuar mes malesh në Azinë Qëndrore dhe Jugore e kam njohur përmes shkrimtarit Khaleid Ossein dhe filmave. Kush ka lexuar “Gjuetarin e Balonave” (i ekranizuar edhe në film) apo “Njëmijë diej vezullues” është i qartë për atë që e pret sot Afganistanin. Me saktë, s’e pret asgjë!

Mariami dhe Laila nuk janë më thjesht personazhe libri, por vajzat e gratë reale të Kabulit e provincave të Afganistanit nën regjimin taleban tani e tutje. Askush nuk është aq i lodhur sa të besojë retorikën paqësore të liderve atje, të cilët kanë hallin e ndonjë embargoje nga bota. Nëse keni ndonjë dyshim, ju kujtoj lajmin e parë që u prodhua dje nga burrat me armë dhe sytë e lyer me laps: të gjitha vajzat nga 14 vjeç deri në 40, që janë të pamartuara, deri në fund të javës do t’u gjendet një burrë.

Shariati ose ligji islamik ka zëvendësuar ligjin shtetëror dhe postblloqet nga dje garantojnë se shoqëria do të rikthehet në rrënjët e saj konservatore. Siç u pa dhe u postua me të njëjtin intensitet si pamjet e papreçedenta me avionin po aq edhe disa pamje ku mbuloheshin me bojë nuset e vitrinave. Ato të rrugës, me burka. Nuk ka më buzëkuq, vitrina jo e jo! Dasmë?!

Ky Afganistan që po shohim në video lajmesh nuk është më një histori librash bestseller, as një film që të trondit dy orë apo një ëndërr që e mban mend.

Bota është e tronditur me dramën humane atje!

Por bota nuk po e beson dot se në këtë dramë kishte një detaj edhe më dramatik, siç është zakonisht në kohë dramash, e vetmja gjë ngushëlluese, shpresa. Shpresa se një vend më i fuqishëm do të ndihmojë. Një aleancë më e fortë do të ndalojë të keqen dhe e mira do triumfojë. Kjo është një dramë pa Amerikën si shpresë dhe nga Amerika si shkak. Për herë të parë Amerika, superfuqia e botës, nuk pushtoi për të vrarë të keqin, nuk ndërhyu për të shpëtuar të mirin, por iku duke parë punën e saj, sepse ndoshta një ditë do të ikte.

Rasti i Afganistanit është fiks si një zemër me dy barkushe. Në njërën shohim dramën njerëzore – lotët e vajzave që kanë postuar në media sociale, kanosjen që i bëhet veçanërisht popullsisë së arsimuar; intelektualëve, shoqerisë civile, grave dhe vajzave – ndërsa në tjetrën është Amerika dhe tërheqja që e nxori blof në sy të botës, siç citoi vetë edhe Joe Biden kur tha: “Nuk ishim të përgatitur që situata do të precipitonte kështu. Kishim marrë garanci nga drejtuesit e lartë atje se talebanët nuk mund të rrëzonin qeverinë”.

Ngado ta rrotullosh këto janë ditë po aq dramatike për emrin e Amerikës. Bota e civilizuar duhet të shqetësohet, ndërsa regjimet fryhen nga krenaria. Kina tallet

Joe Biden do të kujtohet si presidenti që mori vulën e një momenti historik dështak, edhe pse sot është e paqartë te dallosh nëse terheqja ishte më turp sesa nisja e asaj lufte apo administrimi i 20 viteve më tej.

Nëse lëmë anash dhimbjen për afganët dhe gjykojmë pa emocione dhe empati, Amerika i ka dhënë Afganistanit më shumë se kujtdo.

20 vjet investime, pajime dhe liri! Që prej vitit 2001, pas pushtimit amerikan prej sulmit të 11 shtatorit, talebanët ranë nga pushteti qe e kishin marrë në duar në vitet ’96, ’97 nga një qeveri që kish mundur pushtuesit sovjetik.

Pushtim pas pushtimi!

Në 2001 amerikanët ishin shpresa e një jete në liri, pa pushtues, dhe drejt një sistemi politik demokratik. Por a mjaftojne 20 vjet për demokracinë? Jo, dhe çdo student (jo taleban) e di që vendet e pamësuara me lirinë nuk e kanë të lehtë. Vende që kanë dekada që jetojnë nën pushtuesin, mesa duket kur ju vjen çasti i mbramë bëhen pushtuesit e vetes. Kjo duket se ka ngjarë me Afganistanin, jo se jam antropologe.

Afganistani është shëmbëlltyrë e dështimit të vetvetes dhe patern-it të një shoqërie që ka jetuar më shumë me pushtues dhe e pushtuar.

