Në seancën e sotme plenare, deputetja Ina Zhupa thirri në interpelancë ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, të cilin e pyeti për mungesën e një anëtari të Komisionit Shqiptar të Helsinkit në përbërje të Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët. Zhupa tha se i është dërguar shkresë ministrisë përse është përjashtuar anëtari i KSHH dhe jo një nga përfaqësuesit e ministrive, po nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
"Është hequr nga përbërja e Komisionit sepse është zvogëluar me 5 përfaqësues, ku 4 janë të ministrive dhe një i SHISH-it. Nuk kuptohet pse është nevoja për ta shkurtuar dhe pse preket përfaqësuesi i shoqërisë civile dhe jo i të tjerëve. Këshilli i ka dërguar shkresë ministrisë dhe nuk ka marrë përgjigje për këtë", tha Zhupa.
Në përgjigjen e tij, Bledi Çuçi tha Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk ka kthyer përgjigje për një kohë të gjatë pavarësisht se i është dërguar kërkesa për pjesëmarrje. Në vijim ai theksoi vijoi puna për ngritjen e Komisionit, por duke gjykuar që jo vetëm KShH, por edhe çdo organizatë tjetër që mbron të drejtat e azilkërkuesve apo refugjatëve, të jenë pjesë në çdo mbledhje për të dhënë opinione.
"Ligji ka përcaktuar që Komisioni Kombëtar për Azilin të përbëhet nga 5 dhe jo nga 7 anëtar. Ky është komision ankimi administrativ. Pse nuk është më Komiteti Shqiptar i Helsinkit? Megjithëse ligji nuk na detyron dhe apeli përbëhet e ngrihet brenda organit administrativ, ne prap për hir të një tradite që kishim krijuar duke e pasur në komision, i kemi dërguar Komitetin Shqiptar të Helsinkit ligjin e hartuar në shkurt të 2021. Në 5 korrik 2021 i kemi dërguar një variant të VKM-së, ku e kishim përfshirë KSHH dhe nuk kemi marrë përgjigje deri në 29 tetor të vitit 2021, pra më shumë se 3 muaj pa përgjigje. Duke mos marrë përgjigje, vijuam me ngritjen e komisionit dhe gjykuam që jo vetëm Komiteti por edhe çdo organizatë tjetër që mbron të drejtat e azilkërkuese të jenë në mbledhje si vëzhgues edhe për të dhënë opinione.
Kështu u ngrit me 5 anëtarët që përfaqësojnë një aspekt që kanë azilkërkuesit dhe refugjatët në Shqipëri. Duke mos marrë përgjigje, proceduam me 5 anëtarët, por garantoj që në çdo mbledhje do të jenë përfaqësues jo vetëm të KSHH por të çdo organizate jofitimprurëse kur të merret në shqyrtim çdo ankim të marrë nga organi administrativ", tha Çuçi.
Ndërsa deputetja e PD tha se faktet janë të ndryshme duke pretenduar se Komiteti Shqiptar i Helsinkit u përjashtua sepse ishin 'planprishësit' në komision.
"Nuk është kaq e thjeshtë, ligji nuk e përcakton përbërjen. Është e vërtetë që keni dërguar shkresë, por është protokolluar më 14 tetor 2021 dhe ka ardhur përgjigja më 29 tetor 2021. Faktet janë të ndryshme. Vendimi për përjashtim vjen kur Ministria e Brendshme akuzohet për dhunim të të drejtave të njeriut pasi institucioni i azilit akuzohet për ekstradimin e shtetasit turk Harun Celik.
Mesa duket KSHH ishin planprishësit në komision pasi në 5 mbledhje kanë qëndruar në pakicë, një prej të cilave është për rastin e Selami Simsek. KSHH konstatoi se është shkelur ligji", tha Zhupa.