PARIS - Madhështore. Vetëm kështu mund të shpjegohet fitorja 5-4 e PSG-së kundër Bayern Munich në 'Parkun e Princave'. Të martën ndeshja vlente për gjysmëfinalen e parë të Champions League, ndërsa ndeshja e kthimit më 6 maj në Gjermani pritet të jetë spektakolare për vetë atë që dy skuadrat treguan në fushën e lojës. Asnjëherë më parë në një gjysmëfinale të Champions nuk ishin shënuar nëntë gola.

Pas ndeshjes folën edhe protagonistët e kësaj sfide. Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, tha se kjo ishte ndeshja më e mirë që kishte përjetuar si trajner, madje dueli mund të përfundonte ndryshe.

"Si trajner, nuk kam parë asnjëherë një ndeshje me këtë intensitet, me këtë dëshirë për të fituar. Mendoj që të gjithë tifozët, pavarësisht nga skuadra që mbështesin, janë të lumtur që kanë ndjekur këtë spektakël. Të dyja skuadrat dhe të gjithë lojtarët meritojnë komplimente.

Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe e tillë do të jetë edhe ajo e kthimit në Gjermani. Ka aspekte që duhen përmirësuar, por tani duhet t’i gëzohemi këtij rezultati. Kjo ishte ndeshja e tretë që ata (Bayerni) kanë humbur për këtë sezon, jemi shumë të kënaqur. E kemi merituar të fitojmë, por mund të barazonim dhe madje ta humbisnim këtë ndeshje", tha trajneri spanjoll i PSG-së.

Nga ana tjetër, trajneri i Bayern Munich, tha se ka besim se ekipi i tij do të përmbysë gjithçka në sfidën e kthimit edhe falë mbështetjes nga tifozët. Vincent Kompany nuk ishte prezent në stol gjatë këtij takimi për shkak të pezullimit me kartona të verdhë dhe e ndoqi ndeshjen nga tribunat, gjë që e cilësoi si jo komode. Kompany tha se mund të kishin shënuar edhe tre gola të tjerë.

"Kisha një ndjesi se një ndeshje e tillë ishte e humbur. Natyrisht, kur pëson pesë gola larg shtëpisë, gjysmëfinalja normalisht mbaron. Por ne shënuam katër dhe mund të kishim shënuar një, dy, madje edhe tre të tjerë.

Ndeshja e dytë është në shtëpi dhe duhet të shkojmë për të fituar. E bëjmë shpesh këtë atje dhe me mbështetjen e tifozëve tanë, besimi është sigurisht aty. Kemi një javë tani për të punuar në gjërat që duhet të përmirësojmë. Besimi është 100 përqind te fitorja, ashtu si edhe ndjenja për të. Kemi nevojë për tifozët tanë dhe mbështetjen e tyre me të njëjtin pasion që patëm kundër Madridit", tha belgu i Bayern Munich.

Sulmuesi i bavarezëve, Harry Kane, i cili shënoi një nga golat e të tijve, tha se ndihet krenar që ia dolën të shënonin katër gola në një ndeshje të tillë ku gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit. 54 gola ka shënuar këtë sezon 32-vjeçari në të gjitha kompeticionet për Bayern, duke shijuar momentin më të mirë në karrierë.

"Mendoj se pamë dy skuadra të nivelit shumë të lartë, veçanërisht në lojën sulmuese, në tranzicionet, shpejtësinë dhe intensitetin në duelet një kundër një. Dy nga ekipet më të mira u përballën hapur me njëra-tjetrën.

Në përgjithësi, patëm momente kur mund ta kishim mbyllur ndeshjen më herët. Gjithashtu, ndihemi krenarë që e çuam rezultatin në 5-4, sepse të luash në transfertë dhe të jesh në disavantazh 5-2 mund të jetë një situatë shumë e vështirë. Por ne luftuam dhe tani jemi plotësisht në garë për kualifikimin", tha mes të tjerash Kane.

Rekordi i Luis Enrique

Sipas Opta, Enrique është bërë trajneri që ka arritur më shpejt 50 fitore në historinë e Champions League. Ai e realizoi këtë për 77 ndeshje, duke drejtuar Barcelonën dhe PSG-në. Me këtë, spanjolli ia rrëmbeu rekordin Pep Guardiolës, i cili e kishte arritur shifrën e 50 fitoreve në ndeshjen e tij të 80-të, kur Bayern Munich mposhti Dinamo Zagrebin me rezultatin 2-0 në dhjetor të vitit 2015.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:17
PSG nën këmbët e ‘Kvaradonës’, shifra të frikshme në Champions për gjeorgjianin

1777461476_khvichakvaratskhelia.jpg

Nëse ndeshja mes Paris Saint Germain dhe Bayern Munich do të hyjë në historinë e Champions League, merita është sidomos e tij. Khvicha Kvaratskhelia shënoi dy gola në këtë ndeshje (dhe arriti në 100 të tillë në karrierën e tij), që e projekton mes futbollistëve më të mirë në qarkullim.