Përtej moskalkulimit amerikan, është fyerje dhe turp tërheqja e presidentit afgan. Ai që jetonte në flori

Pallati presidencial i larë në ar, ndërsa vendi me minimum jetik, është një dëshmi që fatkeqësisht të bën të kuptosh se pse talebanët kanë fituar epërsi dhe e morën vendin pa një të shtënë. Kam lexuar komente deshpëruese qëka që edhe i duan. Njeriu i inatosur e bën edhe këtë. I paarsimuar bën edhe me shumë. Një shoqërie që i kë dhënë vetëm armë dhe ushtri mund te ngatërrojë heronjtë.

Por ta sqarojmë duke ngritur pyetje:

-Pse sa iku Amerika askush nuk luftoi më? Pse ushtria e mirëpaguar dhe me çdo pajisje nuk luftoi për vendin e vet? Pse duhet të luftojë një vend tjetër për vendin tënd? Pas 20 vitesh krah Natos, pse ushtarët e trajnuar prej tyre nuk e patën shpirtin për të luftuar për shtëpinë e vet, qytetin, të fejuarën, vajzën.

Çfarë i ka mërzitur ushtarët afganë? Po gjeneralët? Po njerëzit e thjeshtë?

Mos ndoshta shumica kanë parë me inat, brengë e hakmarrje korrupsionin galopant të shefave të tyre dhe kanë parë sesi një pakicë nën mburojën amerikane (qoftë edhe pa dijeni të këtyre të fundit, që siç thotë Obama në librin “Tokë e premtuar” i gënjenin sy për sy) kanë vjedhur e janë pasuruar në kurriz të shumicës?!

Ka një gropë të zezë që nuk e njohim nga Afganistani por që mban era korrupsion dhe zhgënjim. Eshtë një realitet që s’e gjejmë dot me foto, por që duket të jetë nëna e gjithë kësaj drame.

Sa për gabime amerikane, në këtë mision janë të dukshme.

Sidomos tek besimi se nuk janë vetëm milionat dhe as armët që e futin në brazda një komb a shoqëri. Nuk është vetëm ushtria, por është shkolla dhe puna, kopshtet dhe arti, integrimi josipërfaqësor i grave në jetën politike. Amerikanët ishin të parakohshëm në shqetësimin për të futur reklama për Lgbt, në një vend ku feja dhe konservatorizmi është edhe në minerale jo më në kokat e njerëzve.

Shoqëritë ndërtohen ngadalë dhe edukohen që të pranojnë të ndryshmen, madje edhe të natyrshmen, si një nuse në vitrinë.

Amerika mendoi ushtarakisht për Afganistanin dhe fundja nuk e ka pasur për detyrë të edukojë apo arsimojë, aq më pak të pengojë korrupsionin e elitave, të cilat i priten me kokteje elegante dhe i përcollën me gënjeshtra e hipokrizi, ndoshta deri në telefonatën e fundit.

Afganistani është pësim dhe mësim. Mësimi është që vendin tënd e bën ti vetë. Luftën për vendin tënd çdo ditë e bën ti. Por Afganistani duket të ketë renë në grackën e hendeqeve dhe korrupsionit. Duke rrezikuar sot intelektualë, ushtar, gra dhe vajza, afgan të mirë që përqafuan idetë perëndimore.

Pësim e dëshpërim janë këta, që as u pasuruan në 20 vjet dhe as nuk u arratisën dot. Kush ia doli të ikë prej aty meriton të paktën një mundësi të dytë!

P.S. Ata që bënin meme me urrejtje në shqip për afganët e pambrojtur dhe ata që vazhdojnë shkruajnë komente talebane, janë shëmbëlltyrë e lirisë së keqpërdorur, të çuar dëm. Por fundja çdo gjë në liri durohet!

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Topi: 18/08/2021 05:35

    Mira, vazhdon te paguhesh ne borderote e UKT nga taksat tona? Nuk je me e mire as ti dhe as shefat e tu te korruptuar nga elita afgane qe ti e quan te korruptuar. Ju jeni me keq, pasi keni bere leke me thase ne kurriz te popullit.

    Përgjigju
  • Liri: 17/08/2021 21:38

    Shkrim super! Zoti ruajtte te pafajshmot,popullin. Talebanet qe nga sjellja e qendrimi neper godinat e zaptuara tregojne qe do bejne kerdine ne mjerimizimin e afganeve. Me kujtuan surreterit palare te horrave te'97s ne Shqiperi,por version me barbar e me i madh ne numer. Fatkeqesi qe Shariati interpretohet si ia do kokrra e qejfit grupeve injorante te etur per pushtet. Qe nga etja per lufte e pushtet,talebanet tregojne qe nuk e njohin Zotin e nuk e duan Ate. Thjeshte, ata perdorin emrin e Tij per te shtypur,vrare,perdhunuar,poshteruar,vjedhur.Zoti i falte ata qe ne emer te Tij marrin ne qafe jetet qe Ai ka krijuar. Per USAn nuk flas hic se foli veprimi i tyre. Por sic e the ti,per vendin tend mos prit te tjeret.

    Përgjigju
  • Joti _Durres: 17/08/2021 20:50

    Ishte shkrim i goditur. Ghithcka e permbledhur kaq bukur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë