Bastet e paligjshme sportive janë tema e momentit në Itali. Tanimë janë publikuar edhe emrat e tre futbollistëve të tjerë nga Serie A që janë të përfshirë në baste në platforma ilegale, duke fshehur të ardhurat. Veç tyre, ky fenomen është diçka që ndaohet nga FIFA dhe UEFA për futbollistët, për mos thënë që është një ves që ka shkatërruar të rinjtë.
Stephan El Shaarawy (Roma), Federico Gatti (Juventus) dhe Nicolò Casale (Lazio) i bashkohen Tonalit, Fagiolit, Zaniolos dhe Zalewskit. Është Fabrizio Corona, i njohur për mediet në Itali dhe tanimë pronar i një medie, që ka hedhur dritë mbi këtë skandal që ka përfshirë shumë skuadra.
Corona “kërcënon” se së shpejti do të dalin në pah shumë emra të tjerë nga bota e futbollit, të cilët janë të “sëmurë” pas basteve. Nicolo Fagioli pranoi fajësinë, bëri marrëveshje me prokurorinë dhe do të pezullohet 7 muaj. Më shumë pritet të dënohet Sandro Tonali. Ish-mesfushori i Milanit pranoi se ka një varësi nga bastet sportive dhe se ka luajtur në skedinat e tij edhe takimet e kuqezinjve. Tani rrezikon një vit pezullim.
Fjalët e mesfushorit të Juventusit, Nicolo Fagioli drejtuar prokurorit federal Chine. “Kam filluar të luaj baste në Tirrenia në vitin 2021. Më kërcënuan se do të më thyenin këmbët”, ka thënë mes të tjerash 22-vjeçari.
Në procesverbalin e deklaratave të Nicolo Fagiolit para prokurorëve për çështjen e basteve, del në pah dëshpërimi i një djali që vuan nga sëmundja e lojërave të fatit.
“Më kërcënuan se do më thyenin këmbët, por nuk kam vënë kurrë bast për Juventusin apo Cremonese, skuadrat ku kam luajtur; situata ishte aq e padurueshme sa që në Sassuolo, sapo dola nga fusha fillova të qaja para kamerave, duke menduar për problemet e mia të lidhura me borxhet e basteve", thotë sulmuesi i Juves para prokurorëve.
Një fiksim për bastet që e detyroi të bënte një sërë gënjeshtrash, të kërkonte para për të marrë hua qoftë edhe nga shokët e skuadrës (Gatti dhe Dragusin) dhe të vuante kërcënime nga personazhe të rrezikshëm.
Megjithatë, ai gjithmonë shmangte bastet për skuadrat ku luante. Kur u kthye te Juventusi në vitin 2022, tashmë kishte grumbulluar një borxh prej 250 mijë eurosh. E ëma, e shqetësuar e këshillon për të marrë ndihmë. Por situata nuk përmirësohet dhe Fagioli fillon të vendosë baste për gjithçka, përfshirë futbollin. Në fund, mes platformave legale dhe ilegale, agjencive të ndryshme dhe agjencive bankave të paligjshme, ai arrin rreth 3 milionë euro borxhe. Një problem serioz, duke qenë se te Juve ai fiton një milionë euro në vit.
Sandro Tonali ka vendosur bast edhe për ndeshje të Milanit. Tani mesfushori rrezikon një vit pezullim. Futbolli italian është tronditur pas denoncimeve të Fabrizio Coronas, i cili ka zbuluar emrat e Tonali, Zaniolos, Fagiolit, Zalewskit, Stephan El Shaarawy (Roma), Federico Gatti (Juventus) dhe Nicolo Casale (Lazio).
Ndërkohë që pritet të dalin edhe emra të tjerë futbollistësh, ku nuk mungojnë presidentë klubesh apo menaxherë të ndryshëm. Mesfushori Tonali i Newcastle, skuadër ku u transferua në verë për 80 mln euro, ka pranuar përpara prokurorëve se ka vënë baste.
Madje edhe ndeshje të kuqezinjve, ish-skuadrës së tij. Veprim ky që përkeqëson shumë pozitat e 23-vjeçarit. Nëse bastet për Milanin do të konfirmoheshin, dënimi fillestar për Tonalin do të ishte 3 vjet.