Gola dhe aksione të një futbollisti klasi që gjatë qëndrimit të tij në Napoli i dhanë edhe pseudonimin ‘Kvaradona’. Krahasimi me Maradonën padyshim është shumë i guximshëm, por me paraqitjet e tij, Kvaratskhelia bindi edhe tifozët e Paris Saint Germain që të përdorin këtë pseudonim për të.

Për më tepër numrat flasin për një 'marsian' të vërtetë, me dygolëshin e shënuar mbrëmjen e së martës ndaj bavarezëve, gjeorgjiani arrin në kuotën e 15 golave në Champions League. Dhe duket se pikërisht netët evropiane janë skena e preferuar e Kvaratskhelias.

Në 15 ndeshje ai ka kontribuuar në shënimin e 16 golave (11 gola dhe 5 asist). Ndërkaq duke marrë parasysh të gjitha kompeticionet, bilanci i Kvaratskhelias flet për kontribut në 30 gola (19 finalizime dhe 11 asist), 10 më shumë se totali i sezonit të kaluar.

Ora 12:35
Tifozët pas spektaklit në PSG 5-4 Bayern: Anulojeni gjysmëfinalen tjetër, do na djegin sytë

1777458989_championsleague.JPG

Tifozët e futbollit në mbarë botën kanë reaguar të entuziazmuar pas spektaklit të ofruar nga Paris Saint Germain dhe Bayern Munich, duke e cilësuar përballjen e tyre si “ndeshja e shekullit” në Champions League. PSG fitoi 5-4, ndërsa në ndeshjen e kthimit pritet spektakël.

Ndërkohë, sot në orën 21:00 luhet gjysmafinalja tjetër mes Atletico Madridit dhe Arsenalit. Në rrjetet sociale nuk kanë munguar komentet ironike dhe kritike. Disa tifozë kanë sugjeruar madje që gjysmëfinalja tjetër “mund të anulohet”, duke argumentuar se është e vështirë të tejkalohet ajo që u pa një natë më parë.

Komentet më pikante

Një tifoz u shpreh: “Thjesht anulojeni gjysmëfinalen tjetër, sinqerisht nuk ka kuptim.” Një i dytë komentoi: “Mikel Arteta dhe Diego Simeone po qeshin tani, nesër do na shkatërrojnë sytë.” Një i tretë shtoi: “Çfarëdo që të shihni nuk do jetë e këndshme, ndaj shijoni futbollin e bukur sot.”

Një tjetër ironizoi: “Peticion që Arsenal kundër Atletico të luhet me dyer të mbyllura nesër.” Një tifoz i pestë tha: “Ajo ndeshje nuk meriton të transmetohet, do na djegë sytë.”

Ora 10:58
Vitinha gjatë intervistës pas fitores së PSG-së: Po më telefonon gruaja, më duhet të shkoj (VIDEO)

Vitor Machado Ferreira, i njohur si Vitinha foli pasi PSG-ja e tij mposhti 5-4 Bayern Munich. Mesfushori portugez bëri një batutë që u shpërnda shpejt në kanalet e komunikimit.

Gjatë intervistës për mediet atij i ra zilja e telefonit celular dhe mesfushori pa se kush ishte. "Po më telefonon gruaja, më duhet të shkoj sa më parë", tha ai.

Ora 10:57
Takimi i veçantë i Enriques dhe Kompany mes batutash: Të pëlqeu ta ndiqje ndeshjen nga tribuna? Belgu: Jo (VIDEO)

Pas fitores 5-4 të PSG-së kundër Bayern Munich, trajnerët e të dyja skuadrave, Luis Enrique dhe Vincent Kompany u takuan në zonën e intervistave. Kompany e ndoqi ndeshjen nga tribunat për shkak të një pezullimi për kartona të verdhë, me Enriquen që e ngacmoi.

"Si ishte ta ndiqje ndeshjen që aty sipër?", pyeti trajneri i PSG-së. Kompany tha: "Nuk ishte mirë, jo nuk ishte", tha ai, teksa të dy trajnerët nisën të qeshnin.

Luis Enrique është parë që ta drejtojë stërvitjen nga tribunat sipër, ndërsa Kompany i thotë se 'nuk e di sesi e bën'.

Ora 09:19
Luis Enrique në histori, thyen rekordin e Pep Guardiolës

1777447212_pepguardiolaluisenrique.jpg

Fitorja 5-4 e PSG-së kundër Bayern Munich ishte shumë e rëndësishme edhe për trajnerin e francezëve, Luis Enrique. Ai është bërë trajneri që ka arritur më shpejt 50 fitore në Champions League, duke thyer rekordin që mbahej nga Pep Guardiola.

Sipas Opta, Enrique e realizoi këtë për 77 ndeshje, duke drejtuar Barcelonën dhe PSG-në. Me këtë, spanjolli ia rrëmbeu rekordin Pep Guardiolës, i cili e kishte arritur shifrën e 50 fitoreve në ndeshjen e tij të 80-të, kur Bayern Munich mposhti Dinamo Zagrebin me rezultatin 2-0 në dhjetor të vitit 2015.