TIRANE - Prindërit duhet të edukojnë dhe ti kenë nën vëzhgim fëmijët e tyre për të mos rënë pre e pedofilëve. Rasti i fundit i pedofilit Ardian Përrenjasi, ka bërë që prindërit të kenë frikë për fëmijët e tyre. Për të mos rënë pre e këtyre abuzuesve psikologia Marsida Simo, shprehet se prindërit duhet të ndërgjegjësojnë fëmijët e tyre për rreziqet.

Si duhet ti edukojnë prindërit fëmijët, që mos të bien pre e këtyre personave?

Edukimi i prindërve duhet të jetë i kujdesshëm si për vajzat dhe për djemtë. Kulturalisht vajzat janë edukuar me më tepër mbrojtje, duke ja paraqitur rrezikshmërinë jashtë jetës familjare, ndërsa djemtë lihen më të lirë qoftë edhe në lojrat e tyrë të cilat i organizojnë jashtë shtëpisë. Prindërit duhet të ndërgjegjësohen se si vajzat dhe djemtë e tyre duhet të mbikqyren dhe të dinë për rreziqet.

Sa ndikon të mos folurit nga prindërit, apo edhe mësuesit për dhunën seksuale dhe seksin te fëmijët që këta të jenë të pambrojtur nga këta persona?
Edukimi mbi seksin ka ndryshuar kohët e fundit, por jo në nivelin e duhur. Ende ka mangësi si nga ana e prindërve dhe shkollës. Për këtë arsye, fëmijët e plotësojnë nevojën për dituri nga burime  të tjera siç është dhe interneti.

Por ky i fundit mbetet burim i pakontrolluar me informacione jo gjithmonë të vërteta. Të mbushur me këto ide të shtrembëruara, fëmijët dhe adoleshentët mund të bien lehtësisht pre e dhunës seksuale apo dhe çrregullimeve psikologjike gjatë ndryshimeve që pëson fiziku i tyre.

A flitet te fëmijët dhe adoleshentët, nëpër shkolla për mënyrat që ata të jenë me të informuar rreth pedofilisë?
 Zakonisht ndodh që në momentin kur ndodhin probleme të tilla, të flitet dhe diskutohet. Kjo duhet të jetë e vazhdueshme. Në shkolla ka lëndë si qytetaria, apo sociologjia, psikologjia të  cilat e prekin këtë aspekt, por duhet të shtohen orët informuese, jo vetëm nga mësuesi i lëndës, por edhe nga mësuesi kujdestar dhe psikologia e shkollës.

Çfarë duhet të bëjë shteti dhe shoqëria që këto fenomene mos të përsëriten?
Institucionet shtetërore  përkatëse për këtë problem nuk duhet të bëjnë asnjë tolerim. Shoqëria ka nevojë të ndihet e sigurt. Çdo gjë funksionon në bazë të shpërblimit dhe dënimit. Çdo sjellje njerëzore duhet të marrë atë që meriton, për të arritur ekuilibrin e duhur. Ndryshe çdo tolerim, neglizhim rrit premisat për probleme të tilla

Si duhet që të sillet një fëmijë me nje person të panjohur, kur ai i kërkon ndihmë?
Femijët duhet të dinë të jenë të edukuar dhe ndihma për të tjerët duhet të jetë e kufizuar, kur ata janë të panjohur. Nuk duhet të futen në shtëpitë e të panjohurve. 

Personi që ka vrarë dhe dhunuar fëmijët ka pasur familje të rregullt, si mund të kryejë një veprim të tillë?
Pavarësisht se familja është baza e formimit te fëmijës, ndodh që format e tjera të socializimit si bashkëmoshataret, media, interneti të jenë shume ndikues. Ndodh shpesh që fëmija mund të ketë qenë pre e abuzimeve dhe këtë problem mund ta përbrendësoje për shumë vite brenda vetes, duke u bërë kështu person me çrregullime në personalitetin e tij.

Veç të tjerash të gjitha pakënaqësitë, zhgënjimet dhe nënvlerësimi mund ta çojë njeriun të mbyllet në vetvete dhe të shfaqë sjellje deviante si, dhunë ndaj vetes apo ndaj të tjerëve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)