Pse nuk mund të falimentojnë shoqëritë e Ujësjellës - Kanalizimeve?

Pse nuk mund të falimentojnë shoqëritë e Ujësjellës - Kanalizimeve?

Ditët e fundit disa lajme të publikuara në media lidhur me detyrimet financiare të shoqërive të ujësjellës kanalizimeve në vend kanë krijuar një frymë paniku për mundësinë e falimentimit të këtyre shoqërive. Pavarësisht reagimit të shpejtë publik të AKUM, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës kanalizimeve dhe Trajtimit të mbetjeve, e cila siguroi qytetarët se ndryshimi i statusit të shoqërive lidhet me reformën e nisur që prej vitit të kaluar në këtë sektor dhe në asnjë mënyrë me falimentimin e tyre, sërish hijet e dyshimit mbeten: A mund të falimentojnë ujësjellësat?!

Furnizimi me ujë përbën një të drejtë themelore të qytetarit dhe si e tillë ajo është një detyrim për qeverinë, por nga ana tjetër është tejet e vështirë të ndërhyhet dhe sektori të jetë rentabël, në rast se konsumatori nuk paguan faturën e ujit. Megjithë 900 milionë eurot e hedhura nga qeveria qendrore në investime në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve përgjatë viteve 2014-2022, situata e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët 24 orë në 24, mbetet ende problematike, por akoma edhe më problematike duket gjendja financiare e shoqërive të Ujësjellës kanalizimeve.

Shkaku është një trashëgimi jashtëzakonisht problematike e menaxhimit të shumicës së 61 ujësjellësave në nivel bashkiak, që kishte sjellë në shumë bashki cilësi të dobët të ujit të pijshëm, mungesë të furnizimit, investime të shkuara dëm, si dhe borxhe shumë të mëdha, në nivele milionë dhe dhjetëra milionë euro, të akumuluara prej vitesh, nga një pjesë e mirë e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.

Kryeministri Edi Rama, dikur në rolin e kryebashkiakut të Tiranës ishte flamurtari i decentralizimit të shërbimit të ujësjellësit, duke u futur madje në “luftë” me qeverinë e asaj kohe për marrjen e drejtimit të kësaj shoqërie. Por tani, rreth 12 vjet më pas, ai duket se ka ndryshuar mendim. Kjo sepse tipologjia e ndryshme e bashkive të ndryshme dhe në mënyrë specifike mundësitë e sigurimit të ujit të pijshëm prej tyre kanë krijuar një situate aspak të favorshme për shoqëritë e UK, veçanërisht për bashkitë e vogla.

Shembulli më tipik i vështirësive objektive të bashkive që lidhet me koston e sigurimit të furnizimit me ujë është bashkia e Durrësit, e cila furnizohet me ujë nga vendburimi i Fushëkuqes, në një ditancë prej 50 km larg dhe e gjitha në një terren fushor. Fatura financiare e energjisë elektrike të konsumuar nga pompat e fuqishme që sjellin ujin nga Fushëkuqe e deri në rubinetat e qytetarëve është në nivele të frikshme dhe vështirësisht e përballueshme nga çdo bashki sa do e fuqishme qoftë ajo.

Duke parë këtë situatë, Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës prezantoi në nëntor 2021 nisjen e një reforme të thellë, e cila kishte si qëllim riorganizimin e gjithë sistemit dhe ndryshimin e formës së menaxhimit të shoqërive të ujësjellës kanalizimeve. Në disa dalje publike, Kryeministri Rama dhe ministrja Balluku deklaruan asokohe se synimi i këtij riorganizimi ishte nxjerrja e shoqërive nga situata alarmante e detyrimeve të akumuluara ndër vite, çlirimi i bashkive nga një barrë të cilën pjesa më e madhe e tyre nuk po e përballonin dot më dhe sigurisht përmirësimi i furnizimit me ujë për qytetarët.

Në maj 2022, pas konsultimeve, në përputhje me Strategjinë Kombëtare 2020-2030 të Menaxhimit të Ujit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes AKUM nisi reformën e plotë të sektorit të ujit. Nga 58 shoqëri aksionere të ujësjellës-kanalizimeve, nën administrimin e plotë të 61 bashkive, shumica me probleme të jashtëzakonshme menaxhimi dhe akumulimi borxhesh, u krijuan 15 shoqëri rajonale, asambletë e të cilave po menaxhohen 51 përqind nga Ministria e Energjisë dhe Infratrukturës dhe 49 përqind nga bashkitë dhe vetë shoqëritë rajonale.

Fakti që qeveria qendrore ka 51 përqind të aksioneve ofron garancinë e furnizimit të këtij malli jetik, ujit, duke respektuar, permes një pune të përbashkët midis pushtetit vendor dhe atij qendror, autonominë e pushtetit vendor, i cili do të jetë jo vetëm pjesë aktive e reformës, por edhe do të monitoroje procesin, duke përcjellë nga afër kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve anëtarë të komuniteteve të bashkive përkatëse.

Që në qershor 2022, 40 bashki të vendit morën vendim për t’u bërë pjesë e reformës së plotë në sektorin e uji, të pasuara më vonë nga bashki të tjera. Aktualisht sipas deklarimit publik të AKUM janë krijuar 13 shoqëri te reja nga 15 që parashikohet të krijohen gjithsej.

