Mungesa e perspektivës për punësim, kostot e larta të jetesës dhe vështirësitë për të siguruar strehim janë ndër shqetësimet kryesore të të rinjve. Ekspertët Genti Beqiri dhe Artur Ribaj ndajnë qëndrime mbi arsyet që i shtyjnë studentët të protestojnë.
Beqiri e konsideron problemin e strehimit një sfidë që nuk kufizohet vetëm te Shqipëria.
“Më thoni sot një vend ku studentët sa mbarojnë shkollën blejnë shtëpinë? Kur mbarojnë studentët në Amerikë, kanë 100 mijë dollar borxh, jetojnë me qira në grupe”, thotë eksperti Beqiri.
“Jemi në kontakt me studentët, dhe kuptojmë që kanë mungesë perspektivë, pasi diplomohet duhet të ketë mundësi për punësim, nëse s’ka mik nuk gjen punë në shtet. Studentët shkojnë në infermieri se duan të shkojnë në emigrim”, shprehet eksperti Ribaj.
Ndërsa eksperti Artur Ribaj thotë se burokracitë në punësim po largojnë rininë.
“Të rinjtë sot kërkojnë të trajtohen me dinjitet. Të rinjtë duke qenë se bota është e hapur zgjedhin emigrimin kush do të humbasë, ky vend. Më pak banor, më pak konsum, më pak taksa , më pak investime, më pak kontribute për pensionet dhe normalisht nëse nuk merret seriozisht perspektiva e të rinjve, është e kotë që të presim nga këta politikanë”, tha pedagogu Ribaj.
Ndërkohë, Beqiri vë theksin te nevoja për të gjallëruar ekonominë dhe për të krijuar mundësi punësimi edhe jashtë Tiranës, në mënyrë që studentët të mos detyrohen të përballen me kosto të larta jetese për të ndjekur studimet apo për të gjetur punë.
“Problematikat e qeverisë janë tek keq financimi i sektorëve kyç në ekonomi, ne kemi nevojë të gjallërojmë ekonominë, bujqësinë, të financohen start UP, që studentët të kuptojnë se ka mundësi. Të mos i bëjmë ata të jugut apo veriut që të vijnë në Tiranë, të ballafaqohen me kosto shumë të larta të jetesës. Por problemi i strehimit është i përgjithshëm në botë, ndryshe është vetëm roli i qeverisë, se ti mund ta ndihmosh studentin të marrë kredi, por nëse nuk ka punë nuk mund ta paguaj as atë”, tha eksperti Beqiri.
Një tjetër çështje që ngre eksperti është mospërputhja mes degëve që zgjedhin studentët dhe nevojave reale të ekonomisë.
“Ne duhet të stimulojmë studentët të shkojnë në shkenca natyrore, se nuk kemi më mësues fizike dhe kimie. Ti paguaj studentët të shkojnë në ato degë që ka nevojë ekonomia sot, duhet të gjejmë një mësues 70 vjeç për të mësuar matematikën, se nuk mësohet më nëpër gjimnaze”, thotë Genti Beqiri.
Në mes të tensioneve, kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe një herë programit të strehimit, që parashikon dy skema kryesore për të lehtësuar blerjen ose përballimin e kostos së banesës: rreth 3 mijë familje do të përfitojnë subvencionim të qirasë, deri në 50% në muaj, ndërsa 4 mijë familje parashikohet të mbështeten me kredi të buta.
Synohet që për qiratë deri 500 euro në muaj, shteti të subvencionojë gjysmën e saj, si masë që iu ul kostot të rinjve dhe familjeve të tyre.









Komente
Komento