Pse vajti në SHBA Fatos Nano më
29 nëntor deri më 5-6 dhjetor 1991

Pse vajti në SHBA Fatos Nano më<br />29 nëntor deri më 5-6 dhjetor 1991
Fragment nga libri i titulluar “Përvoja ime në Partinë Socialiste” i Servet Pëllumbit.

E diel, 8 dhjetor 1992 
Nga ora 13:00-15:00 pata një bisedë kokë më kokë me F. Nanon, në të cilën shtrova tri shqetësime që më mundojnë prej kohësh, aq sa kam menduar edhe të jap dorëheqje nga posti që kam në Parti si zëvendës i Kryetarit. Në ditar, më datën 12 shtator kam shënuar këtë formulë: I pakënaqur nga puna ime në Kryesinë e PS-së dhe nga pamundësia për të bërë më tepër, i kërkoj asaj Kryesie të pranojë dorëheqjen time. Cilat janë tri shqetësimet e mia që i shtrova sot kryetarit? 

1. Mungesa e një angazhimi serioz nga ana e tij në punën për drejtimin e Partisë. “Mungoni me ditë të tëra, në momentet më kritike ju ‘sëmureni’. Shkoni dhe rrini shpesh jashtë shtetit, pse nuk sëmureni në këtë rast? Mund të angazhoheshit, siç kemi biseduar për një program alternativ të reformës ekonomike (si ekonomist që jeni), por asgjë nuk keni bërë, asnjë trajtim me sens teorik që do të pasuronte programin e Partisë. Pa folur për atë që shkoni rrallë në rrethe. Në shumë prej tyre nuk keni shkuar asnjëherë. Shokët e bazës më kanë bërë shpesh vërejtje në adresën tuaj, por unë deri tani ju kam justifikuar”.

2. Problemi i qëndrimit ndaj veprimtarisë afariste të disa prej njerëzve tanë të ngarkuar nga ju (F. Kumbaro, L. Çuçi etj.). Kam mendimin se gjithçka duhet vënë mbi baza ligjore dhe të kontrollueshme për ta ruajtur Partinë nga veprime jo të pastra. Përvoja e PS-së bullgare.

3. Çështja e vajtjes suaj në SHBA më 29 nëntor deri më 5-6 dhjetor 1991, në ditët kur kishte nisur diskutimi për ekzistencën ose jo të Qeverisë së Stabilitetit. Mua më thatë se do të shkonit në Itali me kërkesën e Kraksit. Ju shkuat në Zvicër ku u takuat me H. B., që ju shoqëroi për në SHBA i “ftuar” nga lobi ballisto-legalisto-kosovaro-amerikan që mbështet Berishën. E mora vesh rastësisht nga Sabiti dhe Ylli Bufi kur ishim bashkë në Zvicër. Dua të di të vërtetën nga goja juaj si dhe arsyet pse e mbajte të fshehtë nga Partia një gjë kaq të rëndë. 
Më dëgjoi me vëmendje e pa më ndërprerë, edhe pse u zbeh dhe turfullonte nga brenda. Pastaj tha: 
- Po, është e vërtetë, për këtë kanë pasur dijeni Kastrioti, Ylli dhe Sabiti. Madje edhe Berisha me Rugovën! 
Në atë kohë Kastrioti, Ylli dhe Sabiti nuk ishin në Kryesinë e PS-së. Fatosi u duk i revoltuar që për këtë më kishte folur Ylli Bufi, që sipas Fatosit ishte “mblesi”, ai që e kishte propozuar dhe koordinuar udhëtimin e Fatosit për në SHBA... 
- Mendova, - vazhdoi ai, - se ti e kishe marrë vesh, unë vetë nuk ua thashë për konspiracion. 
Ngriti tonin: 
- Unë luftova në strofkën e tyre. Më mbajtën mbyllur 72 orë, një terror i vërtetë psikologjik e fizik. Prova me raki, cigare, më dehën... Nuk e bëri të qartë çfarë kërkonin, por la të kuptohej sikur donin ta rekrutonin për ta detyruar që t’i hapte rrugë S. Berishës. Madje “torturuesit” e tij qenkan shprehur: “Berisha një copë budalla është, por ja që atij i besojnë amerikanët!”.
Fatosi paska rezistuar “heroikisht”! Veçse, kur e pyeta, si befasisht, ç’detyrë e parullë të dhanë dhe sa herë të kanë “shqetësuar”, shtangu. Por u përgjigj. Mbase mendoi se unë tashmë dija çdo gjë. 

- Parulla është Crosse the Brige. 
Më kanë telefonuar në shtëpi dy herë, zakonisht pas mesnate. Telefonata e fundit më duket ishte pas 26 korrikut 1992! Por ka bërë edhe një takim me “shefin e ri” në Sarandë. Edhe takimi i Fatosit me Berishën dhe Rugovën muajin e kaluar, duket se ka qenë në po të njëjtën linjë. Djall o punë, çfarë mpleksje “demokratike”! 
- A je i gatshëm, - i thashë, - që këto që më the mua t’i ripohosh edhe në prezencën e Gramozit dhe të Namikut? 
- Po, e pranoj këtë variant. 

Kështu u veprua. Gjithsesi, tani edhe unë i kam më të qarta disa situata me Fatosin dhe disa nga pikëpyetjet që më kanë lindur më parë. Njëherësh dhe për disa përshtypje që deri tani më habisnin për një lloj ndrojtjeje ndaj meje, të një respekti më tepër të shtirur se të sinqertë. Ndonjëherë, i kam shpjeguar me diferencën në moshë, por në të vërtetë nuk qenka kjo. Nuk di ç’të bëj më tej, por është fakt se diçka e madhe u thye pa kthim midis meje dhe Fatosit: Besimi reciprok...


Redaksia online
Al.N/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se miratimi i rezolutës e bën më efikase luftën ndaj korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

Vjedhja me mikrokreditë, Kikia: Skemë kriminale! Një qytetari i kishin bllokuar 24 ha tokë për 12 mln lekë të vjetra

Vjedhja me mikrokreditë, Kikia: Skemë kriminale! Një qytetari i kishin bllokuar 24 ha tokë për 12 mln lekë të vjetra