Taulant Balla ka publikuar sot një video të ish-luftëtarit të UÇK-së, Tahir Zekaj, teksa përballet me disa nga protestuesit që qëlluan me vezë ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të tij me diasporën shqiptare në Nju Jork.

Në pamjet e publikuara nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, një protestuese i kërkon llogari Zekajt për qëndrimin e tij me Ramën.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pse vjen me hangër darkë e me nejt me Ramën?”, dëgjohet t'i drejtohet ajo.

Zekaj nuk e lë pyetjen pa përgjigje dhe i kujton protestueses se kush është. 

Krah tij ka dalë edhe Taulant Balla që e ka shoqëruar videon me një koment, ku protestuesit i quan “sorra” që bëjnë si “patriotë”, ndërsa ish-luftëtarin e UÇK-së e cilëson “shqiponjë”.

“Kur sorrat bëjnë si ‘patriotë’ dhe i zënë pritë një shqiponje si Tahir Zekaj, ish-pjesëtar i UÇK-së. Mirënjohje për përgjigjen Tahir Zekaj”, shkruan Balla.