Në këtë proces të thellë transformues Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë garanton që për asnjë moment, për shkak të ndryshimeve, qytetarët të mos ngelen pa furnizimin me ujë, përkundrazi përmes rritjes së efikasitetit të investimeve numri i zonave që furnizohen me uje 24 orë të rritet. Nga ana tjetër ndryshimi i mënyrës së menaxhimit të këtyre shoqërive, duke ndjekur modelin e organizimit të OSHEE, një tjetër agjenci shtetërore, e cila vite më parë ka qenë në një situatë të ngjashme, do të bëjë të mundur uljen e detyrimeve të shoqërive dhe shëndoshjen e tyre ekonomike, duke krijuar edhe besueshmëri të institucionet financiare ndërkombëtare që mbështesin financiarisht investimet në këtë sektor.

Të dhënat zyrtare të AKUM, tregojnë se Shoqëritë e reja, tashmë të organizuara në nivel rajonal kanë nisur të shlyejnë në mënyrë të rregullt të gjitha faturat korrente dhe në të njëjtën kohë të ulin nivelin e detyrimeve të prapambetura.

Sipas këtyre të dhënave që nga qershori 2022 deri në qershor 2023, 8 shoqëri rajonale, të krijuara nga reforma e ujit, kanë likujduar faturën e energjisë elektrike (detyrimi më i madh i ujësjellësave), duke e ulur borxhin e trashëguar me 13.8 milionë lekë.

Gjashtëmujori i parë i vitit 2023, pra nga 1 janari i vitit 2023, momenti kur kanë filluar të funksionojnë shoqëritë rajonale, regjistron një përmirësim, duke shënuar një ulje të ndjeshme të ujit pa të ardhura, nga 69.1% në janar 2023, në 64.4% në qershor 2023.

Të 12 shoqëritë rajonale të krijuara nuk kanë krijuar detyrime të reja dhe kanë likujduar një pjesë të detyrimeve të trashëguara.  

Plani konkret për reformën bindi donatorin kryesor, Bankën Botërore. Shqipëria po përfiton një mbështetje të konsiderueshme për reformimin e Sektorit të Ujit, nëpërmjet një financimi nga Banka Botërore, që përfshin një hua prej 75 milionë USD, si dhe një grant prej 6,3 milionë USD, miratuar nga Bordi i Drejtorëve i Bankës Botërore.

Huaja është pjesë e Programit Kombëtar prej 135 milionë USD, për modernizimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri që bashkëfinancohet nga Qeveria e Shqipërisë. Nderkohe, granti financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe do të menaxhohet nga Banka Botërore, sipas një njoftimi zyrtar për shtyp të saj.

Programi synon përmirësimin e aktivitetit dhe gjendjes financiare të shoqerive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve si dhe ofrimin e shërbimeve të përmirësuara të furnizimit me ujë në Shqipëri.

Sipas Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, “Nevojiten ndryshime radikale për përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnimizimit me ujë. Ne përgëzojmë Qeverinë për angazhimin në reformimin e këtyre shërbimeve në Shqipëri. Banka Botërore do të mbështesë sektorin përmes një instrumenti novator financimi të quajtur Program për Rezultate. Kjo do të thotë që në vend që të sigurohen financime për infrastrukturën, të përqendrohemi në mbështetjen e reformës institucionale”.

Strategjia e Ujit 2020-2030 dhe plani i veprimit i AKUM parashikon ngritjen e laboratorëve që do të jenë në funksion përgjatë 24 orëve, për të kontrolluar çdo herë cilësinë e ujit. Depot e mëdha të ujit, të cilat më parë ruheshin nga njerëzit, dhe jo në mënyrën e duhur, do të kenë monitorim me kamera e sistem alarmi 24 orë.

Nisur nga gjithë sa më lart, koncepti i falimentimit të një ndërmareje me kapital shtetëror, duket disi subjektiv, më shumë abuziv, se sa real. Kjo sepse Qeveria është garante e ofrimit të këtij shërbimi dhe sigurisht që do të gjejë edhe mekanizmat e duhur për të shmangur situatat kritike, ashtu sikurse ka nisur tashmë të bëjë. Përtej gjithë vështirësive dhe detyrimeve të akumuluara ndër vite, ndryshimi që ka nisur në sektorin e Ujesjellës Kanalizimeve duket se po jep rezultatet e para.

Të ardhurat e shoqërive UK kanë nisur të rriten edhe falë masave shtrenguese, siç është aksioni më i fundit i ndërmarrë kryesisht në zonat turistike për goditjen e lidhjeve të paligjshme dhe vjedhjeve të ujit që bëhen nga operatorët turistikë, hotele dhe njësi shërbimi, por edhe nga banorët të pandërgjegjshëm për rëndësinë që ka pagesa e faturës së ujit.

Procesi është i vështirë, mes Qeverisë që duhet të gjejë mekanizmat e duhur për ta bërë sistemin të funksionojë dhe qytetarëve që duhet ta kuptojnë më së fundi se uji i pijshëm është mall dhe si i tillë duhet paguar.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan