Pse Shqipëria s'ka shifra të frikshme si Italia e Spanja dhe kur pritet piku i COVID-19?! Tomini: Nuk do kemi verë normale, vjeshta rikthen infeksionet (VIDEO)

TIRANË - Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini thotë se piku i situatës me koronavirusin në Shqipëri mund të jetë java e tretë e prillit, sipas të gjitha pritshmërive, megjithatë gjithçka mbetet për t'u parë. Në një komunikim me Skype me Report Tv, tha se masat e marra kufizuese dhe izoluese të qytetarëve në shtëpi, kanë frenuar përhapjen e infeksionit në komunitet.

Por një tjetër faktorë që në më shumë se tre javë nga identifikimi i të prekurit të parë me COVID-19, Shqipëria nuk po rrit frikshëm numrin e të infektuarve siç po ndodh me Italinë fqinje apo edhe së fundit Spanjën, lidhet me popullatën e re. Tomini tha gjatë intervistës me gazetaren Aida Tancica, se në shtetet ku pandemia COVID ka gjunjëzuar popujt me numër të lartë viktimash e të infektuarish, edhe popullatat janë të vjetra. Ndërsa në Shqipëri, për shkak të moshës së re, shumë qytetarë mund të jenë duke e kaluar koronavirusin pa simptoma klinike.

"Trendi linear është në vijimësi dhe pritet që në javët në vijim të kemi të njëjtën trend, me një pikë në javën e tretë të prillit, por gjithsesi është gjithçka për t'u parë.  Janë duke u vlerësuar skedat epidemiologjike të atyre që kanë shenja dhe ata pa simptoma, është situatë e pritshme për një pandemi. Kemi një popullatë të re, dhe kjo shtresë është prekur edhe në mënyra asimptomatike. Transmetimi komunitar është evident, dhe masat e vetë izolimit kanë luajtur rol të rëndësishëm se janë marrë në kohën e duhur. Faktikisht rastet e personave të intubuar dhe me sëmundje të tjera shoqëruese e kanë shtuar numrin e vdekjeve, që tregon anën e zezë, por nga ana tjetër një pjesë e popullatës po kalon me shenja minimale të infeksionit respirator, që mund të kenë qenë pozitiv pa shfaqur shenja. Vetëm gjurmimi epidemiologjik ka zbuluar që kanë qenë pozitiv.  Duke qenë se kemi transmetim komunitar është e pritshme të kemi edhe asimptomatik dhe ta kalojmë pa shenja", tha Tomini.

Sa i përket fëmijëve të prekur me COVID-19, të cilët sot shënuan 8 raste nga 4 që ishin më parë, shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se këto raste pediatrike janë kontakte të ngushta të rasteve pozitive, nga pjesëtarë të familjes që janë prekur me COVID-19. Një lajm i mirë tek fëmijët është fakti që nuk kanë prezencë të shenjave klinike alarmuese, por shenja të një infeksioni viral të lehtë. "Mosha pediatrike nuk ka shfaqur deri më tani shenja klinike të agravuara", tha Tomini.

E vetmja anë pozitive e COVID-19 janë të shëruarit.

"Për të thënë të vërtetën kjo është ana pozitive e COVID, s'ka asgjë pozitive COVID me vete, përveç rekuperimit që pacientët e shprehin edhe me mesazhet e tyre. Mjekët po bëjnë maksimalisht për rekuperimin e gjendjes për pacientët që janë në pavion me gjendje të mesme dhe ata në terapi intensive në gjendje më të rëndë, po shërbejnë kundrejt asnjë lloj dallimi pa neglizhuar asnjë element", tha Eugena Tomini.

E megjithatë, 2020-a do të vijojë të jetë një vit i vështirë për shqiptarët, ku nuk pritet të kemi më pushime verore siç ne jemi mësuar të kalojmë. Kjo, pasi doktoreshë Eugena Tomini shpjegoi se edhe me ardhjen e verës, ku flitet që virusi të zhduket me rritjen e temperatura (ende jo e vërtetuar shkencërisht), do të ketë rikthim të infeksioneve respiratore edhe gjatë vjeshtës.

"Ky është një vit i vështirë, nuk do ketë një verë normale, do kemi ndryshim të sjelljes pas këtij distancimi social. Nuk besoj se do kemi një verë siç kemi përjetuar verat e tjetra. Mund të kemi një zbehje të virusit gjatë periudhës së nxehtë por asgjë nuk është vërtetuar se virusi ka qarkulluar gjatë një periudhë pranverore, edhe pse të ftohtë. Shpresoj të kemi një verë më me liri individuale, por që prezenca e COVID do të na shoqërojë dhe që vjeshta do e rikthejë me infeksionet respiratore, derisa të kemi vaksinën sezonale", tha Tomini.

Por a mundet të gjurmohen në raste kur të identifikuarit pozitiv kanë qenë në grumbullime masive siç ishte rasti i sotëm i një zonje nga Shkodra, e cila dy javë më parë i kishte dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortit të saj në homazhe varrimi me shumë persona?

Doktoreshë Eugena Tomini thotë se shërbimi epidemiologjik ka përvojë në gjurmimin e kontakteve masive, duke përmendur të tjera sëmundje infektive në vendin tonë që janë përhapur përmes ajrit.

Ajo apeloi që në këto kohë qytetarët të shmangin festimet e hidhërimet në ceremoni mëme shumë njerëz, si datëlindje, dasma, fejesa, dhe homazhe varrimi. "Është e rëndësishme të eliminohen drejt zeros, le ti respektojmë njerëzit me një mesazh të ngrohtë, është e rëndësishme të respektohet distancimi social edhe gjatë gëzimeve dhe hidhërimeve", theksoi Tomini.

Në përfundim, Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini  bëri thirrjen e saj si prind e qytetarë për të gjithë shqiptarët që po kalojnë këto momente të vështira. Të qëndruarit në shtëpi i duhet parë vetëm ana pozitive: "Shtëpitë tona kanë shumë aktivitete për tu kryer që i neglizhojmë gjatë javëve intensive. Të rifreskojmë bibliotekën, të dëgjojmë muzikë. Unë një sugjerim do kisha edhe për mediat që edhe ato janë në front të parë të kësaj beteje me informimin e popullatës, do t'ju bëja një sugjerim nëse do mundnit të alternoni muzikë, filma argëtues në programet tuaja".

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja